Ndoka: Mocion për shkarkimin e Topallit
TIRANË - Konflikti i vazhdueshëm midis Jozefina Topallit dhe Kryetarit të PDK-së, Nard Ndoka, ka bërë që ky i fundit të kërkojë shkarkimin e saj. Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, Ndoka ka qenë i ashpër në qëndrimin e tij, duke theksuar se, për pushtet, Jozefina Topalli nuk pranon asnjë rregull demokratik. “Duke ditur mirë se në ambiciet e saj për pushtet, znj. Topalli nuk pranon asnjë rregull demokratik, siç është dorëheqja, e ftoj parlamentin të gjejmë mekanizmat kushtetuese për largimin sa më parë të saj dhe kështu, për kthimin e dinjitetit të humbur të kryesisë së parlamentit”, - tha ai në fjalën e tij. Si një institucion i rëndësishëm kushtetues, parlamenti, prej kohësh, sipas tij,po cenohet në të drejtat dhe detyrat e tij kushtetuese nga Kryetarja e Kuvendit, që për kryetarin e PDK-së, ka humbur çdo të drejtë morale për përfaqësimin dhe drejtimin e parlamentit. Duke akuzuar Jozefina Topallin për minimizim të jetës parlamentare, Ndoka ka listuar një sërë akuzash në lidhje me konfliktet e hapura dhe të vazhdueshme, që ka shkaktuar Topalli me institucionet kushtetuese, për dobësimin e rolit të parlamentit në raport me pushtetet e tjera, por gjithashtu edhe për kritikat e shumta ndërkombëtare në drejtim të saj. Së fundmi, Kryetari i PDK-së, kujtoi refuzimin që u bëri Topalli diplomatëve perëndimorë për të qenë prezent në raportimin e Kryeprokurores Ina Rama, por edhe tentativat e Kryetares së parlamentit për të mbajtur peng hetimet e Gërdecit dhe heqjen e imunitetit të deputetëve të akuzuar lidhur me të. Në mbështetje të këtyre argumenteve, Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, u bëri thirrje deputetëve që ta mbështesnin në nismën e tij për të larguar Jozefina Topallin nga posti i Kryetares së Kuvendit.