E Diel, 1 Nëntor 2026

Për muajt nëntor-dhjetor 2009 janë hequr nga puna rreth 150 persona

Emërimi i ministrit Lulzim Basha në krye të Ministrisë së Brendshme nuk ka kaluar pa reformë edhe nga ana e tij. Për dy muajt e vitit që lamë pas, nga ky dikaster janë larguar mbi 150 punonjës, të cilët janë zëvendësuar me të tjerë. Ndryshimet kanë prekur gjithë organet e varura nga ky institucion, ndërkohë që disa nga të larguarit kanë përgatitur paditë për në gjykatë për heqje pa të drejtë nga puna. Me një përllogaritje të thjeshtë rezulton se pothuajse çdo ditë të këtyre dy muajve janë larguar nga dy punonjës.
“Strategjia”
Largimet e tyre nuk janë bërë në mënyrë të bujshme dhe të përnjëhershme, por me disa faza. Burimet nga Ministria e Brendshme bënë të ditur se nga të dhënat e mbledhura rezulton se gjatë muajit nëntor dhe dhjetor të vitit 2009, janë larguar nga ky institucion rreth 150 punonjës të funksioneve të ndryshme. Reforma e ministrit të ri, Lulzim Basha, ka kapur organe të ndryshme, që nga pushteti vendor, policia, apo edhe administrata. Megjithatë, burimet shpjegojnë se me gjithë ndryshimet e shumta në polici gjatë kësaj kohe, numri arrin edhe shumë më lart. Ndërsa në pjesën civile që punonte në sektorë të ndryshëm të Ministrisë së Brendshme, ndryshimet janë bërë gradualisht dhe pothuajse gjithë funksionet e lëna bosh janë zëvendësuar.
Por, sipas specialistëve, këto ndryshime janë të përhershme, sa herë ndërrohen krerët e kësaj ministrie. Madje, kur ndryshon ministri, lëvizjet bëhen në gjithë sektorët, ndërsa kur ndryshojnë zëvendësministra apo drejtorë, kryhen vetëm “reforma” të vogla në sektorë apo drejtori të pakta. Megjithatë, fakt që bie në sy, po sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme, është numri jo shumë i lartë i lëvizjeve. Sipas burimeve, në raste të tilla janë kryer lëvizje në numër shumë më të lartë. Nga ana tjetër, mësohet se ankthi te disa punonjës ende vijon edhe për vitin 2010. Nga specialistët mësohet se do të ketë lëvizje të tjera edhe në dy muajt e parë të këtij viti. Këto ndryshime pritet të prekin edhe nivelet e larta të Ministrisë së Brendshme, siç janë drejtorë drejtorish apo shefa sektorësh.
Reagimi
Këto lëvizje në Ministrinë e Brendshme, pas ardhjes së Lulzim Bashës, nuk janë pritur mirë nga të shkurtuarit nga puna. Fillimisht, disa prej tyre kanë kërkuar shpjegime në lidhje me heqjen e tyre nga puna, duke këmbëngulur për rikthim, por nuk ia kanë dalë mbanë. Madje, ata kanë tentuar të ndjekin gjithë procedurat e mundshme, duke qenë edhe anëtarë të forcës politike në pushtet. Por, kur nuk kanë gjetur zgjidhje, ata kanë mbetur mes katër rrugëve. Një pjesë e tyre janë emëruar në institucione të tjera, ndërkohë që nuk mungojnë edhe padi civile në gjykatë për rikthim në punë. Siç dihet, kjo reformë nisi fillimisht në radhët e uniformave blu. Në të gjithë vendin u ndryshuan drejtorët e policive në qarqe dhe për këto ndryshime pati edhe reagime shkresore nga faktorët ndërkombëtarë, nëse ishin realizuar sipas ligjeve në fuqi. Pas drejtorëve të policisë, ndryshimet vazhduan në nivele më të ulëta, siç ishin shefa komisariatesh apo sektorësh të ndryshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›