FIFA-UEFA, tjetër kërcënim Pangos
Dy organizatat më të rëndësishme të futbollit botëror, UEFA dhe FIFA, e kanë quajtur jo të ligjshëm kontrollin e Ministrisë së Financave në Federatën Shqiptare të Futbollit. Në një letër dërguar ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, Ylli Pango, sqarohet fakti se FSHF-ja nuk është një autoritet publik, por një shoqatë. Qeveritë e futbollit e quajnë auditimin e financave të FSHF-së nga ana e grupit të përbashkët MTKRS-Ministria e Financave - Drejtori e Përgjithshme e Tatimeve të paligjshme. UEFA dhe FIFA kanë kërkuar gjithashtu më shumë fakte për të provuar dyshimet për shitjet e ndeshjeve të Kombëtares shqiptare me Bjellorusinë dhe Rumaninë. Televizioni prestigjioz Vizion Plus mësoi se UEFA tërheq vëmendjen që kjo letër nuk mund të përdoret si dëshmi për njohjen e versionit të ministrisë për statutin e federatës apo dhe të interpretimit të Nenit 53 të tij. Ministria bën të ditur ndërkohë se po përgatit një përgjigje në të cilën do të sqarohet se kontrolli në Federatë do të bëhet vetëm për pjesën e fondeve që jep shteti. “Pra, pavarësisht se MTKRS-ja e di se FSHF-ja është shoqatë, grupi i auditit do të kontrollojë vetëm fondet publike”, - tha burimi për “Vizion Plus”. Sipas saj, në rast se ministri Pango nuk e firmos statutin, atëherë çështja e Shqipërisë do të kalojë në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s dhe aty do të merret menjëherë vendimi për përjashtimin e Shqipërisë. Afati i parë ishte më 21 shkurt.
23 Shkurt 2008