E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më kërkon Torino, por qëndroj tek Palermo

Samir Ujkani

Samir Ujkani mund të veshë fanellën e Torinos për sezonin tjetër në Serie A. Lajmi bëhet i ditur nga një sërë faqesh interneti në vendin fqinj, të cilat i referohen tratativës së nisur mes drejtuesve granada dhe presidentit të Palermos, Mauricio Zamparini, por konfirmohet edhe nga Ujkani gjatë një interviste telefonike për Sportnews. Kujtojmë se Ujkani ka qenë pjesë e Novarës derisa para pak ditësh, duke mbrojtur portën e kësaj skuadre këtë sezon në Serie A, por rënia e ekipit një kategori më poshtë bëri që Ujkani të mendonte kthimin te Palermo. Skuadra siciliane disponon gjysmën e kartonit të lojtarit dhe, duke parë interesin e madh që klube të ndryshme kanë treguar për të, bleu për 2 milionë euro edhe gjysmën tjetër duke bërë të vetin totalisht kartonin e Ujkanit. Në të tilla kushte, Zamparini pretendon të përfitojë sa më shumë nga shitja e futbollistit shqiptar, nisur kjo edhe nga mësymja e Torinos për ta pasur në organikën e vet në sezonin 2012-2013 të Serie A. Torino sapo është ngjitur mes elitareve nga Serie B dhe drejtuesit e këtij klubi dëshirojnë të formojnë një skuadër, që të mund ti rezistojë konkurrencës në elitën e futbollit italian. Ka një interes të Torinos ndaj meje, por unë ende nuk kam folur me ta. Presidenti Zamparini më ka thënë se do jetë me 90 për qind pjesë e Palermos dhe do luajë si titullar. Ndërkohë, dëmtimi po kalon dhe për një javë jam gati të kthehem në fushën e lojës, ka pohuar Ujkani. Për të ulur disi pretendimet e Palermos, presidenti i Torinos Urbano Kairo ka hedhur grepat edhe nga portieri i Kaljarit, Agaci, për të cilin interesohet edhe Fiorentina. Ndërkaq mediat italiane bëjnë me dije se Palermo do të mbajë me shumë gjasa portierin aktual, Emiliano Viviano, për të cilin vazhdon një tratativë me Interin, por që me gjasa nuk do konkludohet edhe për shkak të kërkesës së lartë nga ana e Zamparinit. Në këtë këndvështrim, Ujkani me shumë gjasa do të shitet, pasi me Vivianon te Palermo ai nuk do kishte mundësi që të luante si titullar. Pikërisht vullnetin e lojtarit për të shkuar në një skuadër ku e ka të sigurt vendin e titullarit kërkon të shfrytëzojë Torino, skuadër kjo që për rastin në fjalë ka në krah edhe trajnerin e Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi. Ky i fundit ka drejtuar këtë skuadër më përpara dhe ruan ende raporte mjaft të mira me drejtuesit e këtij klubi, ndaj me gjasa tekniku kuqezi do ta adresojë Ujkanin pikërisht nga Torino, ku do të gjejë jo vetëm ambientin e duhur për një karrierë të sigurt, por edhe një tjetër shqiptar, Migjen Bashën. Ky i fundit është kërkuar nga Kombëtarja shqiptare, por në të shkuarën ka luajtur fatkeqësisht ndeshje me shpresat e Zvicrës, pasi ka pasaportë zvicerane.

Sukaj
Sulmuesi shkodran, Xhevahir Sukaj, ka qenë sërish protagonist në fitoren e skuadrës iraniane, Sepahan. Të martën, në përballjen ndaj Estegahal, sulmuesi dha dy asiste për gol. Ishte ndeshja më e rëndësishme e sezonit për Sepahanin. Mund tju them se gëzimi për këtë kualifikim i kalon përmasat edhe të titullit kampion që fituam dy javë më parë. Jam i lumtur për paraqitjen që kam bërë, por në ndeshjen e fundit u dëmtova në dorë, tregon Sukaj.

De Biazi: Duhet të përmirësohemi
Trajneri i Kombëtares, Xhani de Biazi, ka vlerësuar lojën e skuadrës në ndeshjen me Katarin, por ndaj Iranit pret më shumë nga lojtarët e tij. Luajtëm një ndeshje të mirë, me shumë raste për shënim dhe e merituam fitoren. Pres një sfidë shumë më të vështirë se ndaj Katarit në ndeshjen e radhës. Irani është tjetër kombëtare, kërkon tjetër angazhim, kjo nuk diskutohet. Ajo çka shpresoj për momentin, është që të gjithë futbollistët ti kem në dispozicion, duke qenë se disa prej tyre kanë probleme dëmtimi. Irani pa dyshim është skuadër e fortë, çka e tregon edhe renditja e FIFA-s. E përsëris, do të jetë një ndeshje më e vështirë, megjithatë do të kërkojmë të bëjmë më të mirën, ka thënë De Biazi në një intervistë për Panorama Sport.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›