E Shtunë, 31 Tetor 2026

Juventus-Milan, në Torino luhet beteja e gjigantëve

ITALI- Juventusi dhe Milani zhvillojnë sot një tjetër betejë mes tyre, këtë herë në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Italisë. Bardhezinjtë kanë fituar 2- 1 në “San Siro” dhe u mjafton të ruajnë këtë rezultat për të qenë në turin tjetër, por ndërkohë, trajneri i Milanit Alegri beson te përmbysja. Përballjet e fundit mes këtyre dy ekipeve kanë dhuruar polemika të shumta, sidomos për arbitrimin, pasi në ndeshjen e kampionatit, Milanit iu anulua një gol mëse i rregullt i Muntarit. “Arbitrat të qëndrojnë të qetë, por edhe ne duhet t’i ndihmojmë”, deklaroi Alegri në prag të ndeshjes së sotme. “Polemikat? Duhet të jetë një ndeshje e bukur dhe vetëm kaq. Do të jetë një sfidë intensive, sepse të dyja skuadrat synojnë të arrijnë finalen”, shtoi ai. Trajneri i Milanit deklaroi se do të përshëndesë Marotën dhe Konten, megjithë akuzat e javëve të fundit. “Nuk mendoj se do të jetë një larje hesapesh, por në kampionat më duket se nuk do të mjaftojnë 80 pikë për të fituar titullin”, u shpreh Alegri. Për takimin e sotëm do të rikthehet në dispozicion Klarens Sedorf, ndërsa Boateng mbetet ende në dyshim. Ndërkohë, asnjë shans për Van Bomel e Robinjon, që mbeten jashtë sfidës. Për Milanin gjithsesi duket shumë e vështirë të përmbysë humbjen e “San Siros”. “Jemi mirë dhe kemi potencial për përmbysjen. Edhe Juve është mirë fizikisht, kështu që do të na duhet të bëjmë diferencën nga ana teknike”, deklaroi Alegri.

KONTE
Në kampin e Juventusit, ndeshja e sotme pritet me një interesim të jashtëzakonshëm, duke parë “urinë” e kësaj skuadre për trofe. “Kupa e Italisë është një nga dy objektivat tanë sezonale, - deklaroi trajneri Antonio Konte në prag të kësaj sfide. – Duhet të kalojmë këtë tur dhe të fitojmë trofeun”, tha ai. Një gjë e tillë nuk ndodh që në vitin 2003 në kampin bardhezi, pa llogaritur dy titujt e fituar në vitet 2005 dhe 2006, që më pas u hoqën. Për të arritur finalen, Konte do t’i besojë që nga minuta e para kapitenit Aleks Del Piero, që kërkon ta mbyllë sezonin me trofe. “Është ndehsja më e rëndësishme e vitit deri më tani, - deklaroi tekniku bardhezi. – Më pas do të më pëlqente që të luanim të tjera ndeshje kaq të rëndësishme, sepse do të thotë që kemi ecur përpara. Rezultati i ndeshjes së parë na favorizon? Nuk dua të flas për atë ndeshje, ne duhet të fitojmë këtë të radhës”, shtoi Konte. Ai bëri të ditur se ndeshja e sotme do të jetë e Del Pieros. “Do të luajë titullar. E kam thënë gjithnjë që Aleks dhe Bufon do të jenë vlera e shtuar e kësaj skuadre dhe ata po e tregojnë një gjë të tillë. Milani është një ekip që nuk ka rreshtur asnjëherë së luajturi për fitore dhe për këtë i kam zili. Tifozët? Pres mbështetjen e tyre për të fituar”, përfundoi Antonio Konte.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›