E Diel, 1 Nëntor 2026

Juve, poker ndaj Novarës, por Milani nuk dorëzohet

ITALI- Juventusi ka bërë një tjetër hap drejt titullit të 28-të kampion në Serinë A, pas fitores komode në shifrat 4-0 të arritur sot në fushën e Novarës. Në stadiumin “Silvio Piola” nuk ka patur kurrfarë historie, pasi bardhezinjtë kanë luajtur me një grintë të jashtëzakonshme, duke bërë që Novara tashmë të jetë më pranë rënies në Serinë B. Tashmë Juventusit i mjaftojnë edhe 2 fitore në 3 ndeshje të mbetura për të kurorëzuar ëndrrën e tifozëve bardhezinj, të cilët presin një trofe që prej vitit 2003, duke qenë se dy titujt e periudhës Calciopoli u hoqën. Përpara Mishel Platini, që ka qenë në tribunë bashkë me legjendën tjetër bardhezi, Xhanpiero Boniperti, skuadra e Kontes ka bërë një figurë mjaft të mirë, duke merituar duartrokitjet e numrit 1 të UEFA-s. Për Juventusin ishte fitorja e tetë radhazi dhe ajo erdhi pas një ndeshje spektakolare. Vuçiniç hapi serinë e golave në minutën e 16-të, me një gjysmë kthesë mjaft të bukur. 5 minuta para fundit, Borrielo realizoi me kokë, pas spondës së Xhakerinit me kokë. Në pjesën e dytë, Vidal ka shënuar golin e shtatë sezonal dhe të tretin për “Zonjën e Vjetër”, ndërsa ishte Vuçiniç që shënoi golin e katërt.
Konte
Më në fund, Antonio Konte është ç’bilancuar dhe ka pranuar se Juventusi është pranë titullit kampion. “Dimë t’i bëjmë mirë llogaritë, po i afrohemi titullit në mënyrën e duhur, duke fituar, - deklaroi trajneri i Juventusit. – Për fat e gjetëm golin shpejt, sepse Novara pak ditë më parë mundi Lacion, kështu që asgjë nuk ishte e lehtë”. Më pas, nuk mungon ironia: “Skuadra ime ka 35 javë që nuk humbet, por ka gjithnjë njerëz që kërkojnë lëkurën brenda vezës. Kritikat dhe polemikat na kanë motivuar më shumë, na kanë bërë të besojmë më tepër. Ne ecim përpara dhe të mërkurën ndaj Leçes do të luajmë ndeshjen e jetës”, tha ai.
Milani
Për Milanin, titulli kampion tashmë mund të quhet një mision i pamundur, por kuqezinjtë kanë meritën e madhe që po luftojnë pa u dorëzuar, duke e bërë shumë interesant kampionatin. Në takimin kundër Sienës, skuadra kampione në fuqi ka fituar 4-1, duke mos hequr dorë për asnjë momente nga lufta. Trajneri Alegri ka hedhur titullar Antonio Kasanon, që duket se ka qenë njeriu që i ka munguar këtij Milani. Në minutën e 26-të, Kasano zhbllokon shifrat, pas një stopimi jo të mirë të portierit. Fantazisti përqafoi menjëherë Ibrën, por edhe mjekun Rodolfo Tavana, që e kuroi. Tre minuta më pas, Ibra dyfishoi shifrat, me një goditje të fortë në zonë. Në pjesën e dytë, Milani u duk se kishte gjithçka nën kontroll, por Bogdani shkurtoi shifrat 7 minuta para fundit. Kuqezinjtë u zgjuan nga “gjumi” dhe në minutat shtesë realizuan dy herë, me Noçerinon e Ibrën.
Alegri
I vetëdijshëm se çështja e titullit mund të ketë marrë fund, trajneri i Milanit Masimiliano Alegri nuk kërkon të dorëzohet. “Juventusi po bën gjëra të mëdha dhe është e vështirë të lëshojë diçka, - tha tekniku kuqezi.- Ne gjithsesi duhet të japim maksimumin dhe t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, për të mos patur asnjë peng në fund. Champions na hoqi shumë energji, por tani jemi më mirë edhe pse po vuajmë pikët e humbura në fillim të sezonit. E ardhmja ime? Dua të qëndroj te Milani”, shtoi Alegri.
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›