Jupi: Dinamo vazhdon stërvitjen me instensitet

Ekipi i Dinamos, i drejtuar nga lojtari-trajner, Redi Jupi, i është rikthyer seancave stërvitore, në përgatitje të ndeshjes së fundjavës, kundër ndaj Apolonisë. Jupi u shpreh dje se "meqenëse ndeshja do të luhet ditën e premte, brenda dy ditësh, skuadra do të mbyllë të gjitha planet stërvitore, për të zhvilluar ditën para ndeshjes, një seancë të lehtë". "Ndërkohë, - tha Jupi, - do të kem në dispozicion të gjithë grupin e futbollistëve, kurse portieri Ilion Lika, i cili u dëmtua në derbin ndaj Partizanit, nuk paraqet ndonjë problem për përballjen ndaj fierakëve dhe pritet që t'i bashkohet skuadrës të mërkuren".
Ndërkaq, mësohet se skuadrës së Jupit do t'i vijnë së shpejti përforcime. Me skuadrën e Dinamos pritet që të bashkohen dy futbollistë cilësorë, tha dje drejtori teknik i klubit blu, Ilir Daja. Ky i fundit tha se "gjatë merkatos së janarit, ne do të bëjmë të mundur që këta lojtarë të jenë shumë shpejt pjesë e skuadrës blu. Bëhet fjalë për një sulmues dhe një mbrojtës, të cilët aktivizohen në Malin e Zi." Ndërkohë, nën vëzhgim janë edhe tre futbollistë të kampionatit shqiptar, por emrat e tyre nuk bëhen ende publikë.