E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Pas lindjes dua trup modeleje!"

Ekspertët amerikanë e quajnë "Mommy Job", duke parafrazuar filmin e famshëm "The italian job", ndërsa punonjësit e sektorit të kirurgjisë e quajnë në mënyrë eufemistike "Mommy Makeover". Femrat që i nënshtrohen kësaj ndërhyrjeje, tashmë miliona çdo vit, e cilësojnë si të nevojshme, sepse është një operacion që u rikthen atyre dinjitetin njerëzor. Bëhet fjalë për një sërë ndërhyrjesh të kirurgjisë plastike që "fshijnë" nga trupi i një gruaje gjurmët e shkaktuara nga shtatzënia, lindja dhe ushqimi. Çarja e lëkurës së barkut nga shtatzënia; gjithashtu çarja e lëkurës së vitheve, apo pjesëve të tjera të trupit, si për shembull pjesa e gjoksit nga luhatja e peshës. Një ndërhyrje estetike me jetë të gjatë dhe për rini të përjetshme: kjo është ëndrra e të gjithëve, por në veçanti e femrave. Dhe duket se nuk vlejnë më asgjë alarmet dhe shqetësimet për efektet anësore, psikologjike e fizike të bisturisë. Ndërhyrja kirurgjikale "Mommy Job" po bëhet mjaft popullore që kur janë përhapur zëra se i janë nënshtruar këtij operacioni edhe aktore të famshme si Minnie Driver, Grosse Point Blank, Goodwill Hunting, e cila lindi një fëmijë super të madh (4 kile e 400 gramë) dhe Angelina Jolie. Sipas Shoqërisë Amerikane të Ndërhyrjeve Plastike, vitin e kaluar janë operuar mbi 350 mijë gra, pjesa më e madhe e të cilave ishin mama të reja me moshë nga 20 deri në 39 vjeçe. Ndoshta të çuditura pas ndryshimit rrënjësor të aktoreve Jennifer Lopez e Jennifer Garner (pasi lindën), kanë zgjedhur që ta provojnë edhe ato këtë operacion çudibërës.

Sipas statistikave, në vitin 2007, ku të dhënat janë më të sakta, mijëra mama amerikane kanë shpenzuar mbi 2.5 miliardë dollarë për të risjellë në formë trupin pas lindjes, gjoksin, këmbët dhe pjesë të tjera. Pra, duke e krahasuar me dy vite më parë, është rritur me 11 për qind. Sipas "New York Times", çmenduria e femrave nuk njeh kufi: për të qenë gjithmonë të bukura dhe tërheqëse janë gati të bëjnë gjithçka, madje edhe operacione shumë të kushtueshme. Në një sondazh të bërë kohët e fundit, mbi 2000 nëna që sapo kishin lindur, një në katër prej tyre është përgjigjur se po mendohej seriozisht për një ndërhyrje plastike dhe rreth tri në katër femra janë shprehur se ndihen të pakënaqura nga efektet që ka krijuar shtatzënia në trupin e tyre. Veç të tjerash, pothuajse të gjitha pohojnë se janë tmerruar nga të çarat e lëkurës, nga barku i fishkur dhe gjoksi që është në rënie vazhdimisht. Duke studiuar me kujdes të dhënat, vërehet që nga viti 1992 e deri në 2007-ën numri i operacioneve për uljen e barkut është rritur 746 për qind; ai i ndërhyrjeve në gjoks 921 për qind; "liposuzione" (thithja e dhjamit) 431 për qind. "Ideja e ‘Mommy Makeover‘ është ajo që t‘i lejojë një gruaje, pavarësisht nëse është 20, 30, apo 40 vjeçe të jetojë si një mama moderne dhe jo të duket si një gjyshe", pohon një kirurg plastik njujorkez, që pacienteve të tij pas lindjes iu ofron një paketë që quhet "Post-pregnancy tune-up".

Imazhi pas lindjes, si "deformim" i bukurisë, reklamohet vazhdimisht nga një shoqëri afariste e larmishme dhe preferohet nga agjencitë e turizmit të kirurgjisë plastike estetike si "Gorgeous Gateways" dhe "Rodeo Drive Plastic Surgery" e Beverli Hills. E para ofron paketën "Yummi Mumy Post-Pregnancy" për 6500 dollarë, në Malajzi dhe Sri Lanka, që pas ndërhyrjes përfshihet edhe një pushim dyjavor. Jo keq po ta krahasosh me 10 mijë dollarë mesatarisht që paguhen në SHBA për një ndërhyrje kirurgjikale. Ndërsa e dyta për të tërhequr sa më shumë klientë me paketën e saj "Mommy Remake" ka përfshirë brenda falas të famshmen "Rodeo Drive Belly Button": një kërthizë që, sipas specialistëve, është më e thellë dhe duket më natyrale. Gjithashtu femrat kanë mundësi të bëjnë edhe pirsing. Një kirurg plastik nga Dallasi pohon se femrat duhet të kenë kujdes nga këto paketa dhe nuk duhet t‘u nënshtrohen vazhdimisht këtyre ndërhyrjeve të kirurgjisë plastike: "Duke qenë se në këtë paketë përfshihen shumë trajtime, femrat janë të prirura t‘i shfrytëzojnë në mënyrë të panevojshme këto të fundit".

Ndërsa presidentja e Qendrës Kombëtare të Kërkimeve për Gratë e Familjet kritikon ashpër: "Mesazhi është ky, që pas shtatzënisë trupi i femrës ndryshon për keq. Nëse marketingu do ta shndërronte periudhën e paslindjes në një fakt shoqëror të papranueshëm, mendoni se sa nëna do t‘u nënshtrohen këtyre operacioneve". Ndërsa një sociologe nga Nju Jorku shprehet kështu: "Bukuria është një proces që nuk ka fund. Ka standarde të pakapshme, ku pjesa më e madhe e femrave nuk mund t‘i arrijnë. Të vetmit që përfitojnë, janë kirurgët plastikë".

Megjithatë, sipas një specialisti kalifornian për kirurgjinë estetike, këto operacione kirurgjike, duke kuruar efektet e lindjes, e bëjnë edhe më të vështirë periudhën e paslindjes: "Traumat fizike të shkaktuara nga shtatzënia, nga lindja e deri tek adoptimi, mund të prodhojnë efekte vërtet negative që shkaktojnë te gratë humbjen e vetëvlerësimit". Pikërisht për këtë arsye, specialisti nga Kalifornia ka hapur një faqe interneti, ku përveç prezantimit të paketave të kirurgjisë plastike për nënat që sapo kanë lindur, ofruar nga klinika e tij, kirurgu i këshillon femrat se si të përballojnë periudhën e paslindjes.

Por, pavarësisht disavantazheve, fanset e "Mommy Job" janë dakord me faktin se ndonjëherë natyra ka nevojë edhe për ndihmën e bisturisë. Shoqata e Kirurgjisë Plastike e Marina del Rej ka vënë në dispozicion të pacienteve edhe një faqe interneti amommymakeover.com dedikuar procedurës, me një sërë fotografish para dhe pas lindjes, ku pacientet kanë mbetur shumë të kënaqura.

"Mommy Job" është një lloj biznesi që nuk kishte se si të mos bënte për vete edhe agjencitë e këshillimit, si CosmeticSEO.com, të cilave u drejtohen doktorët që përpiqen të zhvillojnë një strategji për reklamimin e trajtimit.

Faktikisht kjo tendencë e ka shqetësuar shumë Diana Zuckerman, presidenten e Qendrës Kombëtare për Gratë dhe Familjet. "Mesazhi është se me shtatzëninë trupi i femrës ndryshon", ka theksuar Zuckerman, sipas së cilës rreziku i vërtetë është se në mendjen e tyre, trupi i femrës pas lindjes mund të shndërrohet në një problem nga i cili të vjen turp, pasi nga ana shoqërore është i papranueshëm". Nëse kjo bindje do të konfirmohej, atëherë Zuckerman pohon se numri i femrave që do t‘i kërkonin ndihmë "Mommy Job" do të rritej jashtëzakonisht.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›