E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juristët: Kundër prekjes së imunitet të prokurorëve

Grupi i punës i Kuvendit të Shqipërisë, ka zhvilluar dje një seancë dëgjimore me specialistë të fushës juridike

Kufizimi i imunitetit duhet të bëhet vetëm për kategorinë e ministrave dhe deputetëve. Kjo ka qenë pika e vetme ku, ekspertët e fushës juridike, janë bashkuar në qëndrimet e tyre gjatë seancës dëgjimore që kanë zhvilluar dje me përfaqësues të grupit të punës së Kuvendit të Shqipërisë që po punon për hartimin e një draft-propozimi, për kufizimin e imunitetit, ndërkohë që janë treguar të prerë kundër përfshirjes në këtë proces edhe të kategorive të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nga ana tjetër, zëvendësministri i Drejtësisë, në emër të Qeverisë, është shprehur se, kufizimi i imunitetit mund të arrihet edhe nëpërmjet një ligji të veçantë pa qenë nevoja e ndryshimit të Kushtetutës.

Ekspertët

Profesori i fushës juridike, Aleks Luarasi, dhe pedagogët e fakultetit Juridik, Vasilika Hysi, Aurela Anastasi dhe Evis Alimemeti, kanë dhënë vlerësimet dhe sugjerimet e tyre para grupit kuvendor të punës, në lidhje me debatin për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Pavarësisht këmbënguljes së bashkëkryetarit të këtij grupi pune, Ilir Rusmajli, për të imponuar qëndrimin e tij për kufizimin e imunitetit edhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pothuajse të gjithë ekspertët në bllok, janë shprehur kundra shtrirjes së kufizimit të imunitetit tek këto kategori, duke theksuar se, situata aktuale politike, është ende e brishtë dhe nuk garanton një mbrojtje të këtyre nëpunësve nga presionet që mund të vijnë për shkak të ushtrimit të detyrës. “Prokurorët duhet të kenë imunitet, ashtu si edhe gjyqtarët për t’u mbrojtur pikërisht nga sulmet dhe presionet që mund të vijnë edhe nga politika, por edhe nga eprori i tyre”, - tha profesor Luarasi, një qëndrim që u mbështet fort edhe nga juristët e tjerë. Ndërkohë që, qëndrime të përafërta, kanë mbajtur edhe për masën e ndërhyrjes apo kufizimit të imunitetit. Kështu, sipas pedagoges së Juridikut, Evis Alimemeti, duhet të bëhet përcaktimi i kufizimit të imunitetit për një sërë çështjesh, apo veprash të ndryshme, duke veçuar ato që bëhen për shkak të veprimtarisë Kuvendore. Pika ku duket se kanë qenë krejtësisht të ndarë, ka qenë ajo që ka të bëjë me mënyrën e realizimit të këtij kufizimi. Fillimisht, të gjithë specialistët e fushës juridike, janë shprehur të rezervuar për realizimin e kësaj, me anë të ndryshimit të Kushtetutës. Por në momentin që deputeti Pandeli Majko, ka kërkuar prej tyre një qëndrim të prerë në lidhje me këtë debat, të gjithë ata kanë ndryshuar qëndrim, duke bërë të qartë se, kufizimi, mund të bëhet vetëm me ndryshim Kushtetues, por duke evidentuar se një gjë e tillë nuk është pozitive për ligjin themeltar të shtetit.

Qeveria

I një qëndrimi krejt të ndryshëm, jo vetëm me pjesën e ekspertëve, por edhe të vetë mazhorancës, ka qenë përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave, zëvendësministri i Drejtësisë, Viktor Gumi, i cili ka deklaruar se, kufizimi i imunitetit për parlamentarët, mund të bëhet pa prekur Kushtetutën, por nëpërmjet një ligji organik që të miratohet me një shumicë të cilësuar votash, prej 3/5. Sipas tij, ky është dhe thelbi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias për këtë çështje. “Unë hyj në radhët e atyre juristëve që besojnë që kjo gjë mund të realizohet pa ndryshimet kushtetuese, por me një ligj të miratuar me 3/5 të votave”, - tha zëvendësministri i Drejtësisë, Viktor Gumi. Ndërkohë, ai ka sugjeruar si një model të mirë për t’u ndjekur në fushën e kufizimit të imuniteteve, rastin e Kosovës, e cila, sipas tij, ka bërë një përcaktim shumë të mirë të imunitetit të parlamentarëve dhe qeveritarëve në Kushtetutë.

OSBE-ja: Deputeti të mbajë përgjegjësi ligjore kur shan apo shpif

Ndërhyrja në Kushtetutë duhet t’i shërbejë klasës politike shqiptare, jo vetëm për kufizimin e imunitetit, por edhe për ndryshimin e statusit të deputetit, për sa i përket papërgjegjshmërisë së deputetëve në lidhje me ato që shprehin, gjatë funksionit të tyre si përfaqësues të popullit. Propozimi ka ardhur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), e cila i ka sugjeruar dje grupit parlamentar të punës që po merret me hartimin e një drafti, që do të shërbejë për kufizimin e imunitetit, që të përcaktojë një ndërhyrje edhe për sa i përket kësaj çështjeje. Përfaqësuesi i OSBE-së, Julian Hodaj, i ftuar dje në këtë diskutim së bashku me një pjesë të ekspertëve të jurisprudencës, ka theksuar se, përveç kufizimit të imunitetit, ka ardhur koha që, deputetët shqiptarë, të mbajnë përgjegjësi edhe për ato çka thonë, apo shprehin në Kuvend dhe jashtë tij. Kështu, sipas tij, duhet të bëhet një ndarje e rasteve kur deputeti duhet dhe nuk duhet të mbajë përgjegjësi për ato që shpreh. “Duhet të ndërhyhet dhe të papërgjegjshmëria e deputetëve. Jo të gjitha mendimet e shprehura, janë pjesë e papërgjegjshmërisë së Kuvendit. Sensi i përgjegjshmërisë është që deputeti gëzon papërgjegjshmëri edhe për ato mendime që shpreh në funksion të mendimeve të tij. Duhet të rikonsiderohet pika një, në sensin që, deputeti e meriton të jetë i mbrojtur për të gjitha mendimet që i shpreh, pavarësisht se ku i shpreh, por gjithmonë me ato mendime që kanë lidhje me ushtrimin e funksionit të tij”, - tha Hodaj. Ndërkohë, sipas tij, deputeti duhet të mbajë përgjegjësi për të gjitha rastet kur shpif apo shan një deputet, apo një individë tjetër, qoftë ky me imunitet apo jo. Sipas tij, situatat e fundit në Kuvend, kanë bërë të domosdoshme një ndërhyrje të tillë edhe në këtë aspekt, për t’i prerë rrugën çdo skene të papëlqyeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›