E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flakë shtëpia, hidhet nga kati i katërt

 

LUSHNJE - Një 23-vjeçar nga Lushnja u hodh dje nga ballkoni i shtëpisë së tij në katin e katërt, pasi shtëpia e tij u përfshi nga flakët. Duke mos pasur asnjë rrugëdalje tjetër për t’i shpëtuar djegies, i riu u detyrua të dalë nga ballkoni, duke rrezikuar seriozisht jetën. Loni Koço mësohet se ka ndezur sobën e gazit, por shtëpia ka marrë flakë menjëherë. Pas përpjekjeve fillestare për të shuar zjarrin, rrugëdalja e tij te dera ishte zënë nga flakët. Në këto kushte 23-vjeçari është kacavjerrë nga ballkoni, duke përfituar fillimisht nga disa tela të ballkoneve të tjera, për të mos u hedhur katër kate njëherazi. Mësohet se i riu ka marrë plagë në trup dhe është çuar menjëherë në spitalin e Lushnjës. Ngjarja ndodhi dje paradite. Pasi i kanë dhënë ndihmën e parë 23-vjeçarit, fqinjët e tij kanë lajmëruar menjëherë zjarrfikëset. “Jemi llahtarisur. Tymi përfshiu të gjithë pallatin saqë u detyruam të dilnim jashtë. Lajmëruam menjëherë zjarrfikësit, të cilët mbërritën dhe shuan zjarrin. Por fatmirësisht flakëve u shpëtoi djali i shtëpisë, i cili u hodh nga ballkoni. U trembëm kur e pamë të gjakosur. Shtëpia është djegur totalisht, edhe pse filluam të hidhnim kova me ujë derisa mbërritën zjarrfikësit”, u shpreh njëra nga banoret e pallatit. Dëmi ekonomik në familjen Koço është tepër i madh, pasi në të janë djegur gjithë pajisjet elektroshtëpiake dhe orenditë e tjera. Ndërkohë burime nga spitali i Lushnjës pohojnë se 23 –vjeçari ka marrë plagë dhe shembje të lehta por se ai është jashtë rrezikut për jetën.   m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›