E Diel, 1 Nëntor 2026

“Juristët” e sapodiplomuar futen në grevë urie në universitet

 

VLORE - Të sapodiplomuarit në degën e juridikut në universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë futen në grevë urie. Janë 20 studentë, të cilët kanë vendosur të “ngujohen” në katin e parë të kësaj godine për shkak të pakënaqësisë së tyre në lidhje me diplomën. Jo vetëm për shkak të kartonit të shndërruar në një copë letër, por edhe të emërtimit. Studentët i kërkojnë kryeministrit të vendit të ndërhyjë me autoritetin e vet institucional për t’i dhënë sipas tyre, Drejtësisë drejtësinë e merituar. Në diplomën e tyre në vend të “Jurist” është shkruar thjesht “Njohës ligjesh”. “Nuk është e drejtë që katër vitet e sakrificave tona dhe të prindërve tanë për të na shkolluar në arsimin universitar të konvertohen me një titull thjesht si “njohës ligjesh”. Studentëve të Tiranës që kanë bërë po të njëjtin program si ne, e kanë të shënuar në diplomën e tyre titullin ‘Jurist’”, shprehen të indinjuar studentët grevistë. Ata i bëjnë thirrje edhe të diplomuarve të tjerë t’i bashkohen kësaj greve me qëllim për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Me anë të një deklarate ata bënë të ditur se: “Ne studentët e degës Drejtësi të Universitetit “Ismail Qemali”, prej mëse një muaji jemi duke protestuar në të gjitha format, përsa i përket diplomës së marrë në fund të studimeve tona katërvjeçare. Pavarësisht se programi i zhvilluar dhe i përfituar prej nesh në këto vite është mëse i mjaftueshëm për të qenë të barabartë në tregun e punës, jo vetëm nuk kemi marrë diplomën e merituar, por edhe po bëhemi pre e disa pengesave institucionale nga organet kompetente për këtë çështje”, thuhej në deklaratë.                                q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›