Interi nuk e "blindon" Ibrën
Drejtuesit e Interit janë të gatshëm t‘i hapin "dritë jeshile" largimit të Zlatan Ibrahimoviç. Por, suedezi mund të heqë fanellën zikaltër, vetëm nëse shifra e ofruar është e kënaqshme. Kjo u konfirmua nga administratori i kampionëve të Italisë, Ernesto Paolilo. "Me sa di unë, Ibra ka kontratë me Interin. Nuk jemi ne ata që duhet të paguajmë shifra stratosferike për ta afruar në skuadër", deklaroi ai për "Sky" nga Viarexho. "Gjithsesi, nëse vijnë oferta, Barça dhe klubet e tjera i kanë dyert të hapura". Ndërkohë, Masimo Morati ka lënë të nënkuptohet se i mirëpret shkëmbimet: "Kjo merkato bazohet te shkëmbimet, një politikë të cilën Barcelona ende nuk e ka zbatuar…". Me këto fjalë, njëshi i zikaltërve nënkupton shkëmbimin ndërmjet Ibrahimoviç dhe Samuel Eto‘o. "U takova me Laportën. Ai fliste vazhdimisht për Eto‘o, ndërsa unë për Ibrën. Jemi mjaft të lidhur me lojtarët tanë, ndoshta është më mirë t‘i mbajmë. Nuk kemi nevojë të forcohemi në sulm, ndoshta do të kërkojmë një mbrojtës të fortë", tha Morati.