Juventus, Bufon: Gati të rikthehem, Diego: Rigjetëm moralin
TORINO- Xhixhi Bufon është shumë pranë rikthimit në portë, madje pritet ta bëjë një gjë të tillë në ndeshjen e kësaj jave kundër Kievos. Në uebsajtin e tij zyrtar, numri 1 i Juventusit ka bërë të ditur se ndjehet gati për të zënë rolin e tij mes shtyllave, ç’ka do të thotë një problem më pak për bardhezinjtë. “Pas një muaji stop për shkak të ndërhyrjes në menisk, jam gati të rikthehem, - ka thënë Bufon. – E gjithë periudha pas operacionit shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme, gjë që më lejoi të punoja në maksimum për t’u rekuperuar. Synoj që të dielën, në ndeshjen kundër Kievos në Verona, të jem midis shtyllace”, konfirmoi ai. Ndërkohë, fitorja 3-0 ndaj Napolit në Kupën e Italisë duket se ka qetësuar disi tifozët, megjithëse emri i Gus Hidink mbetet një rrezik konstant për Ferrarën. “Rezultati i djeshëm ishte i rëndësishëm për moralin, - tha braziliani Diego, autor i golit të parë. – Fitoret dhe paraqitjet e mira janë të nevojshme pikërisht për këtë. Me Napolin u zbavitëm dhe treguam se kur luajmë si skuadër mund të bëjmë një rrugë të gjatë. Kemi gjetur alegrinë dhe kjo do të jetë e rëndësishme për ndeshjen e radhës”, shtoi ai. Ndërkohë, përsa i përket pankinës, Ferrara duket i konfirmuar përkohësisht, megjithatë kontestimi që tifozët i bënë atij në ndeshjen me Napolin tregoi se napoletani nuk mund të qëndrojë i qetë. Gus Hidink ndërkohë është konfirmuar se ka qenë të martën dhe të mërkurën në Torino, ku është takuar me drejtuesit e Juventusit. Por, ende nuk ka një komunikatë zyrtare nëse ai do të jetë trajneri i ri bardhezi apo jo. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)