“Pse dhashë dorëheqjen para vizitës së Bush”
• Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, flet për herë të parë për rrethanat në të cilat dha dorëheqjen 10 ditë para se të udhëtonte në SHBA, ku do të takohej me sekretaren e Shtetit, Kondoleza Rajs.Lutfi DervishiNë një intervistë mbrëmë në emisionin “Përballë” në TVSH, deputeti i PD-së, flet edhe për miqësinë e prishur me kryeministrin Berisha, propozimin e Nanos në 90-ën për t’u bërë ministër, si dhe akuzon PD-në se po rreshket majtas. Vihet re se sa herë një njeri me pushtet jep dorëheqjen, ndoshta nisur edhe nga rasti i fundit i zotit Brokaj, gjen mirëkuptimin e opinionit dhe ndez dëshirat e grupit që synon pushtetin? Dorëheqjet asnjëherë nuk të lënë shteg për komente negative. Ky ka qenë dhe rasti i dorëheqjes suaj muaj më parë?Shiko, shqiptarët thonë rasti rastit nuk i ngjan. Aristoteli, 4000 vjet para lindjes së Krishtit, pra 2400 vjet më parë thotë se çdo përgjithësim e përmban në vetvete mundësinë e gabimit. Pra në këtë kuptim nuk do të doja të krahasoja rastin tim me asnjë rast tjetër për të qenë në rregull edhe me filozofinë popullore shqiptare, por edhe me estetikën klasike, megjithëse më përmendët në paraqitjen tuaj edhe si letrar. Në rastin kur unë kam dhënë dorëheqjen, ndofta edhe për arsye të faktit se unë nuk dhashë ndonjë shpjegim të hollësishëm lidhur me arsyet që më çuan drejt një vendimi të tillë, i cili nuk është një vendim i lehtë, duhet thënë. Thashë se vetëm isha i lodhur dhe për këtë arsye pati komente nga më të ndryshmet, pati nga ata që donin pushtet dhe që e komentuan sipas mënyrës së tyre, pati nga ata që ishin dashamirësit e mi dhe që bënë interpretime të ndryshme të termit “u lodha”, pati edhe nga ata që nuk ishin dakord dhe nuk janë dakord me Berishën dhe me qeverisjen gjatë këtyre dy vjetëve dhe të gjithë këto bënë komentet e tyre dhe kërkuan argumentet e tyre. Pra, në këtë kuptim unë mund të them se dorëheqja ime nuk mbeti dot në thelb një vendim privat, nuk prisja që të mbetej në sferën e një vendimi privat. Eshtë normale që ikën ministri i Jashtëm dhe momenti që ika unë nuk ishte një moment i thjeshtë, ishte vetëm 10 ditë përpara se unë do të duhet të shkoja për vizitë zyrtare te sekretarja e Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm një muaj e një javë përpara vizitës së presidentit Bush në Tiranë, vizita për të cilat unë kisha punuar me aq sa më takonte dhe që kisha si të thuash kënaqësinë e realizimit të tyre. Për të gjitha këto arsye u komentua shumë, por ajo ç’ka mua më qetëson është se në asnjë koment të dashamirësve të mi apo të dashakëqijve të mi, të dashamirësve të qeverisë apo dashakeqësve të qeverisë, nuk u tha se iku nga dështimi apo iku nga ndonjë skandal.Dorëheqja, më shumë se një akt qytetarie apo përgjegjshmërie siç përkufizohet më së shumti këto kohë, mund të jetë një akt proteste, po aq dhe kapitullimi. Në deklaratën tuaj të “largimit” ju cilësuat “ lodhjen” shkak të dorëheqjes. Jeni penduar sot për këtë artikulim apo ka qenë i mirëmenduar? Me aq sa mundesha unë atëherë të mos flisja dhe insistoj te termi të mos flisja, ai ishte më i gjeturi. Në këtë kuptim unë dhashë aq sa mund të jepja nga komunikimi konfidencial me kryeministrin, por në publik aq kisha vendosur të jepja, aq dhashë dhe mendoj se ishte maksimumi i mundshëm dhe nuk kam asnjë redaktim për t’i bërë atij shpjegimi.A mund të thoni sonte diçka më tepër rreth komunikimit konfidencial që keni pasur me kryeministrin, në ato momente të vështira?Shiko, diplomacia të mëson një gjë, të mëson se arkivat hapen shumë më vonë se ç’është jeta e një diplomati.Po, por për çështje jashtëzakonisht të rëndësishme!Për të gjitha në përgjithësi.Ndërkohë ju e përmendët se “dorëzuat” ministrin e Jashtëm pikërisht në prag të vizitës së parë në Shqipëri të një presidenti amerikan në detyrë, në qershor të 2007-ës. Humbja e këtij shansi mund të konsiderohet si një “verë pa kthim” në karrierën tuaj? Jo, nuk mund të konsiderohet si një “verë pa kthim” sepse unë nuk kam hequr dorë nga politika, por kam hequr dorë nga pushteti përkohësisht. Në këtë kuptim unë dua të jemi të qartë ne të dy që po flasim, por të gjithë teleshikuesit që na ndjekin sonte, se unë e mora atë vendim jo si një kapriço e momentit, jo dhe pasojë e një sherri unik të vetëm me kryeministrin, por unë kisha arritur një pikë prej disa muajsh, kisha arritur një pikë që nuk doja më të punoja në ekipin qeveritar të Berishës. Dhe unë kisha disa zgjedhje: mund të duroja dhe shkoja dhe të merrja ato dafina të vizitës në Departamentin e Shtetit, se ishte vizita e parë e një ministri të Jashtëm, një vizitë e mirëpritur në Departamentin e Shtetit të ministrit të Jashtëm shqiptar, vizitë serioze dua të them jo një takim pune, por një vizitë e qëllimtë. Unë kisha pasur takim edhe një vit më parë, më 14 shkurt të 2006-ës në Uashington në Departamentin e Shtetit me sekretaren Kondoleza Rajs. Unë prisja këtë, realisht isha lodhur nga shumë gjëra dhe prisja të jepja dorëheqjen pas vizitës në Departamentin e Shtetit dhe pas vizitës së presidentit Bush. Në atë rast duke njohur paranojat që kemi ne, kapacitetet që kemi ne si komb për paranoja, mendova se do të thoshin: “...i kanë thënë në Departamentin e Shtetit”. Përtej vizitës, unë prisja dhe vizitën e presidentit Bush. Por kjo do të ishte e pandershme nga ana ime që të prisja të merrja gjithë ato dekoratat që meritonte një vizitë e tillë shtetërore në Shqipëri dhe pastaj të ikja. Pra, unë në këtë rast gjithë sakrificën e kam bërë vetëm për veten time. Kam ikur në një moment kur isha në pikun e sukseseve të mia si ministër i Jashtëm.Megjithatë duket se politika nuk ju ka lodhur ende. Deputet 31 vjeç, ambasador i Shqipërisë në Francë në moshën 33-vjeçare, ministër i Jashtëm në moshën 47-vjeçare, tashmë jeni vetëm anëtar i Parlamentit. Një karrierë e admirueshme, por me ulje–ngritje të natyrshme për një politikan. Cila do të jetë e ardhmja juaj politike pas këtij grafiku në karrierë?Unë e kam ...një gjë ja di për nder vetes. Ja di për nder vetes që asnjëherë nuk jam treguar i paduruar. Kjo vjen nga fakti se politika mua më pëlqen shumë, por joshja apo etja për pushtet nuk më shtin drejt gabimeve, të paktën deri më tani nuk më ka shtyrë në gabime të pakorrigjueshme. I pari njeri që më ka propozuar për t’u bërë ministër, ishte Fatos Nano, përpara pluralizmit.Në vitin ‘90?Përpara pluralizmit, kur Fatos Nano vajti në qeveri në ’90-ën, kur vajti si sekretar i Përgjithshëm, më ka bërë ftesë të shkoj në Ministrinë e Kulturës. Pastaj kur krijoi më ‘91-in qeverinë e tij që fitoi zgjidhjet Partia Socialiste, në atë kohë Partia e Punës dhe unë isha ndërkohë deputet i Partisë Demokratike, më ka propozuar sërish të jem ministër në qeverinë e tij sepse ai donte të zgjeronte qeverinë dhe unë përsëri nuk kam pranuar. Kur u krijua qeveria e Stabilitetit Kombëtar në qershor të ‘91it, pas përmbysjes së qeverisë “Nano”, unë isha deputet dhe më është propozuar të futesha në qeveri, atëherë u futën shumë shokë të mi, mes të cilëve edhe Preç Zogaj, unë nuk pranova. Më ’92-in kur ne fituam, më është propozuar të futem në qeveri, madje të gjithë agjencitë botërore... unë isha jashtë në momentin që po krijohej qeveria dhe unë kam qenë jashtë kur isha kandidat për ministër të Jashtëm dhe këtë e kam lexuar nga “Reuters”, “AP”, “AFT”...Pse keni refuzuar në atë kohë për të qenë ministër i Jashtëm?Sepse më dukej se isha shumë i ri dhe nuk kisha eksperiencën e nevojshme dhe qartësinë e nevojshme për ta ushtruar atë pushtet shumë të madh. Në këtë kuptim unë kam ditur të them jo. Siç kam ditur të them jo në vitin 1997, kur unë kam dhënë dorëheqjen ditën që zoti Meidani mori funksionin si president dhe kam pasur oferta për të qëndruar në trupin diplomatik si ambasador dhe kam refuzuar. Kam pasur oferta nga presidenti Meidani në atë kohë dhe kam refuzuar. Pra, në të gjitha rastet unë jam i qetë me ndërgjegjen time sepse vendimin nuk e kam marrë i joshur nga privilegjet, por vendimet i kam marrë i joshur nga besimi në vete dhe nga ideja së cilës i shërbeja. Në këtë kuptim unë nuk them jo, mbaroi jeta ime në politikën shqiptare, sepse mua politika më pëlqen, nuk them jo. Oferta e fundit që pata në funksionet e larta të shtetit shqiptar ishte ministër i Jashtëm dhe nuk them jo, sepse nuk jam i sigurt se nesër mund të mos pranoj një post të rëndësishëm, por jam i sigurt për kushtet në të cilat unë do të vendos që nuk do të jenë kushte kundër vizionit tim, nuk do të jenë kushte kundër idesë që unë mbroj për shoqërinë shqiptare dhe për të ardhmen e Shqipërisë dhe nuk do të jetë më miqësi ajo që do të diktojë.Pas dorëheqjes keni deklaruar se keni marrëdhënie korrekte institucionale me kryeministrin dhe kryetarin e Partisë Demokratike z. Berisha. Ju keni qenë miq. “Më mirë një mik se një çiflig”, thotë një fjalë e urtë. Kaq i lartë qenka çmimi i pushtetit sa ja vlen të sakrifikohen miqësitë e vjetra?Unë mendoj se kjo pyetje duhet t’i bëhet Berishës. Unë tek Berisha përpara se të jetë një lider i rëndësishëm politik kam pasur një mik, por unë dua të them me njëlloj kënaqësie se nga dhjetori i ‘90ës, pra të themi nga java e parë pas krijimit të Partisë Demokratike, sepse në krijimin e Partisë Demokratike kemi qenë të barabartë. Pra, pas javës së parë të Partisë Demokratike kur ai u identifikua si i parë mes nesh që po krijonim Partinë Demokratike, unë e kam pranuar atë për lider dhe e pranoj deri në këto momente që po flasim bashkë, por deri në momentin që unë kam dhënë dorëheqjen i gjithë bashkëpunimi im me të ka qenë i mbështetur në dy kolona, një kolonë e respektit dhe luajalitetit ndaj liderit të cilin e kam edhe tani dhe një kolonë miqësie. Miqësia u prish. Mbeti raporti midis një personaliteti të Partisë Demokratike, që jam vetë, nuk dua të bëj modestin këtu sonte, dhe kryetarit të Partisë Demokratike, që është zoti Berisha. Pra, vazhdon të funksionojë kjo gjë dhe ky bashkëpunimi ynë sot dhe në vazhdim dhe që nga dorëheqja është i mbështetur në këtë kolonë....Për të bërë miqësi duhen dy palë. Për ta prishur ndoshta kërkohen dy palë. Ky është dhe rasti juaj?Nuk do të hyj në bisedat e miqësisë, sepse nuk e kam bërë dhe nuk do ta bëj këtë bisedë. E rëndësishme është se në Partinë Demokratike Berisha ka nevojë për bashkëpunimin me mua, siç edhe unë e pranoj atë për kryetar. Në këtë kuptim, ne kemi një ekuilibër normal, që na bashkon te Partia Demokratike...Por a ka një komunikim normal?Komunikimi është shumë normal brenda grupit parlamentar, ka qenë shumë normal brenda strukturave të Partisë Demokratike, por i mungon temperatura që ka pasur më përpara. Kaq.A keni qenë ndonjëherë mik me Kadarenë?Nuk kam qenë asnjëherë mik me Ismail Kadarenë, por kam qenë një admirues i vendosur i një pjese thelbësore të veprës së Kadaresë, që janë disa nga romanet e tij që mendoj se janë pasuri e pazëvendësueshme në bibliotekën e letërsisë shqiptare. E kam kuptuar dhe e kam justifikuar gjithë ambiguitetin e sjelljes politike të Kadaresë në diktaturë. Madje, mua më janë dukur gjithmonë naive disa teori të Kadaresë se, kur kam shkruar romanin “Dimri i madh” apo kur kam shkruar poemën “Shqiponjat fluturojnë lart”, apo kur kam shkruar romanin “Koncert në fund të dimrit”, jam nisur nga qëllimi të jap një model, siç thotë vetë Ismail Kadareja, të jap një pasqyrë deformuese ose përmirësuese të diktatorit në mënyrë që ai të shohë dhe ta përmirësojë regjimin nga brenda. Kadareja ka qenë ai që kur ka shkruar romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, citonte Engelsin dhe e merrte si model për veten, shkrimtari kur arrin të përshkruajë si personazhe figurat e mëdha të historisë ka arritur pjekurinë e tij maksimale. Por unë kam qenë... në 1991 dua të kujtoj një moment, unë kam bërë dy gjëra që i kam bërë me koshiencë të plotë. Një, kur Ismailin e sulmuan egërsisht në maj të vitit 1991 kur do të kthehej këtu dhe kur unë kam bërë një shkrim që mendoj se ishte i rëndësishëm në shtypin shqiptar në atë kohë në “Rilindjen Demokratike”, kur po sulmohej nga disa prej këtyre që e lajkatojnë sot maksimalisht dhe që më sulmuan edhe mua për shkak të këtij shkrimi. Po ashtu në ’91-in kam bërë një shkrim në gazetën “Le Monde”, është një shkrim që ka ndikuar në uljen e një sulmi masiv që po i bëhej në Francë, i kryesuar nga Bernard Henri Levy, filozof, shkrimtar e çfarë të doni ju, shumë autoritar në Francë dhe në gjithë Evropën e më gjerë, i cili e sulmonte Ismailin për bashkëpunim me regjimin e mëparshëm. Dhe unë kam bërë një shkrim polemik me Bernard Henri Lévy, botuar në gazetën “Le Monde”, kjo ekziston, më janë përgjigjur, më kanë sulmuar në “Le Monde”, por që unë kam hyrë në atë polemikë me ndërgjegje të plotë sepse Kadareja është një shkrimtar që nuk mund të rrëzohet nga historia e letërsisë shqipe, pse Kadareja publik ka defektet e tij dhe bën gjëra që nuk i shkojnë dimensioneve të letërsisë së tij dhe as moshës, por këto i falen shkrimtarit, i harrohen.A ka pasur ndonjë tentativë nga miqtë tuaj të përbashkët për të sqaruar, apo për të bërë një pakt për të mos ngritur shigjetat e kritikës në publik?Unë nuk e kam kërkuar një gjë të tillë, nuk më është ofruar një gjë e tillë sepse unë vazhdoj të mbetem një lexues i pakondicionuar i 5 apo 6 romaneve të Ismailit. Natyrisht që unë ndjej një keqardhje kur shoh veprën e tij të shkruar pas viteve ‘90, e cila në rastin më të mirë është mesatare dhe përgjithësisht është mediokre. Proza dhe eseistika e tij e shkruar pas rënies së komunizmit është një ...Edhe “Pasardhësi”...Eshtë një çudi e madhe me Kadarenë, që në të gjitha rastet që njoh është i vetmi shqiptar që nuk ka mundur të përshtatet me lirinë. Nuk ka mundur që lirinë ta kthejë në favor të imagjinatës së tij dhe kjo është një keqardhje që kam unë për Kadarenë, por Kadareja është i mjaftueshëm. Një shkrimtar që ka shkruar “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” apo “Kronikë në gur” edhe sikur të mos shkruante më asnjë libër, do të ishte shkrimtar i madh.Pas viteve ‘90 ne kemi “Pasardhësin”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”...Janë romane mediokre. Nuk ta merr mendja. Kërkush... një lexues i zellshëm i vëmendshëm nëse nuk do ta njihte Kadarenë në vazhdimësi, nuk mund ta besonte që “Lul Mazrekun” e ka shkruar ai që ka shkruar “Pallatin e ëndrrave”, apo “Kronikë në gur”. Janë gjëra mediokre. Këta mund t’i shkruajë një shkrimtar... nuk po përmend emra, por janë vepra krejtësisht mesatare dhe spekulative..Ju jeni shprehur se, jeni personi që i keni propozuar zotit Berisha idenë e KOP-it (Komitetit të Orientimit të Politikave). Një proverb anglez thotë: “Të provosh ilaçin që ke prodhuar vetë”. Kjo ishte ideja juaj fillestare që KOP–i të zhvendosej në ekzekutiv?Unë nuk e kam shpikur vetë atë. Komiteti i Orientimit të Politikave me të njëjtën emër ekziston te partia e Sarkozisë, ka qenë edhe te partia e Shirakut. Eshtë një strukturë konsultative që mbledh në gjirin e saj njerëz të mençur dhe të ditur, njerëz që kanë ide që lidhen me të djathtën, me qendrën e djathtë që është partia e Sarkozisë, ose gjithë partitë popullore evropiane në përgjithësi. Unë e kam propozuar dhe e kam mbështetur si ide dhe mendoj se Berisha bëri shumë mirë që e pranoi, sepse unë konstatoja se duke qenë një njeri që rri shumë më tepër se Berisha me njerëzit jashtë zyrës, në kafene, në restorante, kam një rreth miqësor shumë më pak eksploziv sa mund ta ketë një lider dhe unë shihja shumë njerëz të cilët donin, kishin të njëjtat ide me mua, si të isha një militant i Partisë Demokratike dhe po insistoj te fjala militant, por që nuk pëlqenin si të thuash të ishin militantë apo në pozicione partiake dhe unë ja kam propozuar Berishës. Kemi qenë bashkë pastaj në një konventë të partisë së Sarkozisë, kur Sarkozi po zgjidhje kryetar, ja kam ripërsëritur. Por dallimi që ekzistonte te partia e Sarkozisë po themi dhe te KOP-i ynë ishte se këtu u afruan me rekomandime apo drejtpërdrejt u afruan një numër të rinjsh shumë të zotë, por që njëkohësisht po vinin me idenë e pushtetit dhe ata zbuluan se Berisha kishte një kompleks ndaj tyre dhe e shfrytëzuan kompleksin e Berishës për ta spostuar Partinë Demokratike në shumë aspekte dhe për t’i marrë si të thuash, për ta depolitizuar administratën politike që në Kushtetutë dhe në ligj që të jenë pjesë e politikës. Pra, nuk po hyj te administrata publike dhe përfituan nga ky kompleks i Berishës dhe unë nuk kam qenë dakord, nuk po e them për herë të parë që nuk mund të depolitizohet qeveria. Qeveria është produkt politik, përderisa del nga zgjedhjet.Kur flisni për kompleksen e keni fjalën për...E kam fjalën për një kompleks të Berishës ndaj disa njerëzve me diploma, është një kompleks i Berishës ndaj 96-ës, e kam fjalën për disa aspekte që Berisha mendonte se e bënin të pëlqyeshëm. Për mua ka bërë gabim. Për mua vazhdon të bëjë gabim.Nuk ka të bëjë mosha.....Berisha është shumë i ri, në këtë aspekt...Një pjesë e mirë e kabinetit të parë ishin 35-vjeçarë... Berisha nuk ka komplekse moshe dhe Berisha ka një vitalitet që është vitalitet i një të riu. Në këtë pikë ai punon shumë më tepër se Lulzim Basha, ose Aldo Bumçi apo këta kopistët që kishim dhe kemi në qeveri. Si volum pune Berisha nuk përballohet dot. Berisha punon më shumë se gjithë ministrat dhe ky është avantazh i madh i tij. Berisha nuk ka komplekset e volumit. Berisha ka komplekset e dizanjit.Maxhoranca ka konsumuar më shumë se gjysmën e mandatit. Kë do të veçoni si suksesin më të madh të qeverisë së PD-së? Suksesi kryesor i kësaj maxhorance mendoj unë qëndron në forcimin e shtetit ligjor, në këputjen e lidhjeve të krimit të organizuar me politikën dhe nuk janë pak këto që ofrohen, në krijimin e qartë të kuadrit mbi të cilin do të lëvizë shoqëria drejt Bashkimit Evropian.Cili është dështimi më i madh i kësaj qeverie?Lufta ndaj korrupsionit. Eshtë një dështim që nuk e kisha besuar se do t’i ndodhte Berishës. Berisha a nuk deshi, a nuk mundi, por nuk po arrin ta luftojë korrupsionin.Rruga Durrës-Kukës konsiderohet si projekt i shekullit për Shqipërinë. Ju a e keni vizituar këtë rrugë?Unë e kam vizituar në pjesën nga Kukësi drejt Fanit, jo tunelin e Kalimashit. Jam absolutisht i bindur se është një projekt gjigand me dimensione ekonomike, politike dhe psikologjike për këtë rajon, Shqipëri-Kosovë e më gjerë.Nëse do të bënit avokatin e djallit, çfarë ka shkuar keq në këtë rrugë?Shiko, unë nuk jam nga ata që flas për gjëra që nuk i kuptoj. Unë kam firmosur disa nga vendimet e Këshillit të Ministrave që kritikohen sot. I kam firmos me bindje. Nuk jam nga ata burra që firmos një gjë pa e lexuar. Unë i kam firmos me bindje dhe i qëndroj kësaj. Nëse nuk janë respektuar procedurat, nëse nuk janë marrë parasysh standardet e kostos apo ku e di unë nga autoritetet publike...“Të rinjtë e KOP erdhën për pushtet”Unë nuk kam asnjë ngurrim të them se ata duhet të shkojnë përpara drejtësisë. Nuk jam unë ai që duhet të gjykojë sa kushton një metër tunel, ka inxhinierë, ka drejtorë, ka njerëz që merren me këtë punë.Në grupin parlamentar të Partisë Demokratike jeni shprehur kundër heqjes së imunitetit të z. Basha. Për çfarë arsyesh dolët kundër rrymës së maxhorancës në këtë rast?Kjo është në mbledhjen që është diskutuar në grupin parlamentar dhe nuk e kam thënë as para medias dhe as para Parlamentit, por vetëm para grupeve parlamentare të maxhorancës dhe nuk kam thënë jam kundër heqjes së imunitetit, kam thënë se unë nuk do ta deklaroj votën. Kur na u kërkua nga kryeministri të jepnim siguri se do të votohej për heqjen e imunitetit të zotit Basha, unë kam thënë dhe kam qenë vetëm për hir të së vërtetës në afro 80 deputetë sa ka maxhoranca, kam hedhur idenë dhe kam shtruar disa argumente. E para, nuk më dukej normale që ne të na kërkohej deklarimi i votës. Nuk deklarohet vota përderisa vota është sekrete. E dyta, unë kisha dy dokumente po i quaj, ose dy argumente të rëndësishme për të pasur dyshimet e mia. Unë jam parlamentar i vjetër, jam ndër 4-5 deputetët që janë që në vitin 1991 në Parlament. Kam eksperiencën dhe vetëdijen e deputetit të mjaftueshëm për të gjykuar me kokën time dhe aty mbështetur në dy argumente që na u ofruan: E para, raporti i komisionit të Imuniteteve firmosur nga kryetarja e Parlamentit zonja Topalli, ku mbyllej raporti me “shprehim bindjen tonë”, thotë komisioni se zoti Basha është i pafajshëm dhe së dyti, është paraqitja që bëri para gjithë grupeve të maxhorancës zoti Berisha, i cili në cilësinë e kryeministrit, pra njeriut që njeh gjitha faktet i dha garanci sërish deputetëve të maxhorancës se zoti Basha është i pafajshëm dhe pastaj na kërkoi t’i heqim imunitetin! Pse duhet ne t’i heqim imunitetin një njeriu, një deputeti, një kolegu për të cilin edhe komisioni i Imuniteteve edhe kryeministri mendojnë se është i pafajshëm. Unë nuk ia heq imunitetin një njeriu të pafajshëm. Dhe për këtë gjë unë u kërkova kolegëve të mi të mos deklarojnë votën, por të votojnë me ndërgjegjen e tyre vendimin që marrin.Ndoshta për hir të një angazhimi publik të maxhorancës që sa herë të ketë kërkesa nga Prokuroria për të hetuar çështje, që lidhen me korrupsionin, deputetët janë pa imunitet.Këtë gjë ne e kemi deklaruar në fillim të legjislaturës që në vitin 2005 se ne jemi pa imunitet përballë korrupsionit. Të gjithë deputetët e maxhorancës e kanë bërë këtë deklaratë. Së dyti, kur u hoq imuniteti i zotit Basha u fol se u vendos një standard. Asnjë standard nuk është vendosur me heqjen e imunitetit. Për mua standardin zoti Basha e vendosi në momentin që shkoi në Prokurori. Pra, ai kishte shkuar në Prokurori, mund të vazhdonte të shkonte në Prokurori duke e pasur imunitetin. Imuniteti, heqja e imunitetit në kushtet e bindjes që kishte kryeministri dhe komisioni i Imuniteteve në Parlament, heqja e imunitetit të zotit Basha ishte për mua vetëm një spektakël politik, asgjë tjetër. Për më tepër ia hoqëm imunitetin me të njëjtën kërkesë të firmosur nga Dhori Sollaku, e cila deri në ndërrimin e prokurorit të Përgjithshëm ishte quajtur akuzë politike. Atëherë nëse ishte politike kërkesa për heqjen e imunitetit nga zoti Sollaku, pse nuk e riformuloi prokurorja e re dhe të sillte argumente të tjera që nuk ishin politike mbi të cilat ne të gjykonim? Ne kishim refuzuar deri atëherë kërkesën dhe për mua më dukej një spektakël i pakëndshëm.Çfarë problemi ka që një deputet të jetë pa imunitet?Nuk ka asnjë problem. Problemi është moral.Po flitet shumë, të paktën që nga zgjedhjet lokale të vitit të shkuar, për ndarjen e posteve mes ekzekutivit dhe partisë. Në opinion një pjesë e drejtuesve të PD-së janë shprehur për një ndarje të detyrave, një pjesë tjetër për një përfaqësim të fortë politik në qeveri. Cili është opinioni juaj?Të dyja formulat janë demokratike. Unë kam qenë në qeveri në atë kohë kur kryeministri Berisha është shprehur për ndarjen e këtyre posteve. Unë kam thënë se, kjo nuk është aspak demokratike që Ridvan Bode të jetë edhe sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike edhe ministër i Financave, por problemi është që në qeveri Ridvan Bode, bie fjala, ndjehet apo nuk ndjehet edhe sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, d.m.th., reflekton në analizat dhe vendimet që merr ai lidhur me financat, me politikën financiare, me politikën e taksave, me buxhetin e ku e di unë me të gjitha. Ndjehet apo jo që është figura numër dy e një partie të qendrës së djathtë, pra reflekton një filozofi të qendrës së djathtë, apo hiqet si një njeri teknicien apolitik. Unë nuk jam as për ndarjen e as për mbajtjen e tyre në mënyrë të prerë. Për mua të dyja janë formula që janë demokratike. Ka eksperienca në të gjitha format e këtyre dy varianteve. Nëse do të ndahen, të ndahet edhe posti i kryetarit të partisë. Nuk ka asnjë arsye që sekretari i Përgjithshëm të quhet i papajtueshëm me qenien në qeveri dhe kryetari i partisë të quhet i pajtueshëm. Ne kemi disa modele edhe te partitë shqiptare në Ballkan qoftë në Maqedoni, qoftë në Kosovë ku kryetari i partisë nuk ka marrë poste në qeveri. Siç kemi edhe këtë tjetrin ku kryetari partisë bëhet kryeministër, rasti i Thaçit, rasti i Berishës, rasti i Fatos Nanos, pra i kemi të dy formulat kemi rastin Fatos Nano jo kryeministër, Pandeli Majko apo Ilir Meta kryeministër. Pra, të gjitha janë formula të provuara si demokratike.Por zakonisht kanë funksionuar këta ku kryetari i partisë ka marrë përgjegjësitë ekzekutive.Nëse vendoset duhet të jetë për gjithë piramidën, nëse nuk vendoset, atëherë le të jetë rast pas rasti. Mund të dua të jem në parti dhe jo në qeveri, një tjetër mund të dojë të jetë në qeveri dhe jo në parti. Domethënë në këtë kuptim unë jam nëse vendoset si kriter duhet të kapë gjithë piramidën e Partisë Demokratike që nga kryetari e deri te sekretarët e zakonshëm, që ka shumë sekretarë Partia Demokratike. Nëse nuk do të vendoset për të gjithë, nuk duhet të vendoset për të gjithë.Jeni shprehur për një riformatim të së djathtës. Si e shikoni ju të djathtën e ardhshme, në një kohë kur në të vërtetë etiketat e djathtë - e majtë jo gjithnjë i shkojnë për shtat mallit që e ka?Unë jam për një riformatim të së djathtës. Kjo qeverisje afirmoi disa personalitete dhe njëkohësisht tregoi se ne kemi pasur një perceptim të gabuar për kompetencat dhe kapacitetet e disa personaliteteve të tjerë. 8 vjet në opozitë të krijojnë edhe perceptime të gabuara për disa njerëz dhe unë e pranoj këtë gjë. Kur them riformatim të së djathtës unë do të isha për një rithemelim të së djathtës. Eshtë një praktikë e njohur, kur Shiraku e mori partinë nga de Goli e rithemeloi partinë, Sarkozia po ashtu me Zhypen e morën nga Shiraku dhe e rithemeluan duke përfshirë brenda disa parti jo vetëm partinë... Sarkozi nuk përfshiu brenda partisë që ka sot, nuk përfshiu vetëm partinë që mori nga Shiraku, por mori një pjesë të madhe të së djathtës, mori Partinë Republikane, që nuk ekziston më, ishte një parti parlamentare e së djathtës, mori qendrën e djathtë që quhet Bashkimi Demokratik i së Djathtës, dhe e mori pothuaj të gjithën dhe krijoi atë që quhet Bashkimi i Lëvizjes Popullore. Në këtë kuptim mendoj se e djathta shqiptare, pas 17-18 vjetësh po themi që nga dhjetori i vitit 1990 dhe në vazhdimësi janë krijuar ose janë rikthyer disa parti historike si Balli Kombëtar, janë konsoliduar disa parti që kanë mbetur të vogla, por shumë serioze si Partia Republikane, që për mua është një parti me shumë fizionomi dhe me shumë identitet të qartë, dhe këto të gjitha nëse ne gjejmë mundësinë të krijojmë një brum të përbashkët përpara zgjedhjeve të ardhshme dhe krijojmë një rithemelim të së djathtës me një parti. Kjo nuk është çështje vetëm e lidershipit, kjo do të jetë çështje e këshillave kombëtare, kryesive, e strukturave, duhet të pranojnë të integrohen në këtë parti për të afruar edhe më shumë drejt qendrës. Partia Demokratike ka një rrëshqitje drejt qendrës së majtë.Ku vihet re kjo?Deklarimet e Berishës, se ne jemi parti e kafshatës, deklarimet e kryeministrit për vaskat e florinjve etj., sulmet që u bën pasanikëve... nëse ata e kanë të paligjshme le t’i shkojë prokuroria, por nuk i sulmon politika, politika e djathtë pronarët. Që t’i sulmojë Edi Rama apo Ilir Meta është në stilin dhe filozofinë e tyre, por jo e djathta. Pra, këto rrëshqitje majtas kanë nevojë për një përqendrim më të madh programor, filozofik, por edhe me njerëzit që do t’i dalin për zot kësaj dhe për mua nuk do të ishte aspak anormale një rithemelim i së djathtës.Vlerësimi për BashënIsh-ministri Mustafaj ka vlerësuar pozitivisht punën që po bën pasardhësi i tij në krye të dikasterit të diplomacisë. Sipas ish- ministrit të Jashtëm, diplomacia jonë ka punuar me seriozitet dhe ka përballuar një volum të madh pune. “Unë kam informacion për aq sa jepet informacion në media, në publik dhe në Parlament. Unë mendoj se Basha, shinat në të cilat po ecte shërbimi i jashtëm, diplomacia shqiptare i ka vazhduar me cilësi, me seriozitet dhe ka përballuar volumin e madh të punës që kishte nga maj–qershor të vitit të kaluar dhe deri sot që flasim dhe unë kam vetëm vlerësim pozitiv”, u shpreh Mustafaj.Pavarësia e KosovësSipas ish-ministrit Besnik Mustafaj, dita e pavarësisë së Kosovës, do të jetë një nga dy ditët më të paharruara për të. “Unë mund të them këtu se në jetën time, nuk po hyj te jeta shumë private, ka një ditë të paharruar që e kam quajtur ditën më të madhe, ka qenë protesta e studentëve më 9 dhjetor (1990) dhe pavarësia e Kosovës do të jetë dita e dytë e madhe, do të jetë ajo ditë që unë do të kem në jetën time dhe unë jam shumë i qetë dhe shumë i gëzuar sepse e di se jeta ime do të më mjaftojë ta shoh këtë gjë”, theksoi Mustafaj.Dreka me Topin në DurrësMustafaj e ka konsideruar diçka krejt normale, drekën e organizuar rreth një muaj më parë nga presidenti Bamir Topi në Durrës, me 30 deputetë të maxhorancës. Sipas deputetit demokrat, “Presidenti Topi ka qenë nënkryetar i Partisë Demokratike, kryetar i grupit parlamentar që nga 2001 e deri ditën që është bërë president dhe unë e kam pranuar dhe do të pranoj çdo ftesë që më vjen nga ai, siç kam pranuar dhe pranoj ftesa për dreka me të gjithë lidershipin e së djathtës”.“Shkruaj vetëm me stilograf”Megjithëse teknologjia ka përparuar shumë, ish-ministri Mustafaj i ngelet besnik stilografit. “Shkruaj vetëm me stilograf dhe këtë e konsideroj si një mënyrë me të cilën unë gjej rehati. Unë kur shkruaj, edhe në kompjuter kur bëj ndonjë shkrim për gazeta, por përgjithësisht unë kam një marrëdhënie shumë të fortë me fletën e bardhë, me stilografin me bojë, nuk shkruaj as me laps, as me stilolaps dhe më pëlqen shumë kur fillon e mbushet faqja, kur fillon dhe zvogëlohet hapësira e bardhë me shkrimin tim”, shprehet Mustafaj.