E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bastet shfaqet edhe Milani

Në shënjestër të Prokurorisë së Barit janë vënë edhe dy ndeshje ku përfshihen dy emra të mëdhenj të futbollit Italian. Bëhet fjalë për Milanin dhe Romën.
Sipas deklaratave të bëra përpara hetuesve nga ish-futbollisti i Barit, Andrea Masielo, i cili është rrëfyer përsa i takon sistemit të basteve, mes ndeshjeve të dyshuara si të trukuara janë edhe Milan-Bari e luajtur më 13 mars 2011, e që përfundoi me rezultatin 1-1 dhe takimi Bari-Roma, e zhvilluar më 1 maj 2011. ai takim përfundoi me fitoren rokamboleske 3-2 të barezëve, ndërsa verdhekuqtë e mbyllën takimin me 9 lojtarë.
Këto dy ndeshje, por edhe për dy takime të tjera, ku njëra është Bari-Kievo 1-2, janë përmendur në një letër që prokurori Antonio Laudati i ka dërguar homologut të tij në Kremona, Roberto Di Martino.
Ndërkohë, përsa i takon faktit se emri i Antonio Kontes është përmendur në një telefonatë të Masielos, kur tekniku drejtonte Sienën, në mbrojtje të drejtuesit të stolit të Juventusit ka dalë presidenti Andrea Anjeli. “Nuk ekziston asnjë telefonatë, asnjë mesazh. Ky është një lajm I rrëmë, që na bën të kuptojmë shumë gjëra. Kjo është thjesht një manovër kundër Juventusit”, deklaroi Anjeli.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›