E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qemal Stafa edhe dy muaj jete

Stadiumi më i madh në vend, “Qemal Stafa” ka edhe dy muaj jetë. Të paktën ky është plani i hartuar në letër nga Federata Shqiptare e Futbollit, ku punimet për ndërtimin e impiantit modern në Tiranë do të nisin me shembjen e tempullit të vjetër të futbollit.

Prej kohësh është përfolur se ndeshjet e 12 dhe 16 tetorit ku Shqipëria do të luajë me Islandën dhe Slloveninë në kualifikueset e Botërorit 2014 do të jenë sfidat e fundit ndërkombëtare në këtë stadium.

Tentativat për ta politizuar çështjen e stadiumit të ri në vend kanë nxitur reagimet e palëve të përfshira, ku e interesuara direkt është FSHF-ja. Sekretari i përgjithshëm i institucionit që drejton futbollin shqiptar, Eduard Prodani ka konfirmuar se synimi është që shembja e “Qemal Stafës” të realizohet në harkun e këtyre dy muajve.

“Prej pothuajse një muaji kemi diskutuar me Ministrinë e Mbrojtjes për çështjen e shembjes së stadiumit “Qemal Stafa”, që do të bëhet nga forcat xheniere”, pohoi numri 2 i FSHF-së. “Paralelisht me këto bisedime, presim kalimin e pronësisë së stadiumit, si edhe po punojmë për gjetjen e një partneri strategjik, i cili do të kujdeset me të gjithë projektin kompleks, duke nisur nga shembja e impiantit të vjetër dhe ndërtimi i të riut”, u shpreh ai.

Prodani shtoi se “ndeshjet kualifikuese të Shqipërisë në muajin tetor do të jenë të fundit ndërkombëtare. Sipas parashikimeve shpresojmë që procesi i shembjes të nisë brenda këtyre dy muajve”. Ndërkohë gjatë kësaj kohe në stadium mund të vazhdojnë të luhen ndeshje të tjera të kampionatit dhe kupës, deri në nisjen e punimeve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›