Mbrëmja e kapeleve të kaltra, UET, diplomon studentët
Kapele të kaltra të hedhura në ajër, vajza të bukura që dinë të jenë edhe të shkëlqyera, sigurisht edhe parfum, rimel e ndonjë aktrim tek-tuk e ka pasur, por nuk ka qenë një pjesë teatrale ajo që është luajtur mbrëmë në skenën e Teatrit Kombëtar. Ka qenë një akt tjetër, ai i diplomimit të studentëve bachelor dhe master të Universitetit Europian të Tiranës. Ceremonia e diplomimit bëhej bashkë me 5-vjetorin e këtij institucioni të arsimit universitar privat, për t’u kthyer në një mbrëmje gala, që ka filluar në Teatrin Kombëtar e është mbyllur me festën në një prej komplekseve të periferisë së kryeqytetit. Gjithçka ka filluar me tingujt e Himnit kombëtar, që ka ngritur në këmbë lozhat, skenën dhe platenë e Teatrit Kombëtar. Moderatorja pas hapjes së ceremonisë së diplomimit ka ftuar Presidenten e UET, Dr. Teuta Dobi, për të përshëndetur me anë të fjalës së rastit. Dobi është ndalur jo vetëm te sfidat e një viti universitar, te falenderimet për studentët dhe prindërit e tyre që bënë të mundur shkollimin e bijve e bijave, por edhe te statusi i UET-it i potencuar së fundmi nga rankimi i kompanisë gjermane CHE. Në vazhdë të kësaj, Presidentja Dobi ka thënë: “UET ka afirmuar arritjet e tij në hapësirën shqiptare në: kualifikimin më të mirë të personelit në fushën e shkencave juridike, treguesit e punësueshmërisë në vend në fushën e shkencave ekonomike, diplomimin brenda afateve, cilësinë e mësimdhënies, publikimet më të mira shkencore në të tre fakultetet, reputacionin në kërkimin shkencor, reputacionin në arsim, infrastrukturën më të mirë si dhe orientimin ndërkombëtar në fushën e shkencave sociale”. Dekanët e fakulteteve të UET-it, që janë ngjitur në skenë pas Dobit, kanë përshëndetur dhe kanë ftuar me radhë Studentët e Ekselencës. Ky, me sa duket, përveçse 5-vjetori i Universitetit Europian të Tiranës, ka qenë edhe 5-vjetëshi i vajzave: të gjitha fitueset e diplomave magna cum laude dhe summa cum laude kanë qenë të gjinisë femërore. Studentet e Ekselencës kanë përshëndetur me radhë, për t’ia lënë vendin një intermexoje me muzikë klasike. Klasikja ka vazhduar edhe pas dorëzimit të diplomave për gjithë studentët bachelor dhe master të kurorëzuar në këtë 5-vjetor. Himni i Gëzimit i Beethovenit fillon dhe bashkë me të fishekzjarrët dhe një det i kaltër kapelesh.