E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa UEFA nxeh motorët

Marrin pjesë gjashtë skuadra që e kanë fituar trofeun prestigjioz. Tetë ekipe kanë ardhur nga faza e grupeve të Ligës së Kampioneve
Dash Frashëri

Kupa UEFA rinxeh motorët me ndeshjet e “Raundit 32”, ku marrin pjesë gjashtë skuadra, që e kanë fituar të paktën një herë trofeun e dytë më të rëndësishëm kontinental për klubet. Tetë ekipet që kanë ardhur nga faza e grupeve të Ligës së Kampioneve kërkojnë suksesin. Dhjetë ndeshjet e së mërkurës dhe gjashtë të së enjtes nisin kështu turin e vdekjes në raundin me eliminim direkt. Skuadrat spanjolle kanë dominuar në vitet e fundit duke fituar tri herë në katër sezonet e fundit, por është Gjermania ajo që ka numrin më të madh të ekipeve në këtë fazë me pesë klube, që vazhdojnë ende garën. Favorit për të fituar Kupën UEFA është Bajerni i Munihut, që po kalon një moment të artë në Bundesligën gjermane. Kundërshtari i radhës, Aberdin, në të kundërt, pësoi nëntë gola në dy ndeshjet e fundit. “Pesë ditë të tmerrshme”, - pohoi bosi i Aberdinit, pas humbjes 5-1 me Sëlltikun. Tifozët skocezë, megjithatë dëshirojnë të përsërisin fitoren 3-2 ndaj Bajernit në vitin 1983 në çerekfinalet e Kupës së Fituesve të Kupave. Një tjetër skuadër e madhe nga kontigjenti gjerman, Bajer Leverkuzen do të udhëtojë në Turqi për t’u përballur me Gallatasarajin, një përplase kjo midis dy ish-fituesve të mëparshëm të kompeticionit, ndërkohë që Verder Bremen do të presë në shtëpi skuadrën portugeze, Braga. Dyherë fituesi i Kupës UEFA, Totenhemi do të udhëtojë drejt Pragës për tu ndeshur me Sllavian. Trajneri Huando Ramos dëshiron të bëhet tekniku i parë që fiton tre KUPA UEFA rresht. Ramos, i cili udhëhoqi Seviljen në dy fitore të Kupës UEFA gjatë dy edicioneve të fundit, është ndeshur me Slavian e Pragës në Ligën e Kampioneve, në kohën kur tekniku spanjoll drejtonte skuadrën andaluziane. Vilareali, gjysmëfinalistja e sezonit të kaluar në Kupën UEFA, do të përballet me Zenitin e St. Petërburgut në Rusi. Atletiko e Madridit do të udhëtojë drejt Anglisë për t’u ndeshur me Bolton Uonderes. Skuadra tjetër angleze, Everton, do të përballet me norvegjezët e Bran Bergenit.

BAJERNI FAVORIT

Favorit për të fituar Kupën UEFA është Bajerni i Munihut, katër herë kampion i Europës. Skuadra gjermane do të përballet me Aberdinin skocez. Sulmuesi Luka Toni është edhe kandidati për fitimin e “Këpucës së artë”. Italiani ka shënuar deri tani gjashtë gola, po aq sa Larsson dhe Omotoyossi të Helsingborg.

Lorik Cana në UEFA

Kapiteni i Marsejës, Lorik Cana, është i vetmi futbollist shqiptar që merr pjesë në turin e 32-shes së Kupës UEFA. Skuadra franceze do të përballet me Spartakun e Moskës, takim që do të luhet në “Velodrom”, në orën 20:45.

KUPA UEFA
Raundi i 32

13.02.2008
Zenit-Vilareal
Gallatasaraj-B.Leverkuzen
AEK-Getafe
Bran Bergen-Everton
Verden-Bremen
Marseijë-Spartak Moskë
PSV Eindhoven-Helsingborg
Anderlecht-Bordo
Rejxhërs-Panathinaikos
Sporting-Bazel

14.02.2008
Aberdin-Bajern
Zyrih-Hamburg
Rozenborg-Fiorentina
Slavia-Totenhem
Bolton-Atletiko
Benfika-Nurenberg
* Ndeshjet e kthimit do të luhen më 20 dhe 21 shkurt 2008

13 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›