Pendohet grabitësi i Lezhës: Si rrëmbyem paratë e postës
LEZHE / ROLAND NIKOLLI
“Pendohet” grabitësi i 5 milionë lekëve në mes të qytetit të Lezhës. Katër ditë pas arrestimit, Enver Diva duket se është detyruar të “dorëzohet” para drejtësisë e të rrëfejë gjithë skemën e organizimit të grabitjes spektakolare. Shkak i kësaj kthese të papritur është bërë një plagë plumbi që ai kishte marrë në shpatull nga forcat e RENEA-s, në një aksion për arrestimin e tij pas ngjarjes. Ai mundi të largohet, por nga shkëmbimi i zjarrit është plagosur. Infektimi i plagës duket se e ka trembur 31-vjeçarin, ndaj ka kërkuar më në fund ndihmë në ambientet e paraburgimit. Ndonëse policia që në momentin e arrestimit kishte pasur dyshime për ndonjë plagë të mundshme të tij, ai e ka mohuar këtë fakt. Sipas burimeve të policisë, pas plagosjes Diva ka mundur t’u shpëtojë forcave të RENEA-s dhe më pas ka marrë mjekime në formë private. Për fat të mirë, plumbi ka dalë që në momentin e plagosjes. Pas mjekimit, plaga është përmirësuar. Më pas 31-vjeçari vendosi të vetëdorëzohet, duke menduar se gjithçka ishte mbyllur. Por mungesa e mjekimit të vazhdueshëm ka bërë që plaga të nisë të infektohet, çka ka rënduar shëndetin e tij derisa u detyrua të kërkojë ndihmë e të rrëfejë të vërtetën. Deri dje, i riu nuk e kishte pranuar akuzën e grabitjes së 5 milionë lekëve. Pasi ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë, Diva është çuar fillimisht në spitalin e burgut në Tiranë ku ka marrë mjekimin. Më pas ai është marrë në pyetje për ngjarjen. Sipas tij, organizatori i grabitjes ishte Elton Gjini. Ai kishte marrë informacione për kohën dhe mënyrën e transferimit të parave. “Ne kishim katër raste që i ndiqnim arkëtaret që tërhiqnin paratë, për të parë kushtet e mbrojtjes së tyre dhe mënyrën se si mund të largoheshim. Për t’u larguar kishim menduar disa variante. Nëse na dështonte lëvizja për në superstradën Lezhë – Shkodër ose Lezhë – Milot do të largoheshim nga Burreli apo Mirdita. Nëse policia do të afrohej ne do qëllonim, do digjnim makinën e do largoheshim malit. Unë gjeta në Fushë – Mamurras një makinë, duke ja marrë një fqinjit tim. I thashë se më duhej për një punë personale, pasi ai e dinte se kisha nusen shtatzënë”, është shprehur Diva në polici. Sipas tij, gjatë grabitjes ishte menduar që Elton Gjini të kërcënonte me armë punonjëset e postës. Florind Marku do tërhiqte paratë ndërsa ai vetë do të qëllonte punonjëset e postës, nëse ato do të reagonin. “Pasi kemi mundur të marrim paratë, ne jemi futur në fshatin Tresh të Lezhës dhe dogjëm makinën. Jemi larguar malit dhe u fshehëm në Mirditë. Atje ndamë paratë dhe të nesërmen u kthyem në qytet për të mos rënë në sy. Sipas Divës, ata tashmë i kanë prishur paratë. Ai mësohet të jetë shprehur se Elton Gjini i kishte kërcënuar ata që nëse do hapnim gojën do t’i vriste. Gjini është arrestuar disa ditë pas ngjarjes, i fshehur në një hotel në Golem të Kavajës. Tashmë në kërkim për ngjarjen e 12 marsit është Florind Marku. “Nuk kisha ndërmend të vetëdorëzohesha, pasi unë e di se çfarë është burgu (liruar dy muaj më parë pasi ishte dënuar me 12 vjet për grabitje me armë). Por duke qenë se isha i plagosur, mjekët që më kanë dhënë fillimisht mjekimin nuk pranuan më të më mjekonin. Askush nuk mund të më ndihmonte. Kështu e ka mbyllur rrëfimin e tij i arrestuari i katër ditëve më parë, Enver Diva.
Grabitësit
• Elton Gjini, 38-vjeç, dënuar në Itali për grabitje
• Enver Diva, 31 vjeç, dënuar më parë me 12 vjet për grabitje
• Florind Marku, 25 vjeç, dënuar më parë me 7 vjet për vjedhje me armë