E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bryant e adhuron Barcelonën

Nga Express më 02 gusht 2011 në ora 08:05

Ylli i Los Angeles Lakers, Kobe Bryant ka shprehur dashurinë e tij ndaj Barcelonës dhe stilit të lojës së saj. Njëri prej basketbollistëve më të mirë në NBA u paraqit në një ndeshje bamirësie, që u organizua nga miqtë e ish reprezentueses së SHBA-së, Mia Hamm, e cila është ambasadore e Barcelonës, ku u paraqitën edhe trajneri Pep Guardiola dhe drejtori sportiv Andoni Zubizarreta.

“Është kënaqësi të veshi fanellën e Barcelonës. Kjo nuk është hera e parë që e kam veshur, por prapë është ndjenjë e mirë”, tha 32 vjeçari Bryant për Barca TV.

“E dua Barcelonën, të gjithë e dinë këtë. Tashmë një kohë të gjatë ata janë ekipi im më i dashur. Gjithmonë më ka pëlqyer loja e tyre. Barcelona luan si grup, të gjithë së bashku, me kreativitet dhe fuqi dhe i adhuroj këto veçori”, u shpreh ai.

Kampioni i Evropës është aktualisht në SHBA në turneun përgatitor, gjatë të cilit u mposht 2-1 nga Manchester United në Washington të shtunën.

Ndeshja e tyre e ardhshme është kundër Chivas Guadalajara më 3 gusht, para përballjeve me Real Madridin në Superkupën e Spanjës më 14 dhe 17 gusht. Gjiganti katalan fillon mbrojtjen e titullit në La Liga përballë Malagas më 21 gusht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›