E Shtunë, 31 Tetor 2026

BQK, lyp guvernator

Më se largu në mars, Banka Qendrore e Kosovës pritet ta ketë guvernatorin. Bordi i BQK-së ka shpallur konkurs qysh tash dhe kur Kuvendi të jetë gati, do t’ia dërgojë listën e të përzgjedhurve. Fjalën e fundit me ligj e jep presidenti. Nga Express më 18 janar 2011 në ora 08:17

Në mars pritet t’u jepet fund dilemave se kush do t’i prijë Bankës Qendrore të Kosovës. Në këtë kohë, kur pritet edhe konstituimi i Kuvendit, do të shkojnë për miratim nga deputetët, emrat e të përzgjedhurve për këtë pozitë. Paraprakisht, Bordi i BQK-se ka shpallur të hënën konkurs për pozitën e guvernatorit.

“Emërimi i guvernatorit do të bëhet për të plotësuar mandatin e mbetur të anëtarit të mëparshëm (i cili skadon më 26 mars 2013) me të drejtë riemërimi edhe për një mandat tjetër pesëvjeçar”, thuhet në vendimin e bordit të BQK-së.

Ndërkaq, me ligjet ekzistuese pas miratimit nga Parlamenti, vulën përfundimtare duhet ta japë presidenti i Kosovës. Sipas konkursit, guvernatori i ardhshëm duhet të ketë së paku 10 vjet përvojë profesionale në fushën e ekonomisë.

Ndryshe, hapja e konkursit për guvernator ka “çuar” në këmbë anëtarët e bordit të bankës. Sipas burimeve të “Telegrafit”, ata do t’i bëjnë konkurrencë të fortë njëri-tjetrit. Zëvendësguvernatori i BQK-së për mbikëqyrjen e institucioneve financiare, Nexhat Kryeziu, tha se do të konkurrojë për pozitën e guvernatorit të BQK-së.

“Po, do të konkurroj për pozitën e guvernatorit, tash të shohim”, tha shkurt Kryeziu, i cili, sipas konkursit, ka shumë gjasa ta merr nën drejtim BQK-në dhe ta pasojë ish-shefin e tij, Hashim Rexhepi.

Ndërkaq, Flamur Keqa, i cili mban pozitën e drejtorit të Departamentit të Tregtisë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, nuk ka dashur të komentojë. “S’kam koment”, tha shkurt Keqa. Sipas burimeve, në mesin e kandidatëve që do të konkurrojnë janë edhe Gazmend Luboteni, kryetar aktual i bordit të BQK-së, ushtruesi i detyrës së guvernatorit Gani gurguri, si dhe Sejdi Rexhepi, anëtar i bordit.

Ndryshe, BQK-ja që nga arrestimi i ish-guvernatorit Hashim Rexhepi për korrupsion më 23 gusht, funksionon me ushtrues detyre. Vendin e kreut të BQK`së në bazë të ligjit e zë përkohësisht një nga dy zëvendësguvernatorët. Bordi e ka vendosur Gani Gërgurin përkohësisht si ushtrues detyre të guvernatorit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›