Kur poezia shfaqet me unitet dhe koherencë...
Vështrim mbi përmbledhjen poetike “Moda e varfërisë” të Kostandin Dhamos
Faslli HALITI
Përmbledhja poetike, “Moda e varfërisë”, e poetit Konstandin Dhamo, është koherente si dhe një sfidë ndaj poezisë nebuloze dhe të zhvidhosur, të çakorduar, manieriste, ekscentrike, snobiste që duket herë-herë në tregun e lirë të sotëm poetik, por që për fat mbetet stok, pasi me gjithë këmbënguljen e pseudokritikëve dhe recensentëve panegjeristë, ajo shpërfillet nga lexuesi. Në gjoksin poetik të Dhamos nuk ka zënë e nuk zë vend papagalli dhe majmuni, ai sheh me sytë e tij teleskopikë, dëgjon më me hollësi, ecën me hapin e tij, pa marrë asnjë shqisë apo gjymtyrë poetike me qira. Kjo nuk do të thotë që ai është indiferent ndaj formës, figuracionit të ri, teknologjisë së re në perfeksionim, përkundrazi, realist i mprehtë, i thellë, i gjerë gjithë kolor, ai nuk është dhënë e nuk jepet si një adoleshent pas arteficeve, modave dhe snobizmave që në hapat e parë të krijimtarisë së tij poetike e deri tani në pjekurinë e tij të plotë. Poeti Dhamo, i zhytur i tëri në thellësitë e realitetit, sjell prej këtyre thellësive perla temash, ide të rëndësishme të shoqëruara me figura stilistike, detaje, përfytyrime poetike. Poezisë së tij të qartë e të drejtpërdrejtë nuk i mungojnë as tropet e thjeshta; krahasimi, epiteti, as tropet e ndërlikuara; metafora, metonimia, simboli, ironia dhe sidomos inversioni poetik etj. Përkundrazi, Vetë titulli “Moda e varfërisë” është një paradoks, sepse paradoksale dhe tejet snobiste ishte dhe moda e varfërisë që filluan të ndiqnin të rinjtë tanë që në ditët e para të viteve nëntëdhjetë. Si kontrapunkt i ardhjes së diktaturës me këngë valle, saze, daulle, gëzim dhe hare fiktive, teatrale, paradoksale, absurde, komike, demokracia erdhi te ne, me modën e varfërisë teatrale, me imitim leckash dhe zhelesh: “Po sa s’të shkon ty/ moj Shqipëri e mjerë/ Kjo varfëri e imituar…”.
Poeti, duke qenë i dhënë pas së bukurës, nuk e duron dot imitimin si një shfaqe të shterpësisë, të paaftësisë për krijim, fantazi e origjinalitet. Origjinalitetin, poeti, nuk e kërkon si një qëllim në vetvete, por si një përpjekje për identitet, pasurim, prurje të reja, të papara. Këtë kërkon ai në jetë, po këtë kërkon dhe në krijimtarinë poetike. Dhamo është po ai poet i mëparshëm, por me shqetësime më të mëdha, ai ka po atë ballë poetik të mençur poetik, por me rrudha më të dendura, më të thella, ka po atë zemër poetike, por më të gjerë, me rrahje më të shpeshta ndaj shqetësimeve, halleve shoqërore, ndaj prapështive si atyre moniste dhe postkomuniste, e mbushur plot ndjenja ende më të bukura globale dhe intime; qielli i frymëzimit të tij është po ai qiell poetik, por me kaltërsi më të kthjella; gjoksi i tij poetik është po ai, por me shkulma më të furishme dhe qetësi të reja, më i gjerë e më i prirë ndaj së resë, më dimensional. Po pse s’e pranon poeti këtë modë të varfërisë në jetë e në art? Ai nuk e pranon sepse ajo është teatrale, është një imitim i verbër i modës që ka praktikuar e praktikon rinia e vendeve me mirëqenie të lartë. Atje kjo modë teatrale as ka cenuar, as s’cenon gjë. Dikur, në vendet kapitaliste, ajo ishte një protestë e butë, kurse sot është thjesht diçka ëmbëlake, indiferente ndaj bezdive etiko-morale. Në vendet ish-socialiste, përkundrazi, kjo modë, jo vetëm ndalohej, por edhe dënohej, sepse nxirrte në shesh varfërinë reale të cilën diktatura bënte çmos që ta mbulonte me propaganda rozë: “Moda ishte krim/ Krim dashuria ishte/ Përballë shtetit/ Fajtor duhet të ndiheshe!”. Duke mos ndjekur modat si adoleshent, apo si ç’bëjnë të patalentuarit, duke përthithur arritjet e artit botëror, duke përpirë çdo formë të re të vërtetë krijuese si poet me talent të konsoliduar, ai është dhe do të mbetet poet i tri dimensioneve kohore: i së djeshmes, i së sotmes dhe i së nesërmes. Poezia vitale ka vetin të rritet, të hedhë shtat vazhdimisht, kurse poezia dekorative, artificiale, si lulet prej letre s’e kanë këtë veti shtathedhëse. Në vitet ’60, njerëzit vërshuan pas najlonit, akrilikut, impermeableve, u gënjyen nga xixëllimat, por e kuptuan dhe i braktisën ato e iu kthyen të pambuktave... Kështu ndodhi dhe me poetët që u dhanë pas retorikës metaforike dhe pas xixëllimeve patetike gjatë socrealizmit, xixëllima që u shuan sa hap e mbyll sytë që në ditët e para të viteve ’90. Po kështu do të shuhet edhe çdo xixëllim i ri fluoreshent në poezi, sepse ai i vret sytë lexuesit inteligjent e të kulturuar shqiptar. Dhamo është poet me unitet e stil unik, koherent. Ai ruan tiparet qenësore të stilit të tij që nga fillimi i krijimtarisë 45-vjeçare, duke e përsosur atë pa i cenuar atij asnjë tipar. Ndërsa përmbajtja është e të gjithëve, stili i tij është vetëm i tij. Stili është vetë poeti. Edhe pse në dukje e ashpër, sita poetike e Dhamos sit imët, zëri i tij poetik timbron hollë, sidomos në poezitë lirike dhe peizazhet me dritë të blertë. Poeti Dhamo afishon edhe kulturë edhe stil në poezitë e tij. Poezitë e tij e kanë në sinkron mendim dhe ndjenjën. Ai e ruan mrekullisht masën në përdorimin e figuracionit dhe ndjenjës. Sepse siç thotë Hugoi, ndjenja e tepërt është si vaji që e shuan zjarrin, kurse figuracioni i rënduar e errëson poezinë, e bën hermetike. Por atij s’i pëlqen të këndojë si bretkosat nën akull... Poezitë e Dhamos kanë një prush të butë si prushi i drurit të mollës, qershisë, blirit. Ai ka kultin e fjalës. E kërkon atë kudo, e gjen në jetë, në të folurën e përditshme, në krijimet orale, e përthith dhe e fut në poezi, krijon neologjizma, jo për ta errësuar, por për ta bërë më të pasur dhe të qartë poezinë. Veç kultit të fjalës, poeti Dhamo ka të zhvilluar dhe kultin e qartësisë si një sfidë ndaj paqartësive të poezive belbane. Po si shpjegohet që Dhamo, një gazetar, kameraman i hershëm i TVSH-së, është nga poetët më të margjinuar, pa as një lloj publiciteti, si në median e shkruar dhe në atë elektronike? Por kjo e ka një shpjegim. Ai nuk ka bërë dhe nuk bën asnjë përpjekje për publicitet duke qenë në gojën e publicitetit. Kjo ka bërë që dhe mediat e tjera të mos e hapin gojën për të dhe për krijimtarinë e tij të suksesshme në poezi e prozë. Por në fushën fertile në ide dhe formë të letërsisë shqipe, Dhamo ka parcelën e tij poetike të kultivuar e të tëharrur nga çdo lloj barërash. Ai e meriton të përfshihet në kolanën e poezisë së zgjedhur shqipe.
Ai ka vendin e tij në gjeopoezinë e re.
13 Shkurt 2008