Shumaker: Mund të luftojmë për botërorin
Formula 1
Prezantohet zyrtarisht në Shtutgart skuadra Mercedes për sezonin 2010 në F.1
Tuta me ngjyrë argjendi dhe me një stemë të Mercedesit në gjoks. Në këtë mënyrë Mikael Shumaher është paraqitur në Kerpen, në prezantimin historik të skuadrës gjermane që do të garojë në Botërorin 2010. Një ditë në të cilën regjistrohet edhe rikthimi i shtatë herë kampionit të botës në Formula 1. Jo rastësisht drejtuesit e Mercedes kishin zgjedhur muzeun në Shtutgart, megjithatë, Shumi arriti të tërhiqte të gjithë vëmendjen: Niko Rosberg, makina e re, Ros Braun e gjithçka tjetër kaloi në plan të dytë. Interesimi duket i natyrshëm, pasi “kanibali” është rikthyer: Mikael është një legjendë e gjallë dhe çdo gjë që lidhet me të përfundon në faqet e para të të gjitha gazetave në mbarë botën. Ndërkohë, vetë piloti u shpreh i çuditur nga efekti mediatik që shkaktoi: “Gjatë verës së kaluar, kur u përfol se mund të kthehesha me Ferrarin kishte shumë interes, megjithatë u habita nga reagimet e shumta pas lajmërimit zyrtar se do të isha pjesë e ‘shigjetave të argjendta’. Jam shumë i emocionuar për mbështetjen që po marr, kjo më shërben si një shtytje më shumë për të bërë paraqitje të mira”. Më tej, Shumaker foli për sezonin e ri dhe për ambiciet e markës gjermane. “Më në fund, sezoni 2010 po fillon. Jam plotësisht i dedikuar ndaj këtij impenjimi të ri: ky edicion përfaqëson një pikë rinisjeje për mua dhe ndihem i motivuar. Te Mercedesi kemi një kombinim të shkëlqyer: ka shumë kampionë bote, në kuptimin e plotë të fjalës dhe po pres me padurim që të zbres në pistën e Valencias. Besoj se skuadra mund të luftojë për titullin prej këtij sezoni, edhe unë do të jap më të mirën që të shpallem kampion”. Entuziast u shpreh edhe Rosberg: “Ndihem krenar që garoj me një skuadër e cila ka shkruar historinë e sporteve me motorë. Edhe unë po pres me padurim testet e javës së ardhshme në Valencia”.
#