Bajerni ngre çmimin e Riberi: Francezi kushton 105 mln euro
Tashmë që zhurma e milionave eurove të shpenzuara për Kaka dhe Kristiano Ronaldo është venitur, fillon telenovela "Riberi". Francezi dëshiron të largohet nga Bajerni i Mynihut, por klubi gjerman nuk dëshiron të privohet nga shërbimet e tij. Drejtuesit bavarezë mund të ndryshojnë mendje vetëm nëse një prej skuadrave të mëdha Europiane paraqitet me një ofertë të "çmendur". Sipas "The Sun", tronditja që Reali i Madridit shkaktoi në merkaton e futbollistëve, bëri që çmimi i mesfushorit 26-vjeçar të ngrihet në 90 milionë sterlina, e barabartë me afro 105 milionë euro. Sipas menaxherit të Bajernit, Uli Hënes, kjo shifër nuk mund të negociohet. "Mendojmë të zhvillojmë bisedime vetëm për kushte të caktuara. Kuptohet, nëse ndonjë klub është i gatshëm të bëjë ‘çmenduri‘ për Riberi", pohoi drejtuesi bavarez. Në ndjekje të yllit francez janë disa prej "big"-ëve kontinentalë, duke filluar nga Reali i Perez, për të vazhduar te Barcelona kampione e Europës dhe Mançester Junajtid, që kërkon zëvendësuesin e Kristiano Ronaldos.