Juve-Barça, luftë për Diegon
Diego u pëlqen të gjithëve, kjo është e sigurt. Juventusit para së gjithash. Por tashmë bardhezinjve u duhet të mposhtin edhe konkurrencën e Barcelonës. Mesfushori brazilian i Verder Bremenit shihet si pasuesi më i mundshëm i Dekos, i gatshëm për t’u larguar nga klubi katalanas. Sipas asaj që raporton gazeta sportive spanjolle "El Mundo deportivo", vëzhguesit e Barçës kanë ndjekur në ndeshjen miqësore Irlandë-Brazil për të parë nga afër fenomenin që ka një kontratë më gjermanët e Verder Bremenit deri në vitin 2011. Drejtori sportiv i Verderit, Klaus Alofs: “Nuk ka asnjë mundësi ta shesim Diegon”.
Djaloshi kuqezi nga minuta 1
Sulmuesi 18-vjeçar i Milanit, Alberto Paloski, mund të luajë nga minuta e parë kundër Livornos në ndeshjen e vlefshme për Serinë A. Lajmi bëhet i ditur nga trajneri i kuqezinjve, Karlo Ançeloti. Debutuesi Poloski shënoi golin pas vetëm 18 sekondash lojë kuar ai hyri si zëvendësues, duke i dhënë Milanit fitoren 1-0 kundër Sienës të dielën e kaluar. Sulmuesi 18-vjeçar i të rinjve të Milanit ishte në skuadër për shkak të dëmtimeve të brazilianëve Kaka dhe Aleksandër Pato. Paloski do të luajë në vend të Filipo Inzagit, i cili është dëmtuar pas një goditjeje. Një fitore për Milanin do t’i çonte kuqezinjtë në vendin e katërt.
Ançeloti për Ronaldon
“Të dielën ai nuk ishte në formën më të mirë. Nëse do të kisha të tjera mundësi, nuk do ta hidhja atë në fushë. Nëse Ronaldo do të gjejë kondicionin e tij më të mirë, kontrata e tij me Milanin do të rinovohet”
Vale Rosi, paqe 35 milionë euro
Valentino Rosi bën paqe me organet fiskale italiane. Piloti i famshëm i garave me motorë do të derdhë rreth 19 milionë euro për vitet 2001-2004, ndërkohë që në total, përfshirë edhe atë 2005-2006, pritet të arrijë në 35 milionë euro. “Jam i kënaqur me mënyrën se si u zgjidh problemi. Gjetëm mirëkuptimin pasi si unë dhe si agjencia kishim të njëjtin objektiv, rikthimin tim në Itali”, - tha Rosi, që shtoi se ishte i mërzitur duke jetuar larg familjes në Londër. Shefi i Agjencisë së të Ardhurave, Romano, pohoi: “Rosi u soll si një sportist i madh”.
Pouell, mungesa e madhe ÇM të Sidnejit
Njeriu më i shpejtë në planet, Asafa Pouell, mbajtësi i rekordit botëror në 100 metra (9.74 sekonda) lajmëroi se nuk do të marrë pjesë në Çmimin e Madh të Sidnejit, të programuar për ditën e shtunë. Sprinteri xhamajkan, 25 vjeç, është dëmtuar në gju duke ngjitur shkallët e shtëpisë së tij. Plaga e marrë i kushtoi katër të qepura.
NBA, super Ginobili, Raptors ko
Një Manu Ginobili i jashtëzakonshëm (34 pikë dhe 15 ribaundë) udhëhoqi Spërsat në fitoren kundër Raptors të Barganit (12 pikë në 28 minuta). Roketsat, në gjirin e të cilin luan edhe gjiganti kinez, Yao Ming, arritën fitoren e gjashtë radhazi duke mundur Trail Blazers 95-83. Rezultatet e tjera: Filadelfia-Dallas 84-76; Toronto-San Antonio 89-93; Sharlote-Lejkërs 97-106; Orlando-Klivland 111-118; Miluejki-Klipers 89-96; Golden Stejt-Uashington 120-117.
Ture: “Drogba dëshiron Barcelonën”
Jaja Ture, mesfushori i Barcelonës dhe shok skuadre i Didier Drogbasë te Kombëtarja e Bregut të Fildishtë, deklaroi se sulmuesi i Çelsit, në qendër të tratativave të meraktos, dëshiron të transferohet te Barcelona. Dëshira është shprehur në konfidencë nga vetë sulmuesi ivorian gjatë finaleve të Kupës së Afrikës. “Më tha se dëshiron të vijë e të luajë me mua, - shpjegon Ture, - edhe pse e di se në këtë moment janë Eto’o, Henri dhe Mesi dhe çështja është e komplikuar”. Përveç shoqërisë katalanase edhe Milani është i interesuar të marrë shërbimet e jashtëklasit të Çelsit.
Adriano godet me kokë
Vetëm ditën e hënë do të mësohet se sa i rëndë do të jetë skualifikimi i Adrianos. Sulmuesi në pronësi të Interit, i huazuar deri në fund të qershorit te San Paolo, goditi me kokë një mbrojtës të Santo Domingos, duke u ndëshkuar me karton të kuq nga gjyqtari. Sjellja e keqe e brazilianit të pandreqshëm në bazë të nenit 253 të Kodit Sportiv të futbollit brazilian mund të ndëshkohet me një pezullim që mund të shkojë nga katër deri në 18 muaj. Pezullimi, në fakt, vlen vetëm për kampionatin italian, pasi sulmuesi mund të luajë normalisht në Kupën Libertadores.
Van Persie humb sfidën me Milanin
Vazhdon momenti i pafat i Robin van Persit, një prej yjeve të Arsenalit, kundërshtarit të ardhshëm të Milanit në Ligën e Kampioneve. Holandezi ka një dëmtim në kofshë dhe stafi mjekësor i “Topçinjve” nuk dëshiron ta shpejtojë rikuperimin. “Robin është më mirë, por pas shqetësimeve të fundit, nuk dëshirojmë të nxitohemi duke e hedhur në fushë, por t’i japim kohën e duhur për tu rikuperuar”, - deklaroi Geri Levin, fizioterapisti i klubit londinez. Përveç Van Persit kundër Milanit do të mungojnë edhe Denilson, Johan Djourou, ndërkohë që në dyshim janë Abou Diabi dhe Tomas Roziçki.
Pfister, sërish trajner i Kamerunit
Oto Pfister konfirmoi se do të qëndrojë në bankinën e Kamerunit, edhe pse humbi finalen e Kupës së Afrikës kundër Egjiptit (0-1). Objektivi i ardhshëm i teknikut gjerman, 70 vjeç, do të jetë ai për të çuar “Luanët e pathyeshëm” në finalet e Botërorit “Afrika e Jugut 2010”. “Tani do të shkoj në pushime për tri javë”, - tha Pfister për të përjavshmen gjermane “Kicker”. “Pastaj do të kthehem në punë. Muajin e ardhshëm kemi disa ndeshje miqësore dhe pastaj në fund të majit do të fillojmë kualifikueset për Botërorin”.
13 Shkurt 2008