Lufta e romëve për dije

Familja Balazova për një muaj të tërë ka ngrënë vetëm patate dhe oriz, duke bërë përpjekje për të kursyer para, për t’i blerë një shtypës elektrik vajzës adoleshente.
Ishte kjo një nga sakrificat e shumta që u shpagua. Sot Zuzana Balazova, 31 vjeç, jep mësim në një universitet në Sllovaki, duke e kryer njëkohësisht doktoraturën në Sociologji.
Ajo është në mesin e numrit të vogël, por në rritje të romëve, të cilët po i bashkohen klasës së mesme të edukuar në gjithë Evropën - duke ofruar shpresë se kjo pakicë një ditë do të jetë në gjendje ta shfrytëzojë shkollimin për të thyer murin e paragjykimeve, i cili për shekuj me radhë i ka mbajtur në një gjendje të mjerë. Kjo çështje doli në sipërfaqe verën dhe vjeshtën e kaluar, kur Franca intensifikoi programin e ashpër të dëbimit të romëve, duke i cilësuar ata si lypës injorantë dhe si ngarkesë për shoqërinë.
“E kam pasur gjithmonë të qartë se nuk e dëshiroj ndonjë punë të thjeshtë në ndonjë fabrikë, duke u zgjuar herët në mëngjes dhe duke e bërë çdo ditë të njëjtën punë”, thotë Balazova, e cila ka themeluar edhe një organizatë për të ndihmuar fëmijët romë në Skalica, një qytet i vogël në perëndim të Sllovakisë.
“Prindërit e mi kanë sakrifikuar shumë. Jam mirënjohëse për këtë dhe tani po tentoj t’ua kthej me të mirë”, shton ajo.
Ky sukses bie ndesh me shumë paragjykime: romët në disa shtete janë të gjykuar që të ndjekin edukim inferior.
Shumica e tetë milionë romëve në Evropë ende jetojnë në varfëri ekstreme dhe urrehen nga shoqëritë vendase. Gjatë dëbimeve në Francë, qeveria tuboi me qindra romë nga Evropa Lindore dhe i dëboi ata në Rumani e Bullgari, program ky i cili u dënua nga bashkësia ndërkombëtare.
Por, për disa kanë filluar të dalin në sipërfaqe mundësi të reja falë programeve afirmative në vendet si Hungaria, falë vendosmërisë së njerëzve si Balazova dhe falë sakrificave të prindërve, të cilët shpesh janë vetë analfabetë.
Nuk ka statistika të sakta për atë se sa romë në Evropë arrijnë të regjistrohen në universitete, pasi që shumica e shteteve të Evropës Lindore dhe Qendrore, ku jeton pjesa më e madhe e romëve, nuk mbajnë statistika për përkatësinë etnike.
Fondi për Edukimin e Romëve thotë se 25 për qind e romëve janë ende analfabetë, ndërsa OKB-ja ka theksuar se gati 50 për qind e romëve nuk e kryejnë as shkollën fillore.
Sidoqoftë, Judit Szira, këshilltare në Fondin për Edukimin e Romëve në Budapest, thotë se numri i romëve me edukim universitar është duke u rritur.
“Po përballemi me një fenomen të ri”, thotë Lucia Nicholsonova, zëvendësministre e Sllovakisë për Punë, Çështje Sociale dhe Familje. “Në të kaluarën jemi përballur me romë me edukim të ulët. Tani kemi një gjeneratë të re me edukim të mirë”.
Por, edukimi nuk mbron romët e Evropës nga paragjykimet, që bazojnë kryesisht në besimin se shumica prej tyre vjedhin dhe nuk dëshirojnë të punojnë. Aktivistët pranojnë se disa romë vjedhin, por ata nënvizojnë se bëhet këtu fjalë për një pakicë. Shumë prej tyre, theksojnë aktivistët, dëshirojnë të punojnë dhe janë të dëshpëruar për shkak se nuk gjejnë punësim.
Balazova thotë se nuk e ka ndier vetën të diskriminuar nga arsimtarët e saj, ngase ajo gjithmonë ka qenë një nxënëse e shkëlqyeshme, por shton se shitësit në dyqan nganjëherë e shikojnë me dyshim.
Problem më të madh paraqet diskriminimi, të cilin disa romë e përjetojnë në tregun e punës.
Viera Samkova, një 27 vjeçare nga Lubeniku në Sllovakinë lindore, ka diplomuar në universitet në vitin 2006 dhe ka shpresuar se do të fillojë të punojë menjëherë si mësuese. Por, katër vjet më vonë, ajo ende nuk mund ta gjejë një shkollë, e cila do ta punësonte.
“Asnjë punëdhënës nuk më thotë se prejardhja ime rome paraqet një problem, por ata gjithmonë gjejnë arsye tjera për të mos më punësuar”, thotë Samkova.
Për të fituar bukën e gojës, ajo përkohësisht punon si këshilltare e qeverisë për edukimin e fëmijëve romë.
Ndjenjat kundër romëve shpjegojnë se pse shumë romë në të kaluarën kanë tentuar të paraqiten si të “bardhë”, po sa kanë arritur diç në jetë.
Emese Balogh, një rome 29 vjeçare nga Hungaria, dikur kishte tentuar të fshihte trashëgiminë e saj. Ajo aplikoi para disa viteve për të punuar në doganë dhe gjatë intervistës u pyet se a ishte rome. Ajo vendosi të gënjejë nga frika se e vërteta do t’i zbehte gjasat e saj dhe lëkura e saj më e bardhë i ndihmoi në këtë aspekt. Por, shefi i saj në fund e zbuloi të vërtetën dhe e largoi nga puna.
E zemëruar, ajo vendosi të shfrytëzojë energjinë e saj që të ndihmojë romët tjerë dhe tani drejton një organizatë në Demescer, Hungari, e cila promovon edukimin e romëve.
“Kur më përjashtuan nga puna, vendosa të luftoj”, thotë Balogh.
Një shenjë tjetër e ndryshimit është se romët e rinj nuk po e fshehin më identitetin e tyre. Balazova thotë se ajo kurrë nuk ka tentuar të fshehë faktin se është rome.
“Nuk ka asgjë të keqe të jesh rom - këtë ua them nipërve dhe mbesave”, thekson ajo. (AP)