Maldini bisedon me Çelsin e Ançelotit
Kalimi i Karlo Ançelotit te Çelsi ka hapur rrugën Milano-Londër. Pas trajnerit, me një transferim të mundshëm në "Stemford Brixh" u lidhën edhe emrat e Pirlos, Patos, Sedorf e Gatuzos. Gjithsesi, të katërt këta lojtarë pritet të paraqiten më 6 korrik në Milanelo, për rifillimin e stërvitjes. I vetmi që nuk është i detyruar të riveshë tutat është Paolo Maldini, që në fund të sezonit i dha fund karrierës 25-vjeçare. "Blerja" e parë e Ançelotit te blutë, mund të jetë pikërisht ish-kapiteni legjendar i Milanit. 40-vjeçari ka kërkuar të shqyrtojë me kujdes zgjedhjet për të ardhmen dhe të premten u nis drejt Majamit, vendi ku do të kalojë pushimet e verës. Maldini ndaloi në Londër për transitin, megjithatë duket se në kryeqytetin anglez u hodhën bazat për punën e tij të ardhshme: menaxherin e skuadrës, pra ndërlidhësin mes lojtarëve dhe klubit. Gjatë takimit me Ançelotin dhe një drejtues të bluve, ai dëgjoi ofertën e Çelsit dhe sqaroi kërkesat e tij. Por, ekziston edhe një tjetër skenar, edhe më tërheqës: ish-mbrojtësi mund të emërohet përkrah Ançelotit në stol, duke u bërë zëvendës i trajnerit, së bashku me Rei Uilkins.