E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guardiola-Saragoza

Pas kualifikimit jo edhe aq të lehtë në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve, vëmendja, do s’do, kthehet tek kampionati. Në një ligë shumë të vështirë nuk është aspak e lehtë edhe kur luan në fushën e Saragozës që ndodhet në fund. Pep Guardiola, trajneri i Barcelonës e di këtë.
“Pa dyshim po shkojmë në fushën e tyre kur ata janë në formën më të mirë. Ishin 12 pikë nga zona e shpëtimit, tani janë vetëm 4 pikë larg. Kjo tregon besimin që ata kanë dhe gjithashtu tregon se duhet të luftojmë shumë që të kemi mundësi fitoreje. Sa i përket suksesit spanjoll në Ligën e Europës, ky është lajm shumë i mirë për kombëtaren e Spanjës, për futbollin tonë. Jam i kënaqur që gjithë bota e sheh nivelin tonë”, u shpreh ai.
Gëzim për Ligën e Europës, por shqetësim për Championsin ku Barça do të luajë ndaj Çelsit në gjysmëfinale.
“Prej kohësh janë në elitë, janë ekip me shumë përvojë. Ndoshta në kampionat nuk kanë qenë aq mirë sa mendohej, por në një kompeticion me pak ndeshje dhe me kaq shumë lojtarë të mirë, ata janë në gjendje për gjithçka. Kanë lojtarë të mirë në çdo repart, po ashtu portier shumë të mirë. Janë një nga ekipet e mëdhenj të Europës dhe ne duhet të luajmë shumë mirë nëse duam që të shkojmë në Mynih”, vuri në dukje, Guardiola.
Katalanasit e Guardiolës duhet të vazhdojnë fitoret në La Liga, nëse duan që të kenë shans për të rifituar titullin kampion. Kjo, pasi Reali është 6 pikë larg.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›