Junling: Shqipëria, duke u rritur me ne
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës duket se u janë rikthyer niveleve të larta të bashkëpunimit. Me një histori gati 60-vjeçare, dy vendet kanë pasur ulje-ngritjet, ndërsa në ditët e sotme, shikohet se interesi për të investuar sa vjen dhe rritet. Këtë fakt e vërteton ambasadori i Kinës në Tiranë, Wang Junling, i cili duke folur për “Shqip”, jep detaje të marrëdhënieve mes dy vendeve, duke e nisur në fillim me panairin e madh të Shnagndit, ku Shqipëria mori pjesë për herë të parë.
Zot ambasador, do të donim të mësonim më shumë për Ekspozitën Botërore të Shangait që u mbajt këtë vit. Pse ajo është një nga ngjarjet më të rëndësishme të këtij dhjetëvjeçari?
Ju falënderoj që më dhatë këtë shans për të prezantuar Ekspozitën Botërore të Shangait përsëri. Ekspozita botërore është një ekspozitë madhështore ndërkombëtare ku reflektohen të gjitha arritjet e njerëzimit në shoqëri në fusha të ndryshme duke përfshirë; fushën shoqërore, ekonomike, kulturore, si dhe atë tekniko-shkencore. Qysh nga viti 1815, Expo Londër u zhvillua për herë të parë në histori. Expo ka fituar famën si olimpiada ekonomike, tekniko-shkencore e kulturore. Të gjitha vendet i kushtojnë një rëndësi të madhe Expo-s, pavarësisht nëse ato janë vende pritëse apo vende pjesëmarrëse, të gjitha e trajtojnë si një premisë shumë të rëndësishme për të nxitur zhvillime ekonomike, për të propaganduar arritjet e tyre, për të zgjeruar ndikimin ndërkombëtar dhe për të zhvilluar shkëmbimin e bashkëpunimin ndërkombëtar.
Expo Shangai është një aktivitet tjetër ndërkombëtar madhështor i organizuar nga Kina pas Lojërave Olimpike të Pekinit. Expo Shangai ka krijuar rekorde të shumta: së pari, për herë të parë organizohet në një vend në zhvillim; së dyti, tema e kësaj Expo-je është “Qytet më i mirë, jetë më e mirë”, për herë të parë Expo-ja ka si temë qytetin; së treti, deri më tani gjithsej 242 vende e organizata do të marrin pjesë, Expo-ja me më shumë ekspozues; së katërti, përveç ceremonisë së hapjes e të mbylljes, ditës kombëtare të Kinës, forumit të nivelit të lartë, do të organizohen edhe ditët kombëtare të 188 vendeve të huaja dhe ditët e nderit të 39 organizatave ndërkombëtare; së pesti, numri i pjesëmarrësve do të kalojë 70 milionë; së gjashti, deri më tani gjithsej mbi 100 liderë të vendeve të huaja kanë shprehur dëshirën për pjesëmarrje, gjë e cila nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.
Pas Lojërave Olimpike të Pekinit, brenda dy vjetësh, është përsëri Kina që merr përsipër një event të përmasave botërore, siç është Ekspozita e Shangait. Cilët janë objektivat e hapjes së saj dhe çfarë vlerash do të sjellë ajo në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike botërore, aq më tepër që jemi në një kohë krize, ku hijet e saj nuk janë larguar akoma?
Në kohën e sotme zhvillimi i qytetit është shumë i shpejtë. Jeta në qytet përballet me një sërë sfidash: jeta me hapësirë të kufizuar në qytet nuk ka mundësi të mos shkaktojë impakte që kanë të bëjnë me hapësirën, konfliktet kulturore, mungesës së urbanistikës, si dhe ndotjes së mjedisit. Në qoftë se nuk ka menaxhim të mirë, ekspansioni i çrregullt do të përkeqësojë problemet e sipërpërmendura. Më në fund do të dëmtojnë dinamikën e qytetit duke ndikuar negativisht në cilësinë e jetës në qytet. Për këtë arsye, Expo Shangai paraqet temën “Qytet më i mirë, jetë më e mirë”, me qëllim për të forcuar vëmendjen e njerëzve për qytetin, si dhe për të shkëmbyer konceptet e zhvillimit të qytetit dhe të jetës në qytet. Në të njëjtën kohë, globalizimi ekonomik po të zhvillohet thellësisht dhe ndërthurja ekonomike midis vendeve të ndryshme po ngushtohet dita-ditës. Në këtë kontest, ne shpresojmë më shumë se kjo Expo do të shërbejë si një skenë e gjerë për zhvillimin e bisedimeve, shkëmbimeve dhe të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar midis civilizimeve të ndryshme.
Sot Kina është kthyer në vendin me prodhimin më të lartë në rang botëror të shumë pajisjeve dhe produkteve. ç’do të përfaqësojë pavijoni kinez në ekspozitë?
Për Kinën ne shpresojmë që nëpërmjet kësaj Expo-je mund të prezantohet qytetërimi i shkëlqyer i kombit kinez prej 5000 vitesh, duke paraqitur arritjet e mrekullueshme gjatë 60 viteve qysh nga krijimi i Kinës së Re, sidomos gjatë 30 viteve të reformës dhe hapjes duke shfaqur frymën shpirtërore të kombësive të ndryshme kineze për të realizuar objektiven e ndërtimit të një shoqërie të begatë në mënyrë të gjithanshme me forcë me vullnet të përbashkët, si dhe me solidaritet.
Kemi mësuar se edhe Shqipëria ka një pavijon të veçantë në ekspozitë. Sa ka qenë mbështetja juaj për pjesëmarrjen tonë në panair? Do të ketë aktivitete të tjera për Shqipërinë gjatë muajve që Ekspozita do të jetë hapur?
Me sa di unë në këtë Expo Shqipëria do të ketë si temë “Shqipëria, duke u rritur me ne”. Pala shqiptare do të prezantojë traditën kulturore historike, peizazhe natyrore, situatën aktuale dhe perspektivën e saj, nëpërmjet shumë grafikëve dhe materialeve propaganduese, duke theksuar zhvillimin e energjisë së pastër, infrastrukturës, si dhe turizmit. Për të rritur jehonën, pala shqiptare do të organizojë aktivitetin e ditës kombëtare të Shqipërisë më datë 5 maj, në të cilin do të marrë pjesë ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Z. Prifti, ku do të ketë edhe një shfaqje me valle tradicionale shqiptare.
Kina dhe Shqipëria kanë pasur miqësi të hershme. Si janë sot marrëdhëniet midis dy vendeve tona? Në cilat drejtime po zhvillohen ato?
Edhe pse Kina është shumë larg nga Shqipëria, miqësia midis dy popujve tanë trashëgohet brez pas brezi. Pas themelimit të Republikës Popullore të Kinës, Shqipëria ishte një nga vendet e para që njohu Kinën e re. Më 23 nëntor 1949, u vendosën marrëdhëniet diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë. Pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, shkëmbimi dhe bashkëpunimi në fushën politike, ekonomike, tekniko-shkencore, si dhe atë arsimore kanë njohur zhvillime të vazhdueshme. Kina i ka dhënë Shqipërisë shumë ndihmë në përgjithësi dhe ka dërguar afërisht rreth 6000 ekspertë në Shqipëri, njëkohësisht ajo ka trajnuar një numër të konsiderueshëm specialistësh në ekonomi dhe teknikë. Në të njëjtën kohë, pala shqiptare i ka dhënë palës kineze mbështetje dhe një ndihmë të çmuar. Ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për rianëtarëzimin e R.P të Kinës në OKB, gjë e cila do të mbetet gjithmonë në kujtesën e palës kineze.
Vitet e fundit, me përpjekjet e përbashkëta të qeverisë dhe popujve të të dy vendeve, marrëdhëniet dypalëshe kanë pasur një zhvillim të qëndrueshëm. Vizitat reciproke në nivel të lartë midis dy vendeve tona janë të pandërprera. Gjatë vitit të kaluar, Kryeministri i Shqipërisë, z. Berisha zhvilloi një vizitë zyrtare në Kinë. Të dyja vendet publikuan bashkërisht Deklaratën e Përbashkët ndërmjet Republikës Popullore të Kinës dhe Republikës së Shqipërisë mbi Themelimin e Marrëdhënieve Miqësore Tradicionale. Në muajin tetor, të vitit të kaluar, zëvendëskryetari i Këshillit të Shtetit të Kinës z. Zhang Dejiang vizitoi Shqipërinë dhe ka festuar bashkërisht me palën shqiptare 60-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike kino–shqiptare. Sipas të dhënave statistikore nga pala shqiptare vëllimi i tregtisë midis dy vendeve tona rritet nga viti në vit. Kina u bë partneri i tretë në tregti për Shqipërinë. Për të shprehur ndjenjat miqësore të popullit kinez ndaj atij shqiptar, qeveria kineze ka akorduar dhënien e një numër ndihmash financiare pa asnjë kusht politik. Bashkëpunimi mes Kinës dhe Shqipërisë në fushën kulturore, arsimore, shëndetësore, të drejtësisë, radio-televizive dhe në marrëdhëniet diplomatike shumëpalëshe është i kënaqshëm. Ne kemi besim të plotë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve kino-shqiptare.
Po marrëdhëniet kulturore, çfarë mund të shtoni?
Bashkëpunimi midis dy vendeve tona në fushën kulturore është gjithashtu i kënaqshëm. Gjatë vizitës së Kryeministrit Berisha, në Kinë në muajin prill të kaluar të vitit të kaluar, të dyja palët nënshkruan programin e bashkëpunimit kulturor, i cili konfirmoi se dikasteret përkatëse të dy vendeve tona do të çojnë përpara implementimin e disa aktiviteteve duke përfshirë dërgimin e delegacioneve të kulturës dhe zhvillimin e javëve kulturore në të dyja vendet respektivisht si në forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona në fushën e mbrojtjes së objekteve historike dhe në atë të bibliotekave. Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, Universiteti i Tiranës ka vendosur mësimdhënien e gjuhës kineze, e cila ofron një platformë të re për popullin shqiptar sidomos brezin e ri të Shqipërisë për të njohur gjuhën, kulturën, si dhe zhvillimin e ekonomisë dhe shoqërisë kineze. Kemi besim se shkëmbimi dhe bashkëpunimi midis dy vendeve tona në fushën kulturore do të forcohet vazhdimisht në të ardhmen.
Zoti ambasador, ju keni disa vjet që po jetoni e punoni në Shqipëri. Cilat janë përshtypjet tuaja?
çfarë ju pëlqen dhe çfarë nuk ju pëlqen? çka mund të bëhet më mirë?
Unë mbërrita në Shqipëri në muajin nëntor të vitit 2007 dhe i dorëzova letrat kredenciale Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Z. Bamir Topi, më datën 3 dhjetor të atij viti. Më pas kam takuar Kryeministrin, zv/kryeministrin, ministrin e Jashtëm dhe funksionarë të tjerë të lartë, si dhe qytetarë të thjeshtë të Tiranës. Qarqe të ndryshme në Shqipëri, në pozitë dhe në opozitë, u kushtojnë rëndësi marrëdhënieve mes Kinës dhe Shqipërisë. Populli shqiptar është punëtor dhe i mençur, gjithashtu është shumë miqësor ndaj popullit kinez. Të gjitha këto më kanë lënë një përshtypje të thellë. Shqipëria është një vend i bukur bregdetar, jam shumë i gëzuar që punoj këtu.
Cili do të ishte mesazhi juaj i veçantë për lexuesit e gazetës “Shqip”?
Të nderuar lexues të gazetës “Shqip”,
Më lejoni që në emër të të gjithë kolegëve të mi në Ambasadën Kineze në Shqipëri, dhe në emrin tim personal t’ju shpreh përshëndetjet e sinqerta. Midis dy popujve tanë ekziston një miqësi e thellë tradicionale, i gjithë populli shqiptar, duke përfshirë edhe juve, i ka dhënë kontribut të rëndësishëm zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit midis dy vendeve tona në të gjitha fushat. Unë dëshiroj që t’ju shpreh falënderimet e përzemërta për vëmendjen tuaj për Kinën dhe marrëdhëniet kino-shqiptare, gjithashtu shpresoj që të kujdeseni dhe mbështesni vazhdimisht punën e miqësisë midis dy vendeve tona, si dhe të jepni një kontribut akoma më të madh për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Në të njëjtën kohë, ju jeni të mirëpritur që të vini në Kinë për vizitë në mënyrë që të ndieni personalisht kulturën tradicionale dhe frymën bashkëkohore të Kinës, si dhe të shihni nga afër aktivitetin ndërkombëtar madhështor Expo Shangai 2010.