E Diel, 1 Nëntor 2026

Juristët: S’mund të shoqërohej në polici një nënë me fëmijë

• TIRANE - “Davita Bushati s’mund të shoqërohej në polici derisa kishte një fëmijë në gji”.Avokatë të njohur kryeqytetas e quajtën dje skandal shoqërimin në polici të 26-vjeçares Bushati  dhe bashkëshortit të saj, Besnik Bushati, të akuzuar nga fqinjët për vjedhjen e një lope. Duke pohuar se për më tepër të dy bashkëshortët ishin prindër të katër fëmijëve, më i madhi vetëm gjashtë vjeç, dhe se vepra për të cilën akuzoheshin ata mund të ishte vetëm një tentativë, pasi lopa ishte gjetur pak minuta pas denoncimit të pronarit të saj, juristët thanë se policia e shumta që mund të bënte në këtë rast ishte t’i pyeste në banesë ata. Por edhe pas shoqërimit të bashkëshortit Besnik Bushati, në asnjë mënyrë policët nuk duhet të shoqëronin gruan e tij, qoftë edhe për pak minuta. Sipas juristëve kryeqytetas, një nënë me fëmijë në gji mund të shoqërohej apo arrestohej vetëm nëse kishte prova të mjaftueshme për kryerjen e një krimi të rëndë që parashikon një dënim minimal 10 vjet burg. Sipas tyre, ndaj policëve të komisariatit të Mamurrasit duhet të ngrihet akuza e kryerjes së veprimeve arbitrare, të cilat kanë sjellë vdekjen e një foshnje. Ç’ka do të thotë se nëse gjenden fajtorë, këta rrezikojnë të marrin dënime maksimale, pasi kryerja e veprimeve arbitrare ka sjellë pasoja të rënda. Juristët pohojnë se, duhet të ndodhte një skandal i tillë që të publikohej në media pasi përditë në komisariatet e policisë shoqërohen qytetarë të pafajshëm, vetëm se policët nuk dinë të kryejnë procedura verifikimi në rrugë, banesat e qytetarëve, apo në ambiente publike. Këto skandale janë denoncuar herë pas here, por që askush nuk i ka vlerësuar pasojat e tyre.                                       fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›