Juliana Pasha, nesër në Shkup për promovimin e këngës Nuk mundem pa ty
Fituesja e edicionit të 48 të Festivalit të Këngës në RTSH, Juliana Pasha nis nesër turin e promovimit të këngës. Shkupi do të jetë dhe stacioni i parë i këngëtares fituese, ku do të promovohet kënga Nuk mundem pa ty. Me muzikë dhe tekst të Ardit Gjebresë dhe Pirro Çakos, ajo u shpall fituese mes 20 konkurrentëve në natën finale të edicionit të 48- të festivalit. Në një prononcim dhënë për gazetën këngëtarja Juliana Pasha tregon se turin i saj që do
të nisë në Shkup më vonë do të pasojë dhe në vende të tjera. Në Shkup do të jetë dhe promovimi i parë i këngës, por do të jenë dhe vende të tjera ku do të promovohet, por akoma nuk janë vendosur datat pohon këngëtarja fituese e edicionit të 48 të Festivalit të Këngës në RTSH. E ndërkohë që pas datës 20 shkurt, këngëtarja do të niset në drejtim të Anglisë. Në datën 24 shkurt do të jem në Angli, për të regjistruar këngën, e cila do të jetë në anglisht, pohon ajo, ndërsa shton se kanë filluar dhe xhirimet për videoklipn e këngës Nuk mundem pa ty. E vlerësuar me çmimin e parë në këtë festival, Juliana Pasha do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin europian të këngës Eurosong 2010, që do të zhvillohet në fund të muajit maj në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo. Sa i takon festivalit të këngës, çmimin e dytë e mori Anjeza Shahini me këngën Në pasqyrë, kurse të tretin Kamela Islami me këngën Gjëra të thjeshta. Në natën finale u prezantuan 20 këngë, ku evenimenti i këngës këtë vit ishte i ndarë në katër net. Në të parën kënduan profesionistët, në të dytën të rinjtë (ku u përzgjodhën dy për në natën finale), nata e tretë ishte për duetet, kurse e fundit ishte për çmimet e mëdha. Juria që vlerësoi këngët përbëhej nga producentja Zana Çela, kantautori Luan Zhegu, kompozitori Flamur Shehu, shkrimtari Agron Tufa, violinisti Olen Çezari, mezo-sopranoja Vikena Kamenica dhe këngëtari Saimir Braho. Nata e tretë në edicionin e 48-të të Festivalit të Këngës në RTSH solli në skenë këngët e festivalit në një version tjetër. Ishin pikërisht duete me këngëtarë, që nuk ishin konkurrentë në festival, të cilat i sollën një ngjyrë tjetër këtij evenimenti të këngës së lehtë shqiptare. E cilësuar nga organizatorët si një natë spektakël, ajo veç dueteve solli dhe një atmosferë ndryshe nga netët e tjera. Nata e tretë pati thuajse të njëjtën strukturë, si nata e dytë e festivalit të kaluar. Këngëtarët big ishin të shoqëruar nga të tjerë emra të muzikës shqiptare, duke kthyer disi nostalgjinë e viteve të shkuara. Këngëtarët ishin jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova. Ata ishin figura që kanë zënë një vend në historinë e muzikës shqiptare.
Nga aktiviteti i këngëtares
Juliana Pasha, një nga këngëtaret më të njohura shqiptare një zë i mrekullueshëm dhe fituese e shumë çmimeve të para. Del në skenë për herë të parë në vitin 1998 në Festivalin e RTSH me këngën "Në këngën time u çlodha", një vit më vonë sërish në Festivalin e RTSH merr pjesë me këngën "Dëgjoji zërat e largët" ku vlerësohet nga këngëtarja e madhe shqiptare Vaçe Zela me çmimin "Zëri i ri më mirë". Gjatë karrierës së saj gjithmonë është vlerësuar për zërin e saj black dhe të fuqishëm dhe për të kënduarin perfekt live. Ka marrë pjesë në Mikrofonin e Artë, ku këngët e saj "Flas me natën, Nuk Mjafton te dua apo Milje larg" janë vlerësuar me çmime të ndryshme. Në vitin 2005 merr pjesë për herë të dytë në "Kënga Magjike" me këngën "Ti Unë" të kompozitorit A. Hila dhe vlerësohet me çmimin "Çesk Zadeja". Në vitin 2007 merr çmimin e tretë në Festivalin e RTSH me këngën "Qiell i ri", kompozuar nga Endri Sina. Ky vit ishte mjaft i suksesshëm për të pasi në "Këngën Magjike 2008" u vlerësua me "Çmimin e Kritikës" me këngën 1000-Arsye të kompozitorit Shpëtim Saraçi
Nga Julia Vrapi