Juventus piketon tre goleadorë
Me titullin tashmë të qëndisur në fanellë, Juventusi nuk do të bëjë dhurata as në merkato. Administratori i deleguar, Xhuzepe Marota, ka konfirmuar se bardhezinjtë po kërkojnë një kampion për sulmin: Van Persi, Suarez dhe Higuain? Një nga këta të tre do jetë yni. Por vazhdojnë të mbeten të hapura edhe pistat që të çojnë te Xhovinko dhe Borrielo: Sebastian është përmirësuar, do vendosim nëse do ta thërrasim. Blerja e kartonit të Borrielos? Kemi një muaj kohë për të marrë këtë vendim. Marota vazhdon të jetë i dehur nga një sezon fenomenal, që ka nisur me 100 rezerva dhe është mbyllur me fitoren e një titulli për të cilin askush nuk shpresonte. Zonja e Vjetër është kthyer në elitën e futbollit europian dhe ky rol imponon bërjen e zgjedhjeve të rëndësishme, sidomos në merkato. Në repartin ofensiv emri më i lakuar është ai i Robin van Persit: Rroga e lartë? Ka bonuse, – rrëfen Marota. Kemi filluar përdorimin e një modeli të ri për kontratat. Nëse një shoqëri fiton, është e drejtë që të kenë përfitime edhe protagonistët kryesorë. Van Persi është një nga futbollistët më të mirë në qarkullim. Bashkë me Higuainin dhe Suarezin do jetë një nga objektivat kryesorë për sulmin, edhe për arsyen se është e vështirë që të bindet Kavani: Duhet të mbajmë parasysh edhe vullnetin e klubit që zotëron lojtarin.
Konte me Zonjën deri më 2015-n
Antonio Konte ka arritur marrëveshjen për rinovimin e kontratës së tij me Juventusin. Trajneri i bardhezinjve ka qenë ditën e djeshme që në mëngjes në selinë e klubit, ku ka zhvilluar një mbledhje me Andrea Anjelin, Xhuzepe Marotën, Fabio Paratiçin dhe Pavel Nedved. Kontrata e re e Kontes skadon në vitin 2015 dhe rroga e numrit një të pankinës së kampionëve të Italisë është dyfishuar në 3 milionë euro në sezon.