E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juve-Milan sherr per kalendarin

Mes të gjitha debateve të mundshme, atyre që janë bërë apo mund të bëheshin, vetëm kjo mungonte. Gjatë mbrëmjes së të enjtes, Liga e Serisë A bëri të ditur kalendarin e javëve të fundit të kampionatit italian. Teorikisht, nuk duhej të kishte vend për polemika, por këtë herë nuk ka ndodhur kështu. Kjo për faktin se në javën e 37-të e kampionatit, e fundit ku sipas rregullores ndeshjet mund të luhen në data dhe orare të ndryshme, Juventusi do të luajë në orën 15.00 kundër Kaljarit, ndërsa Milani luan në mbrëmje, në orën 20.45 derbin kundër Interit.
Por, duke qenë se kjo javë është vendimtare në 99 për qind në garën për titullin, atëherë në Torino nuk janë të kënaqur me faktin që dy rivalet për kampionatin luajnë në orare të ndryshme. Në fakt, bardhezinjtë e shohin këtë zgjedhje si një avantazh për Milanin, në rast se deri në atë fundjavë lufta do të jetë ende e hapur. Drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” do të kërkojnë që ndeshjet të luhen në të njëjtin orar, për të garantuar rregullsinë e kampionatit, ndërsa edhe pse mund të duket për të qeshur ky problem është real.
Përpara disa vitesh, në Serinë në të njëjtën ditë dhe të njëjtin orar luheshin katër javët e fundit të kampionatit, për ta ulur këtë më pas në dy javë. Por, prej vitit 2009 A është vendosur që kjo shpërndarje të aplikohet vetëm për ndeshjet e javës së fundit. Juventusi ka protestuar për çështjen e kalendarit pavarësisht faktit se në tetë javët e fundit, Milani luan përpara bardhezinjve në katër raste, ndërsa skuadra e Antonio Kontes zbret në fushë përpara Milanit vetëm në fundjavën ku kanë pretendime. Gjithsesi, presidenti Andrea Anjeli i ka kërkuar zyrtarisht Ligës që dy ndeshjet e javës së 37-të të luhen njëkohësisht, në rast se gara do të jetë ende e hapur, ndërsa ka marrë edhe garanci se kjo do të realizohet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›