Von Heesen: “Një sfidë e bukur”
Nurembergu, skuadra gjermane e Bundesligës 1, caktoi
Tomas van Hesen si trajnerin e ri të saj me një kontratë që skadon në vitin 2009. Nurembergu, fitues i Kupës së Gjermanisë sezonin e kaluar, shkarkoi Hans Mejerin pasi klubi rrëshqiti në vendin e tretë nga fundi në renditjen e Bundesligës. “Unë do të jap gjithçka qysh nga ky moment”, - tha Von Hesen gjatë një konference për shtyp. “Është një sfidë e madhe, por që më pëlqen”. Von Hesen ishte trajner i Armiania Bielfeldit vitin e kaluar. Ndeshja e parë e tij në drejtimin e Nurembergut do të jetë ajo kundër Benfikës në Kupën UEFA, takim që do të luhet ditën e enjte.
AEK shkarkon trajnerin Ferrer
AEK-u i Athinës shkarkoi trajnerin spanjoll Lorenco Serra Ferrer. Asistenti i tij, Nikos Kostenoglou, është ngarkuar përkohësisht me detyrën e teknikut të “verdhezinjve” helenë, për të udhëhequr skuadrën në ndeshjen e Kupës UEFA kundër klubit spanjoll, Getafe.
Serra Ferrer, ish-trajneri i Real Betis në Spanjë, mori drejtimin e AEK-ut në vitin 2006. Klubi athiniot rrëshqiti në vendin e tretë në Super Ligë pasi humbi dy ndeshjet e fundit. AEK ka 42 pikë pas 20 ndeshjesh, dy më pak se Olimpiakos dhe katër më pak se lideri i kampionatit, Panathinaikos. Te AEK luan edhe shqiptari i natyralizuar si grek, Panajot Kone, ndërkohë që Përparim Mehtemaj u huazua te Apollon Kallamarja.
Hemilton, më i shpejti
Luis Hemilton arriti kohën më të mirë në testin e cirkuitit të Jerezit në Spanjë. Asnjë sharje raciste, si në vizitën e mëparshme në pistën e Barcelonës. “Çështja e fyerjeve për mua është e mbyllur”, - tha piloti anglez i Meklaren Mercedes. Hemilton është më i shpejti në ditën e parë të provave në Formula 1. Anglezi që drejtoi makinën MP4-23 xhiroi në kohën 1'19''102. Pas tij u rendit shoku i skuadrës, Pedro de la Roza. Koha e tretë më e mirë ishte ajo e polakut të BMW Sauber, Robert Kubika. Në prova nuk ishin të pranishme makinat Ferrari dhe dy pilotët Kimi Raikonen - kampioni në fuqi i botës - dhe braziliani Felipe Masa. Edhe Alonso nuk ishte i pranishëm në këtë test të ditës së parë.
13 Shkurt 2008