E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha fton Ramën në Kuvendin e PD

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ftuar zyrtarisht dhe politikisht rivalin e tij poltik, liderin e opozitës, Edi Rama, të marrë pjesë në Kuvendin e PD-së që hapet sot paradite në Tiranë. Kryeministri Berisha ka deklaruar dje se në Kuvendin e selisë blu janë të ftuar të gjithë drejtuesit e forcave politike shqiptare dhe në mënyrë nominale ka përmendur emrin e kreut socialist, Edi Rama. Madje pyetjes së nëse ftesa bëhet ngaqë z.Rama ka qenë pjestar i lëvizjes së dhjetorit dhe ka asistuar në mbledhjet e PD-së në 1990-ën, Berisha i është përgjigjur se ftesa ndaj Ramës është në detyrën e tij si kryetar i Partisë Socialiste, pasi siç deklaroi kreu i selisë blu "Rama ka asistuar në mbledhjen e komisionit nismëtar të Partisë Demokratike vetëm 18 minuta pasi më pas u largua nga një eksponent i yni, por sot nuk i them arsyet pasi zotëria është i ftuar në Kuvend". Ndërkaq Berisha ka ftuar publikisht edhe të gjithë themeluesit e Partisë Demokratike që të marrin pjesë në Kuvendin e sotëm.

Festa

Thelbi i vlerësimit mbi punimet e Kuvendit të PD-së për Berishën ishte se ky eveniment është një manifestim feste dhe fitoreje pasi Partia Demokratike arriti të korrë sukses në zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkaq, kreu i PD-së tha se në ditën e Kuvendit do të festohet edhe 19 vjetori i themelimit, edhe pse me dy ditë më vonesë. Sipas kreut të qeverisë, "19 vjetori i themelimit të Partisë Demokratike u festua madhërishëm nga shqiptarët në mitingun e 8 dhjetorit në të cilin morën pjesë gjysmë milioni qytetarë".

Data

Kryetari i selisë blu ka "korrigjuar" paksa historinë e partisë që drejton që prej vitit 1991, kur u zgjodh kryetar i saj. Në konferencën për shtyp, Berisha deklaroi se "Partia Demokratike është themeluar më 11 nëntor një orë para mesnate". Në fakt deri tani si datë e krijimit të forcës politike të parë opozitar në vend është regjistruar 12 dhjetori, kur dhe u legalizua Partia Demokratike.

Votimi

Sot 1260 delegatët e Kuvendit të PD-së do të votojnë për kryetarin e PD-së, ku në fletë votimi do të jetë vetëm një kandidat. Këtë e ka pranuar edhe Kryeministri i cili deklaroi se "sot delegarët do të votojnë për të zgjedhur kryetarin e tyre, Sali Berishën. Sipas kreut të selisë blu, ky kuvend zhvillon fazën e dytë pasi në të parën që u zhvillua në prill u shpalos projekti i Shqipërisë Europiane.

Gjinushi

Kreu i Partisë Demokratike ka qenë shumë i ashpër ndaj njërit prej krerëve të partive të opozitës, pikërisht, kryetarit të PSD-së, Skënder Gjinushi. Berisha ka deklaruar se ai duhet të largohet nga politike pasi në dhjetorin e vitit 1990 ka qenë në krahun e Ramiz Alisë. Kryeministri ka shkuar më tej, duke thënë se "gjatë një takimi që kam pasur unë dhe disa drejtues të PD-së në shkurt të vitit 1991 me Ramiz Alinë për rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës, Ramizi tha a ta thërrasin dhe ministrin e Arsimit dhe unë thashë po të vijë dhe Gjinushi erdhi menjëherë. Kur u bëra President vërtetova se pas zyrës ishte banjoja".

Statuti

Kreu i PD-së, në lidhje me ndarjen e posteve në parti të atyre që janë ministra apo krerë institucionesh ka deklaruar se ky variant do të votohet nga delegatët por Berisha ka mbështetur që ruhet varianti aktual. "Në partitë në pushtet gjithmonë lind ky debat dhe kjo ska asgjëe të paligjshme por një parti që fiton zgjedhjet është e detyruar që forcat më të kualifikuara më aktive ti angazhojë ti japë vendit qeverisjen më të mirë. Delegatët do të kenë mundësi të përzgjidhin mes dy tendencave dhe vota do të respektohet plotësisht", deklaroi kryetari i PD-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›