E Diel, 1 Nëntor 2026

Juliana Pasha: I frikshëm tregu shqiptar i këngës

Nuk e ka kërkuar ndonjëherë suksesin me çdo kusht. As e ka marrë vrullin për të qenë në radhën e të parëve. "Çmenduritë" si mjete që justifikohen nga qëllimi kanë qenë të largëta për të. Skena, ëndrra e viteve të hershme të fëmijërisë, është një realitet i kryer. Zëri është shtylla e fortë ku Juliana Pasha mbështetet. Mes radhëve të atyre që ushqejnë besimin, e quan dhuratë të Zotit. Të tjerët, ata që përftojnë kënaqësinë e interpretimit të saj, mund t‘ia njohin edhe natyrës. Ajo i përket rangut të këngëtareve që kërkojnë jetëgjatësinë në shijet e publikut, jo majën. Mund ta quash mungesë të ambicies? Apo thjesht një zgjedhje... "Jam treguar edhe e kujdesshme. Kam ecur ngadalë. Besoj se publikut duhet t‘i jepesh pak nga pak. Më pëlqen të këndoj rrallë dhe publiku të të njohë e të ndiejë kur ti ngjitesh në skenë". Kështu e ka ndërtuar imazhin e saj. Përmes zërit. Fillimisht të kënduarit nëpër shtëpi, pastaj festivalet e fëmijëve në qytetin e lindjes në Burrel, ardhja në Tiranë dhe studimi për këngën. Në 1999 do të ishte pjesëmarrja e parë në Festivalin e Këngës në RTSH. Vetëm një vit më vonë, kujton me kënaqësi vlerësimin që ka marrë nga këngëtarja e madhe, Vaçe Zela, si zëri i ri më i mirë. Të kënduarit live për të është përkujdesja më e mirë për ta mbajtur në formë. Nëse skena e madhe sot për sot ia mohon këtë mundësi, zgjidhja janë piano-baret. Këndon fundjavave në Tiranë, shoqëruar edhe nga bashkëshorti i saj, Altini, kitarist. Të kënduarit në një ambient intim e konsideron një çlodhje, e aspak një punë të rëndomtë. "Këngëtarët e mëdhenj kanë dalë nga të kënduarit live në lokale të mira. Kënaqësia që përfton në këto ambiente të vogla është e madhe. Ti këndon dhe ke një publik që të ndjek gjithmonë, që vjen për ty dhe të duartroket. Kjo është puna e një artisti". Por sigurisht që skena e festivaleve është e rëndësishme. Ndonëse ndodh që për disa vite të mos ngjitet në të. Arsyet janë të ndryshme; herë për tekstet, kompozitorët apo rrethana të jashtme. Një këngë për të duhet të jetë më shumë sesa një interpretim e zë i mirë. "Jam partizane e teksteve të mira. Brenda rreshtave kërkoj të gjej një realitet të shprehur, sepse ndihem më mirë kur i këndoj diçkaje të drejtpërdrejtë. Publiku ka nevojë të ndiejë edhe një mesazh përveç një interpretimi të bukur", shprehet ajo. Në këtë rast i vjen në ndihmë bashkëshorti. Si pjesë e botës së muzikës, ai bën jo vetëm sugjerimet, por edhe kritikun. Juliana mendon se pa të nuk do të kishte arritur shumë gjëra që ka sot. Ndërkohë që i pëlqen të këndojë balada, pop-rrok apo pop-balad, rryma që mendon se i vijnë për shtat, deri më sot i ka qëndruar larg tregut. Nuk ka realizuar as një videoklip dhe ende i mungon një album i saj. Hezitimin e justifikon me kushtet në të cilat zhvillohet dhe tregtohet sot muzika. Një problem tepër i prekshëm për këngëtarët profesionistë vitet e fundit. Komercialiteti, publiku, pirateria...Arsye të mjaftueshme që edhe një zë i mirë të mendojë dështimin. "Nuk jam këngëtare që shkon drejt tregut. Preferoj këngët që mbeten. Por besoj se tregun dhe kultivimin e shijeve të publikut e bëjmë edhe ne këngëtarët. E rëndësishme është që të krijohen dhe të propagandohen këngë të mira që krijojnë një profil të muzikës shqiptare. Jemi të bazuar në muzikën që bën bota dhe kemi harruar rrënjët tona. Dikur ne kemi pasur këngë shumë të bukura. Marrëdhënia e dyfishtë kompozitor-këngëtar luan një rol të madh në këtë drejtim. Këngëtarët duhet të bëjnë përzgjedhjen e duhur të kompozitorëve dhe anasjelltas. Megjithatë, jemi në një moment kur edhe në botë muzika nuk është në momentet më të mira të saj", shprehet Juliana. Megjithatë, ajo po e mendon seriozisht realizimin e një videoklipi, si një domosdoshmëri për t‘u prezantuar, e po ashtu edhe të një albumi. Do të zgjedhë një këngë të re që ta shoqërojë edhe me imazhe. Shprehet se janë kushtëzimet financiare ato që përcaktojnë edhe kohën e daljes. Albumi ka një odise më vete. I trembet pritshmërisë së publikut, shpërdorimit që mund t‘i bëhet në internet e më pas dështimit. "Për faktorë të tillë, mbetesh shumë larg asaj që do të realizosh", thekson ajo. E mendon se mund të realizojë edhe album me këngë të krishtera apo edhe një recital për Krishtlindje. Ka kohë që po mendon për një prezantim të saj në një koncert recital, por edhe kjo mbetet një dëshirë pa kohë. "Në momentin që ne nuk kemi një studio diskografike të mirëfilltë që të përfaqësojë këngëtarët, jemi të humbur. Unë kam një ministudio në shtëpi, në të cilën po punoj për realizimin e këngëve të mia të para për albumin". Juliana Pasha i është shmangur edhe fenomenit të largimit për të kënduar diku jashtë shtetit. Shprehet se ka pasur oferta, por e ka parë me dyshim fatin që e priste përtej tyre. "Unë kam krijuar një profil dhe një imazh timin që nuk dua ta humbas. Nuk është e lehtë të shkosh jashtë shtetit, të punosh e të bëhesh me sadopak emër. Preferoj më mirë të qëndroj në Shqipëri, t‘i gëzohem këtyre që kam, sesa të shkoj diku, të rropatem dhe mbase të mos marr as këtë sukses që kam këtu". Nëse nuk ka tentuar për vendime të mëdha, brenda muzikës ka provuar dhe të bëjë diçka ndryshe. Pas pjesëmarrjes në "Romeo dhe Zhuljeta", shprehet se do të ishte e gatshme edhe për muzikalë të tjerë. Këtu provoi ndjesinë e parë dhe të të aktruarit, për të kaluar në një tjetër përvojë si pjesëmarrja në tragjedinë "Medea" të regjisorit Mikel Kalemi. E quan një eksperiencë që i ka dhuruar shumë emocione e që e ka bërë të kuptojë nga brenda një tragjedi. Pa deri diku Julianën aktore. Ndërsa vazhdon të flasë për ngjitjet në skenë, qofshin këto festivale, muzikale apo teatrore, natyrshëm pyetja të lind nëse këta njerëz bëjnë dot pa të? A ka përditshmëri përtej këngës? Juliana të thotë po. "Skenën nuk e kam vënë asnjëherë të parën. Është familja ime. Jam shtëpiake e mirë. Më pëlqen të gatuaj. Kuzhinën e kam parë me një sy shumë të largët. Momentet e bukura që ne kalonim të dielave kur mami na gatuante pitet vlonjate, dua t‘i përjetojnë edhe fëmijët e mi, në mos edhe nipërit dhe mbesat". Këtë çerdhe familjare nuk e ka ndërtuar ende kështu që do të vazhdojë të investojë te Juliana këngëtare. Nuk di të thotë nëse e sheh me optimizëm të ardhmen, por shpreson që të bëhet më mirë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›