E Diel, 1 Nëntor 2026

Juridiku, pesë vajza “rrëmbejnë” Ekselencën

Jo një, por pesë studente, mund të thuhet me plot gojën se kanë shkëlqyer te Fakulteti Juridik i UET-it. Këto studente, madje brenda të njëjtit grup, i kanë përfunduar studimet me mesatare 10 dhe për këtë arsye kanë marrë diplomën e veçantë “Summa Com Laudem”. Më konkretisht ato janë: Aida Maho, Arjola Limani, Ervisa Gjinika, Neida Cunaj, Pranvera Ajdinaj. Pesë vajzat ekselente kanë përshëndetur në ceremoni, duke dhënë përjetimet e tyre për studimet pranë UET.

Aida Maho: Ndihem krenare për diplomën cilësore

“Do ju tregoj një sekret të vogël. Unë aksidentalisht nuk u përfshiva në posterin e studentëve ekselentë të shkollës dhe u trishtova shumë. Megjithatë, sot jam shumëfish më e lumtur që jam prezente me figurë dhe me zë, dhe gjej rastin më të mirë për të thënë që ndihem krenare për diplomën cilësore të marrë nga një universitet prestigjioz, i renditur i pari në rankimin e universiteteve në rang kombëtar. Kam momentin më të përshtatshëm për t’i shprehur ish-profesorëve të mi mirënjohjen më të thellë për kontributin e tyre të çmuar në rritjen time profesionale”.

Arjola Limani: Të studiosh nuk është kurrë e lehtë

“Sot, eksperienca jonë në këtë universitet arrin kulmin e saj, duke marrë këtë diplomë si shenjë kurorëzimi i punës dhe përpjekjeve 3-vjeçare. Këto vite studimi në UET kanë ikur shumë shpejt, por kanë lënë shumë gjurmë dhe kujtime brenda nesh. Të studiosh nuk është kurrë e lehtë, por fakti i të pasurit mbështetje nga një staf i kualifikuar dhe i gatshëm për të qëndruar pranë e bën atë më të thjeshtë. E kjo më mjafton mua të falenderoj nga zemra zotin Henri Çili, që më hapi dyert e universitetit, duke më ofruar bursë për studimet e mia”.

Ervisa Gjinika: Është zgjedhja më e mirë që kam bërë

“Kur duhej të vendosja për studimet e mia, Juridiku ishte një zgjedhje e rastësishme, tani mbasi kam studiuar tre vjet mund të them me bindje se ishte zgjedhja më e mirë që kam bërë. Të bëhesh jurist sot në Shqipëri nuk është e vështirë, por të diplomohesh në Universitetin Europian të Tiranës është një privilegj për mua dhe kolegët e mi. Do të doja të falenderoja stafin e përkushtuar të Universitetit Europian të Tiranës, që na ka ndjekur hap pas hapi derisa arritëm këtu në diplomimin e sotëm”.

Neida Cunaj: Falë pedagogëve arritëm tek ekselenca

“Ishte thjesht rastësi që ne të pesta studente ekselence jemi nga i njëjti grup, por kjo s’do të thotë që profesionistë në fushën e drejtësisë nuk do të dalin edhe nga grupet e tjera. Megjithatë, më lejoni që një përshëndetje të veçante t’ia kushtoj grupit 301. Një mirënjohje speciale i shkon dhe familjes sime për mbështetjen që më kanë mundësuar gjatë këtyre viteve. Së fundmi, s’dua të lë pa përmendur edhe të gjithë pedagogët e Juridikut, falë përkushtimit dhe profesionalizmit të të cilëve ndodhem sot këtu”.

Pranvera Ajdinaj: Ta përfundojmë nismën në UET

“Rruga drejt arritjes së synimit kërkon ende shumë mund dhe përkushtim, por ky fillim i mbarë do të na japë forcë për ndjekur po kaq intensivisht studimet në Master dhe Doktoraturë, sepse diploma “Bachelor” shënon fundin e etapës së parë, por edhe fillimin e një faze tjetër, akoma më të rëndësishme për të gjithë ne. Uroj që këtë nismë, të cilën e kemi marrë së bashku, të vazhdojmë ta përfundojmë së bashku po këtu në UET. Falenderoj gjithashtu të gjithë pedagogët e mi të Fakultetit Juridik”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›