E Shtunë, 31 Tetor 2026

KAPJE… DALJE…

Ahmet Dursun 

Nuk mund ta merrni me mend sa nervoz jam… edhe cigaret më mbaruan në këtë orë të vonë të natës… Shiu nuk di të pushojë… tavani më pikon… soba më tepër më djeg se sa më ngroh… Sa ethe kam… sa një cisternë peshoj… Sikur të dija të pi, një kazan raki do ta kaloja me një gllënjkë. Ndërsa “mendimtarët” e gjysmës së jetës sime, në këtë orë, me një dorë mbajnë një libër dhe me tjetrën luajnë me qimet e furçës së këpucëve të tyre… Nuk duhet të tregohesha kaq i trashë! Nuk duhet ta bëja këtë gabim! Mërzitjes edhe ia gjej anën… nervit, etheve, rëndesës ç’t’i bëj Faji është i imi! Më saktë trashësia…
Pas pak orësh, “mendimtarët” një nga një do të zgjohen. Me gishtat e bërë akull do ta hapin derën… me gishtat e ngjitur do ta shfletojnë gazetën. “Opinion nga Ahmet Dursun. S.O.Sialistëve në Shqipëri…”. Ndërsa do të fërkojnë sytë për t’u bindur, do t’i ngjisin edhe qepallat. Me sy mbyllur do të thonë njëherazi: “Ik or dreq! U bëre ti të na mësosh!”. Mbase “gabimi” ishte edhe i kryeredaktorit. Fundja, kush isha unë…?!
Isha vonuar... Gazeta ishte shtypur dhe madje mund të ishte duke u palosur. Shkruaje dreqin përshtypje! As analizë, as opinion, as ndonjë fjalë tjetër të huaj: “Përshtypje nga Ahmet Dursun... S.O.Sialistëve në Shqipëri…”. Përshtypjet edhe lexohen ndonjëherë, por analiza, opinioni, apo diçka tjetër... Edhe nga kush?! Po pse?! Se u putha me Arianën njëherë tek ura?! Apo se ia përkëdhela flokët Elisabetës si padashje?! Apo ngaqë dorën e Jetës e paskam tërhequr fort nga vetja?! Po pastaj?! Pse kaq kollaj është analiza apo opinioni? Shkruaj aty: “Përshtypje nga ...”! Kush jam unë fundja?!
Dola në ballkon. Shiu nuk po pushon. Edhe cigare nuk kam. Shyqyr që gazetat shpërndahen në mëngjes. Po sikur të dilnin mbasdite dhe ndonjë “mendimtar” nga mllefi të shkulte qimet e furçës së këpucëve të tij dhe ta bënte dac! Mos o Zot! Mos!
Hyra përsëri në dhomë... tavani akoma pikon. Llamba, mbase nga lagështira apo tensioni, si një ruspi që të shkel syrin ndizet dhe fiket... E fika. Ndeza shumë qirinj... për shpirtrat e përgjumur të “mendimtarëve” në gjumë. Cila është arsyeja? Ky vend kaq i begatë, ky popull kaq vital, ky qiell kaq i hapur pse nuk i lë rrezet e diellit të takojnë në tokë?! Nga frymëmarrja edhe qirinjtë po imitojnë llambën. E gjeta. Të paktën një nga arsyet, ndërkohë që “mendimtarët” në ëndrrat e tyre edhe sonte po kërkojnë Vangjelin... Të paktën një nga arsyet, unë e gjeta... Daljet dhe Kapjet e kanë marrë në qafë Shqipërinë... Daljet dhe Kapjet e “mendimtarëve”!
Po ta kapi gishtin, ta rrëmbeu krahun...
I dalshin trutë...
Mezi e kapi atë vend, gjallë nuk e lëshon...
Doli politika e re...
Më kapi e qeshura...
Doli në dritë...
E kapi tangërlliku...
Do të dalim te vetëm...
Ma kap atë këngë...
I doli llotaria amerikane...
S’po ma kap televizori...
Veza doli me dy të verdha...
S’po ma kap truri...
Si hyri... doli...
Më kapi duke u ngjitur...
I doli huq...
Kemi kapur dy milion turistë...
I numërova... më dolën 36 mijë shtretër...
U kap gafil...
Shtrydhe se del...
Topin e kapi me dorë... doli me të kuqe...
Kape, mos të iki...
Doli nga rruga e Zotit...
Shteti i kapur nga mafia...
Më doli prej hundësh...
E kap në ajër...
Buka del pas zgjedhjeve...
I kapur mirë...
Doli si gjithë të tjerët...
Ka dalë mirë jashtë?
Mos u kap pas kësaj fjale...
Vetëm me ne dilet nga kriza...
Na ka kapur tranzicioni...
Dil... hyr përsëri...
Mos u kap pas meje...
Analizat s’i dolën mirë...
E kapën me presh në dorë...
Doli për në ajrim...
Të kapur dorë për dore...
Dolën të lirë...
Po t’ju kapi dallga, dilni në breg...
Po ma kapët mendimin... Ia dolëm...
Kapje...
Dalje...

Në respekt të gjithë atyre mendimtarëve që nuk pranuan kurrë të kapen dhe kurrë nuk i bënë dalje shqiptarëve kudo që ndodhen ata…
Post Scriptum: Një ditë, një person, erdhi në restorantin ku punoj. E pashë njëherë. I mora porosinë. Fola me të. Ndenji gati tri orë. E përcolla deri te dera. I thashë Mirë se të vini përsëri. Por nuk kuptova nëse ishte burrë apo grua... Ju, “mendimtarë” të vendit të të parëve të mi... Si thoni? Ishte burrë apo ishte grua?! Si thoni?
a.dursun@pergjegjesitebarabarta.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›