Pranga bandës së “Dibranëve”
DURRES - Pas një hetimi disa mujor goditet banda e “Dibranëve”, e cila ishte e specializuar në vjedhjen e vilave luksoze në Durrës. Dy pjesëtarët e saj, Sokol Duka 36 vjeç nga fshati Shtushaj dhe Flamur Hoxha, 40 vjeç nga Shupenza janë prangosur, teksa një i tretë i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor është fshehur në zonat malore të Dibrës. Në shënjestër të tyre ishin jo vetëm vilat luksoze të gjendura në trekëndëshin Sukth-Shijak-Plazh, por edhe lokale të ndryshme si supermarkete, lavazhe apo ofiçina. Operacioni i koduar “Vila” u finalizua falë një bashkëpunimi të ngushtë mes policive të Shijakut, Durrësit dhe Dibrës, të cilat pas mbledhjes së të dhënave dhe këmbimit të informacionit arritën të godisnin grupin që ishte kthyer në tmerrin e banorëve të kamur. Televizorë plazma, kompjuterë të gjeneratës së fundit, gjeneratorë, ekspresë kafeje, tapete, abazhurë luksozë e çdo pajisje e lakmueshme elektro-shtëpiake bastisej në çast nga këta vjedhës që vepronin si profesionistë. Duket se vjedhësit kanë rënë në grackën e policisë, teksa kërkonin t’i shisnin këto pajisje. Ata kanë gjetur njeriun e gabuar për t’i bërë shitjen e mallit dhe me t’u zbardhur skema, mbi dy dibranët ranë prangat. “Dokumentimi me prova të pakundërshtueshme për veprat penale të kryer nga këta persona u arrit në sajë të një pune të mirorganizuar, duke përdoruar teknikat e specializuara për hetimin e krimeve”, bëri me dije policia e Durrësit përmes zëdhënëses së saj. o.u