HISTORI: Rrëfimi i studentëve të veçantë, nga vajza me shami te misi
Të ndryshëm, por të barabartë; të veçantë, por të bashkuar. Kështu mund të përkufizohet bashkëjetesa e studentëve të Universitetit Europian të Tiranës, që ka mbledhur bashkë të rinj e të reja, nga brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, pa diferencuar asnjë prej tyre. Sikurse e kanë bërë traditë tashmë, vajzat me shami që kanë vijuar studimet në UET, tregojnë se nuk janë ndjerë aspak të diskriminuara dhe se kanë mbaruar me rezultate të larta. Njëra prej vajzave me shami në UET, që është diplomuar për Juridik, Rovena Pujani, pas diplomimit është shprehur se të studiosh në UET nuk është vetëm një privilegj, por edhe sfidë. “Sfida është në cilësi dhe performancë. Përveç këtyre kritereve, nuk jam ndeshur me asnjë formë tjetër të vlerësimit”, - ka pohuar studentja. Ndërsa pyetjes nëse është ndjerë e diskriminuar nga shamia, ajo me kënaqësi i është përgjigjur: “Nuk kam pasur asnjë lloj diskriminimi, cilësia na diferencon”. Një tjetër student që ka spikatur në UET ka qenë edhe ai nga Mali i Zi, Driton Sinishtaj, që falë një burse studimi të ofruar nga universiteti ka përfunduar me rezultate të mira studimet pranë tij në degën Marrëdhënie ndërkombëtare. “UET më ka mundësuar një bursë sociale. Ishte një kënaqësi për mua të isha pjesë e këtij universiteti. Shpresoj se do të jem edhe për 2 vitet e ardhshme. Me ardhjen në UET bëra zgjedhjen më të mirë të jetës sime. Jam ndjerë shumë mirë me çdo gjë që më është ofruar”, - është shprehur studenti nga Mali i Zi. Po kaq “pikante” ka qenë për Universitetin Europian të Tiranës edhe vajza që rrëmbeu kurorën e më të bukurës së Shqipërisë në vitin 2007, Irsa Demneri, së cilës UET i ofruar një bursë për personat publikë, që ajo e ka pranuar me kënaqësi, për të vijuar studimet pranë tij për degën Financë-Bankë. Në përfundim të studimeve me rezultate të mira, bukuroshja rrëfen me kënaqësi se ka thyer paragjykimin se një vajzë mis nuk duhet të ketë rezultate të larta. “Jam ndjerë në një ambient shumë të ngrohtë, ku më ka përqafuar dija dhe fryma për mësim nga pedagogët. Kam thyer paragjykimin që një vajzë mis nuk duhet të ketë rezultate të larta, por që unë u kam ndryshuar dyfish mendimin pedagogëve, pasi edhe studimet i kam mbaruar me rezultate shumë të mira”. Sipas misit të 2007-s, që vazhdon të jetë përsëri po kaq e bukur edhe pas gati katër vitesh, gjëja e veçantë për të në UET është se pedagogët kanë qenë shumë të hapur me studentët për të folur për çdo problem.