Juventus, Rosi ose Huntelar për sulmin
Xhuzepe Rosi, sulmuesi i Vijarealit dhe Kombëtares italiane pohoi se do t‘i pëlqente të kthehej në Serinë A. Në këtë mënyrë, talenti i cili ka kontratë me klubin spanjoll deri në vitin 2013 "thërret" Juventusin. Gjatë javëve të fundit, bardhezinjtë janë interesuar për lojtarin, i cili është i grumbulluar nga Marçelo Lipi për Kupën e Konfederatave. "Më njoftuan për mundësinë që të luaj te Juventusi, por kam kontratë me Vijarealin dhe ndihem mjaft mirë te kjo skuadër", deklaroi Rosi për "Tuttosport". "Natyrisht që ëndërroj të kthehem në Itali, por më parë drejtuesit e Vijarealit duhet të vendosin të më shesin. Për momentin jam i përqendruar vetëm te Kupa e Konfederatave". Spekulimet e fundit, e kanë lidhur skuadrën torineze me disa sulmues. Më parë u përfol për maqedonasin e Lacios, Goran Pandev, mbërritja e të cilit duket e vështirë. Një tjetër alternativë është edhe holandezi Huntelar. Ai mund të largohet nga Reali i Madridit për 10-12 milionë euro. Gjithsesi, drejtori sportiv i Juventusit, Alesio Seko, ka bërë të ditur se ekipi i drejtuar nga Çiro Ferrara nuk ka nevojë për investime në repartin ofensiv, sepse David Trezege do të qëndrojë.