LSI kallëzim për degën ushtarake, penguan takimin
BURREL - Dega e Lëvizjes Socialiste për Integrim Mat do të kallëzojë në Prokurorinë e këtij rrethi drejtuesit e policisë ushtarake dhe ato të degës së mobilizimit. Sipas vendorëve të LSI-së, në ditën e takimit elektoral të kreut të partisë, Ilir Meta, efektivë të ushtrisë kanë ndërhyrë qëllimisht për prishjen e tij. Pak para se të prezantoheshin kandidaturat për deputetë në Qarkun e Dibrës, efektivë të Degës së Mobilizimit dhe ato të policisë ushtarake kanë zbarkuar në qytetin e Klosit, aty ku ishte planifikuar takimi politik, dhe janë orvatur të mobilizojnë forcërisht ato të rinj që kanë mbushur moshën për shërbimin të detyrueshëm ushtarak, por nuk e kanë kryer atë. Burime pranë LSI-së Mat sqarojnë se drejtuesit e degës lokale kanë kontaktuar me ushtarakët dhe kanë kërkuar nga ata të mos orvaten të dëmtojnë tubimin e kësaj partie. Madje nga një kontakt që ata kanë pasur me Kryetarin e Bashkisë Bedri Hoxha, (njëkohësisht dhe kryetar i PD-së për këtë rreth), kanë mësuar se nuk kishte asnjë projekt bashkëpunimi, siç ndodh vazhdimisht kur ka mobilizim rekrutësh. Drejtues të degës lokale dhe ato të njësisë vendore janë takuar me specialistët e Degës së Mobilizimit dhe ato të policisë ushtarake dhe u kanë kërkuar atyre të ndalin operacionin, pasi sipas tyre ky aksion kishte motive politike, për të dëmtuar takimin elektoral të LSI-së. Djemtë e rinj, mbështetës ose jo të LSI-së, kanë informuar në kohë rekord njëri-tjetrin dhe janë larguar nga qyteti. Ndërkohë në orët e pasdites, atëherë kur policia ushtarake ka lënë qytetin, disa nga të rinjtë janë rikthyer, madje dhe në takimin e LSI-së. Por pjesëmarrja nuk ka qenë ajo e parashikuar. LSI-ja ka përgatitur një kallëzim për Degën e Mobilizimit dhe Policinë Ushtarake, duke aluduar se operacioni i asaj dite në Klos kishte vetëm qëllime politike, për të penguar aktivitetin e kësaj partie opozitare. “Nuk mund të pranojmë që fushata elektorale të nisë me presione të tilla mbi anëtarët dhe militantët e opozitës, sidomos mbi mbështetësit tanë”, thanë burime të sigurta pranë LSI-së Mat. h.p