E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediat e huaja: Rona Nishliu, si Aretha Franklin

Rona Nishliu në skenën e Bakusë

Kënga shqiptare prezantohet e treta në natën finale.

Këngëtarja fiton dhe skeptikët.  Corriere della Sera: Surpriza nga Kosova.

E kanë quajtur Aretha Franklin apo surpriza e Ballkanit. Rona Nishliu ka bërë për vete jo vetëm publikun e Crystal Hall në Baku apo jurinë, por edhe më skeptikët, që në momentin kur fitoi vendin e parë në Festivalin e Këngës në RTSH u shprehën kundër. Me këngën e saj Personale- Suus, ajo e kualifikoi Shqipërinë në natën finale të Festivalit Europian, që po zhvillohet në Azerbajxhan. Tashmë është hedhur shorti dhe Rona Nishliu do të këndojë e treta mbrëmjen e së shtunës. Nga sa mësohet, Rona ka kënduar në një gjendje shumë të ngarkuar emocionale, kjo e ndikuar prej aksidentit tragjik të Himarës. Emocion që u shpreh në lot tek këngëtarja, por fatmirësisht nuk ndikuan negativisht në interpretimin e këngës. Edhe pse një këngë e vështirë dhe aspak në stilin e Eurosongut, Suus pati në publikun e huaj të njëjtin efekt që pati edhe tek publiku shqiptar, që e ndoqi Festivalin e RTSH-së në sallën e Pallatit të Kongreseve. Kënga u duartrokit jo vetëm në fund, por u ndërpre edhe në mes të saj prej ovacioneve. Kjo mirëpritje u reflektua edhe në votimin e publikut që e kualifikoi në finale. Tashmë me Ronën në finale janë bashkuar edhe ata që nuk besonin tek kjo këngë. Unë kam qenë një nga kritikët më të fortë të kësaj kënge, sepse nuk kishte pse Shqipëria të shkonte në Festivalin Europian duke qarë, por me atë interpretim brilant Rona Nishliu u kthye në një princeshë të dhimbjes, shprehet poeti Agim Doçi. E ndoqa gjithë natën gjysmëfinale, kur ai u transmetua nga RTSH pas mesnate dhe, mes 18 konkurrentëve, kënga shqiptare ishte më e mira, shkëlqente, thotë poeti, i cili pas edicionit të 50-të të Festivalit në RTSH është shprehur kundër vendimit të jurisë, që e shpalli Suus fituese.
Corriere della Sera: Surpriza nga kosova

Rona Nishliu në skenën e Bakusë, gjatë shortit për radhën e interpretimit në finale, në momentin e shpalljes finaliste dhe në konferencën e shtypit, mbështjellë me flamurin Shqiptar

Performanca pozitive e Rona Nishliut u reflektua edhe në median e huaj. Komentet pozitive për vokalin e saj potent dhe interpretimin shumë të mirë nuk kanë munguar qysh në ditët e provave, ku të gjithë thoshin se ajo ka një vokal për tu pasur zili, por i druheshin nëse kjo këngë e trishtë do të depërtonte në publik. Pas mbrëmjes së parë gjysmëfinale, mediat e huaja do të shkruanin për festivalin. E përditshmja italiane Corriere della Sera qysh në nëntitullin e shkrimit dedikuar Eurosongut e quante Rona Nishliun Surpriza nga Kosova. Duke e quajtur Festivalin Europian një vitrinë të muzikës së Ballkanit, Maria Serena Natale (Corriere della Sera) do të ndalej në veçanti te përfaqësuesja shqiptare, pa harruar të përmendë edhe faktin që ajo vjen nga Kosova, duke u bërë kështu këngëtarja e parë kosovare që përfaqëson Shqipërinë në Festivalin Europian.
Nga Ballkani vjen edhe një premtuese e re e muzikës pop, Rona Nishliu, e ditëlindjes 1986, me këngën Suus, me titull në latinisht e tekst në shqip. Rona përfaqëson Tiranën, duke u bërë këngëtarja e parë nga Kosova (ish-provincë serbe me shumicë shqiptare, e cila u vetëshpall e pavarur në vitin 2008) në garë për Eurovizionin. E kanë krahasuar për nga potenca me Chaka Khan dhe Aretha Franklin, përkatësisht mbretëresha e funkut dhe mbretëresha e soulit, shkruan e përditshmja italiane. E ndërsa përfaqësuesin e Malit të Zi, Rambo Amadeus, i cili gjithashtu u paraqit me një këngë tërësisht ndryshe nga skema e festivalit, e quan një megaperandor, këngëtaren shqiptare Rona Nishliu e quan një mbretëreshe të Shqipërisë.
Rona: Këndoj historinë time personale
Data 22 maj u shpall ditë zie në Shqipëri. Dita kur u përcollën në banesën e fundit viktimat e aksidentit tragjik të Himarës, u shoqërua me muzikë funebre nga televizionet shqiptare dhe për herë të parë në këta 9 vjet pjesëmarrje, Radio Televizioni Publik Shqiptar nuk e transmetoi festivalin live, por të regjistruar, pasi kaloi data 22, pra në orën 00:05 të datës 23 maj. Me këtë atmosferë zie u bashkua edhe grupi që përfaqësonte Shqipërinë në Eurosong, që nga këngëtarja tek autori i muzikës, Florent Boshnjaku, orkestruesi Shpëtim Saraçi, e shoqëruesit e tjerë. Performancën time ua dedikova gjithë atyre shpirtrave të gjorë, që humbën jetët e tyre dje, kështu u shpreh Rona Nishliu në konferencën për shtyp, organizuar menjëherë pas shpalljes së dhjetë finalistëve, duke iu referuar aksidentit të rëndë të Himarës. E pyetur se cili ishte mesazhi që ajo u përcillte përkrahësve të saj, Nishliu u shpreh: Jam shumë e kënaqur që Eurovizioni është një platformë, e cila të jep mundësinë të prezantosh atë në të cilën beson dhe ku je më i mirë. Më tej ajo shpjegoi ndjesitë e saj në lidhje me këtë arritje. Me këtë lloj kënge është e rëndësishme të depërtosh, është e rëndësishme të ndaj ndjesitë e mia të sinqerta dhe gjithë veten time, zërin tim, me këdo, në çdo skenë. Për të qenë e zonja për të ndarë këtë me audiencën këtu në Crystal Hall dhe më të gjithë që ndoqën festivalin në shtëpi. Jo vetëm për karrierën time muzikore, por edhe për historinë e jetës sime, historinë time personale. Për këdo që beson në këtë histori, faleminderit!.

ALMA MILE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›