E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu u bënë dritë për Kosovën

Nga Express më 17 janar 2011 në ora 21:38

Me rastin e 29 vjetorit të rënies së Jusuf Gërvallës, Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës ka organizuar një akademi letrare, me ç’rast krijues e veprimtarë të çështjes kombëtare kanë vlerësuar se Jusufi është figurë e rëndësishme letrare dhe e veprimtarisë politike kombëtare, i cili së bashku me shokët e tij ka ndërtuar rrugën e lirisë së Kosovës.

Gjatë akademisë është folur shumë për potencialin e Jusuf Gërvallës, për të cilun u tha se është poeti e prozatori që u formua në gjirin e kulturës kombëtare dhe nën ndikimin e krijuesve të mëdhenj botërorë dhe që si një model i së djeshmes mund të bëhet shembull i së ardhmes.

Në këtë rast kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Adem Demaçi tha se aktivitetet e Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriu kanë vënë themelet e rrugës për çlirimin e Kosovës.

“Ata u bënë dritë dhe ajo dritë ndriçoj Kosovën dhe të gjitha viset tona dhe shqiptarët vazhduan kundërshtimin e robërisë, vazhduan rezistencën e madhe e cila në vend solli deri te deri te ushtria jonë heroike e cila bëri luftën më të pabarabartë që njeh historia, dhe në fund falë popullit tonë të pa përkulshëm, popullit tonë që ishte dhe është një popull që nuk përkulët, një popull që nuk nënshtrohet, një popull që nuk hoqi dorë nga liria”, ka thënë Demaçi, siç transmeton Kosovapress.

Potencialin prej veprimtari të shquar dhe krijuesi letrar të Jusuf Gërvallës e ka paraqitur profesori i historisë, Abdyl Kadolli, i cili tha se Jusufi është intelektuali që ka lënë gjurmë në fusha të shumta të artit, si letrar, publicist, kompozitor e artist, të cilin e ndërpreu fati historik kombëtar bashkë me Bardhoshin dhe Kadriun.

“Profili politik dhe letrar janë të pa ndashme në figurën e Jusuf Gërvallës. Krijimtaria e Jusuf Gërvallës kap një spektër të gjerë, si prozator, dramaturg, publicist, kritik muzikant. Ai ishte artist i fjalës, i tingujve e ngjyrave, i çiltër e origjinal pejsazhi i tij shpirtëror ishte plot dritë me magji refleksive metaforike e simbolike”, tha Kadolli

Gjatë akademisë letrare gjithashtu janë bërë interpretime të baladave për Jusuf Gërvallën nga aktorët: Shpëtim Kastrati dhe Çamëri Ceraja, ndërsa janë bërë edhe disa pika muzikore nga Albulena Krasniqi, soprano, Florin Fanaj, Kitarë, si dhe Marigona Çerkezi, flaut-soprano në shoqërimin e pianos së Lule Elezit.

Veprimtarët, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka janë ekzekutuar 29 vite më parë, më 17 janar 1982, nga spiunët serbë në një qytet të Gjermanisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›