Murinjo me 100 fitore

Deri tani ai është një 99-ësh. Kjo pasi Zhoze Murinjo është vetëm 1 fitore larg arritjes së shifrës së 100 fitoreve në drejtimin e Realit të Madridit. Trajneri portugez mund ta realizojë këtë arritje historike këtë fundjavë në ndeshjen e kampionatit ndaj Saragozës në “Bernabeu”.
Deri tani, Zhoze ka 99 fitore, 18 barazime dhe 15 humbje në 132 përballje që Reali ka pasur me të, në kampionat, kupë, Champions dhe Superkupë.
Në të gjitha këto takime, skuadra “merenges” ka shënuar 359 gola dhe ka pësuar 113, me mesatare prej rreth 2.7 golash të shënuar dhe 0.8 golash të pësuar, diçka vërtet e shkëlqyer. Vetëm në kampionat, Reali i tij ka 66 fitore në 85 ndeshje me mesatare golash prej 2.87 të shënuar e diçka më tepër se 0.8 të pësuar.
Murinjo ka fituar 75 për qind të ndeshjeve në drejtim të madrilenëve, ndërsa në kampionatin spanjoll kjo arrin në 77.65 për qind. Vetëm një trajner i Realit ka arritur një mesatare më të mirë sesa kjo dhe bëhet fjalë për paraardhësin e tij, Pelegrini, i cili në La Liga fitoi 81.58 për qind të takimeve dhe gjithsej fitoi 75 për qind, por aq sa Zhoze.
Trajneri luzitan ka arritur të fitojë 3 trofe në dy sezone e gjysmë deri tani në “Bernabeu”: një titull kampion, një kupë të Spanjës dhe një Superkupë po të Spanjës.
Synimi më i madh i tij dhe i klubit për këtë sezon është triumfi në Ligën e Kampionëve, që do të ishte kupa e 10-të për Realin dhe e treta për Murinjon. Në të dy rastet do të bëhej fjalë për rekorde.