Topalli iu “dhuron” shkollave dhe spitalit të Beratit një ditë pushim
Berat- Me moton “Është ora e grave”, kryeparlamentarja e Shqipërisë, Jozefina Topalli, në kuadrin e kuvendimit me gratë në të gjithë vendin, paraditen e djeshme ka mbërritur në qytetin muze. Ndalesën e parë zonja Topalli e ka bërë në shkollën e mesme jopublike “Irfan Ngjeqari”, shkollë ku studiojnë 450 nxënës të arsimit parashkollor, nëntëvjeçar dhe të mesëm. Në ambientet e kësaj shkolle, kryeparlamentarja Topalli u prit nga administratorja e kësaj shkolle, përfaqësues të pushtetit vendor dhe nga stafi i mësuesve e nxënësve të kësaj shkolle.
Në këtë takim Topalli, pasi u njoh me arritjet e kësaj shkolle në fushën e arsimimit dhe edukimit, inkurajoi nxënësit e mësuesit e kësaj për arritje më të mëdha në edukimin e brezit të ri, si e ardhmja e këtij vendi. Më pas zonja Topalli ka vijuar në kalanë shekullore të Beratit, ku ka organizuar një takim me gratë beratase. Në fjalën e saj Topalli ka theksuar se pas takimeve të zhvilluara në shumë qytete të vendit, nuk mund të mungonte në qytetin e Beratit, ku e prisnin qindra gra, nëna e vajza të moshave e profesioneve të ndryshme.
Topalli është shprehur se viti 2008 është viti i një filozofie të re, ku duhet të dimë të tregojmë se çfarë janë gratë, sa të fuqishme e të ditura janë ato, çfarë deficiti i krijohet shoqërisë në jetën politike nga mospjesëmarrja e grave dhe çfarë mund të bëjnë gratë për ta ndryshuar këtë realitet. Duke u ndalur në historinë e dhimbshme që ka kaluar Shqipëria dhe sidomos gruaja, Topalli ka theksuar se gratë e skllavëruara nuk mund të lindin fëmijë të lirë, ndaj kërkohet që secila prej grave të ketë shumë hapësira, të ketë mundësi për të treguar se deri ku mund të arrijmë. “Unë mendoj se një grua e zgjedhur deputete i hap rrugën të gjitha grave për të qenë deputete, një grua, kur zgjidhet ministre, i hap mundësinë të gjitha grave të tjera për të qenë në këtë karrige, në momentin kur një grua zgjidhet kryetare e Kuvendit, kjo i hap mundësinë grave të tjera për të kandiduar për këtë post, por edhe në pozicione të tjera të rëndësishme”, - ka vijuar Topalli.
Gjithashtu, Topalli është shprehur se për sa kohë që në vendimmarrje, në politikë e në parlament ka vetëm 8 % gra, kjo është e padrejtë dhe nuk është emancipuese e civilizuese, pasi gratë, ashtu siç menaxhojnë ekonominë familjare, janë të afta dhe kanë potencial të fuqishëm për të menaxhuar buxhetin e vendit, të ardhmen e vendit dhe të fëmijëve të tyre. Nga kalaja e Beratit, Jozefina Topalli iu ka premtuar grave, mësueseve dhe infermiereve, dyfishim të rrogës, pasi, siç u shpreh ajo, këto janë pozicionet ku punojnë më shumë gra.
Në vijim të fjalës së saj Topalli nuk harruar që nga lartësia e kalasë së Beratit t’iu bëjë thirrje grave që të bëjnë më shumë kujdes për shëndetin e tyre. “Si nënë që kam dy fëmijë, ashtu si çdo nënë, kërkoj që të rriten të shëndetshëm dhe që mos të kenë probleme në jetën e tyre, edhe pse e dimë që jetë është dallgë-dallgë. Unë dua që fëmijët e mi mos të kenë probleme në jetën e tyre dhe si politikane unë këtë e dua për çdo fëmijë tjetër, por kjo kërkon që çdo nënë, që çdo grua që ka kaluar 18 vjetët të bëjë kujdes për shëndetin e vet. Në çdo vend të botës flitet për shëndetin dhe rëndësinë që ka lufta kundër kancerit. Në qendrat kryesore janë shpërndarë aparatura që kontrollojnë shëndetin e grave, por problemi i shqiptarëve nuk janë aparatet, por se ne gratë hezitojmë për të shkuar te mjeku dhe për t’u kontrolluar në kohën e duhur, ndaj ju rekomandoj që mos të hezitoni për të bërë kujdes për veten tuaj, pasi këtë ua kemi detyrim fëmijëve tuaj, ndaj bëni kujdes për shëndetin tuaj”, - ka përfunduar Topalli.
Por, largimi me urdhër nga orët e mësimit të mësueseve të shkollave të qytetit dhe të punësuarave të tjera në administratën shtetërore nuk ka kaluar pa rënë sy të përfaqësuesve të opozitës, ndaj menjëherë ka reaguar kreu i PS i Bashkisë së Beratit, Selman Hodaj, i cili ka dalë në një konferencë për shtyp përpara njërës prej shkollave më të mëdha të qytetit, në gjimnazin “Babë Dudë Karbunara”, - ku është shprehur se gratë e administratës shtetërore dhe në mënyrë të veçantë mësueset e shkollave të qytetit janë detyruar të mbyllin dyert e shkollave, duke braktisur nxënësit për shkak të dhunës shtetërore e politike të ushtruar mbi to. “Mësueset e Beratit sot morën mësimin më të keq të jetës së tyre, braktisën pasionin për shkak të dhunës shtetërore të ushtruar mbi to dhe nesër me ndrojtje qytetare do të shfajësohen para nxënësve të tyre që në vitin 2008, ato përdoren jo për t’i shërbyer qytetit dhe atdheut, por për t’i shërbyer prapambetjes, injorancës, dhunimit të demokracisë e mbi të gjitha për të bërë të lumtur një grua që personifikon shembullin më të keq të sjelljes arrogante në parlament, pasi sot u duk qartë që prioriteti i qeverisë nuk është arsimi apo shëndetësia, por Jozefina Topalli. Partia Socialiste nuk mund të heshtë përballë këtij fakti dhe dhjetëra rasteve të tjera, që dëshmojnë jo moshën e internetit, po politikën e vjetër rraskapitëse të Berishës dhe kësaj qeverie që ka humbur drejtimin”, - ka thënë kreu lokal i selisë rozë të qytetit muze.
A. Kaja