E Diel, 1 Nëntor 2026

Juve mbetet në krizë, barazim me Fiorentinën

TORINO- Juventusi ende nuk e ka kaluar krizën, ku ndodhet prej më shumë se një muaji dhe për ta konfirmuar këtë, mjaftoi ndeshja e djeshme ndaj Fiorentinës. Bardhezinjtë nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 edhe pse vjollcët nuk ishin në ditën e tyre më të mirë. Në fushë është parë një skuadër muskuloze, por e paqartë para portës. Fiorentina kaloi në avantazh pas vetëm 3 minutash me anë të Vargas, që shfrytëzon më së miri një aksion të shpejtë të Jovetiç nga e majta dhe një asist të bukur të këtij të fundit. Juve reagon dhe krijon disa raste të pastra, por Iakuinta është në një ditë të tmerrshme. Sulmuesi nuk shënon dy herë vetëm 2 metra larg portës. Madje, nuk e bën këtë as në një asist të minutës së 19-të, por fatmirësisht topi i shkon Amaurit, që me portën bosh realizon. Për skuadrën e Ferrarës është rikthyer Sisoko, që pavarësisht 7 muajve larg fushave, është parë në një formë të mirë. “Nuk mjafton kjo pikë. Donim të shfrytëzonim faktorin fushë për të mundur një skuadër të fortë dhe të organizuar siu Fiorentina, kështu që s’mund të jemi të kënaqur”, u shpreh në fund trajneri Çiro Ferrara. Juventusi nuk fiton prej 4 ndeshjesh, gjë që rrallë ndodh me këtë ekip. Madje, në pjesën e dytë bardhezinjtë u zhdukën në fushën e lojës. “Ndoshta ndonjë lojtar ishte i lodhur, - tha Ferrara. – Pësuam një gol të shpejtë, por patëm shumë raste dhe në 35 minutat e para duhet të kishim shënuar më shumë”. Trajneri i Juventusit mbrojti edhe Felipe Melon, sërish jo brilant në fushë.
(e.n/A.Latifi/Balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›