K. i Sigurimit diskuton sot për Kosovën

Keshilli i Sigurimit ne OKB / Foto arkiv
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sot diskuton për zhvillimet e fundit tremujore në Kosovë, ndërsa material bazë do të jetë raporti i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun.
Në fillim të raportit të tij për periudhën 16 janar – 15 prill të këtij viti, Ban Ki Mun vlerëson se “pas konkluzioneve të suksesshme të diskutimeve për çështjet kryesore në dialog, Beogradi dhe Prishtina i kanë avancuar planet e tyre evropiane”.
Në këtë aspekt përmendet se Bashkimi Evropian i ka dhënë Serbisë statusin e kandidatit, dhe se më 27 mars, Komisioneri për Zgjerim formalisht e ka nisur studimin e fizibilitetit për Marrëveshjen për Stabilizim – Asocim ndërmjet BE së dhe Kosovës.
“Kjo shënon zhvillimin më pozitiv në periudhën raportuese, që ka dalë nga progresi konkret në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, thotë raporti.
Por, këto zhvillime kanë rënë nën hijen e “tensioneve në rritje në terren gjatë pjesës së fundit të periudhës raportuese”, theksohet në raportin e Ban Ki Munit, duke shpjeguar se kjo i atribuohej pjesërisht “përgatitjeve për zgjedhjet serbe më 6 maj dhe kundërthëniet shoqëruese për votimin në Kosovë”.
Në raportin e gjatë të Ban Ki Munit, theksohen dallimet ekzistuese “të pikëpamjeve ndërmjet palëve dhe ndërmjet komunitetit serb në të dy anët e lumit Ibër”.
Ndërsa “serbët e Kosovës, që marrin pjesë në institucionet e Kosovës, e kanë hedhur poshtë nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë, shumë të tjerë kanë kërkuar që ato të mbahen në harmoni të plotë me ligjin e Serbisë”, thuhet në raportin e publikuar në faqen në internet të OKB-së.
Ministria e Jashtme e Kosovës ka njoftuar se në takimin e sotëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të marrë pjesë edhe ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj.
Ai do t’i njoftojë anëtarët e Këshillit të Sigurimit për “progresin e vazhdueshëm që po shënohet në Republikën e Kosovës dhe për sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova në këtë fazë”. / Kosova.com