E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat, në maj rialokim fondesh

 

Ndryshe nga vitet e kaluara këtë vit, rialokimi i fondeve do të kryhet gjatë muajit maj. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Financave, qeveria ka ndërmarrë një numër të madh investimesh, por ato do të mund të rriten pasi janë rreth 60 milion euro që nuk janë programuar në fillim të vitit. “Janë rreth 40 milionë euro të akorduara nga Banka e Këshillit të Evropës për rrugët rurale dhe 20 milionë euro që jepen nga Baka Botërore, si mbështetje buxhetore për realizimin me sukses të programeve që mbështeten nga kjo Bankë, të cilat rrisin kapacitetin për të intensifikuar investimet publike”, janë shprehur drejtues të Ministrisë së Financave. Duke filluar nga muaji maj do të mund të bëhet edhe alokimi i kontigjencave dhe ndryshe nga herët e tjera nuk do të pritet fundi i vitit për të bërë alokimin e tyre. “Pasi të bëhet një vlerësim i situatës së përgjithshme për katërmujorin do të injektojmë këto kontigjenca në ekonomi dhe sa më shpejt të bëhet ky alokim, aq më shpejt do të dimanizohet ekonomia dhe aq më pak do të ndjehen pasojat”, u shprehen ata. Sipas tyre, buxheti i shtetit që do të japë një ndikim të madh në efektet e krizës globale. Të gjitha kontigjencat do të përdoren nga buxheti i shtetit për të ndërmarrë politika globale, siç është rasti i pagave dhe pensioneve, qoftë duke rritur kërkesën për intensifikimin e investimeve publike. Sipas tyre, qeveria ka ndërmarrë një numër të madh investimesh, por ato do të mund të rriten pasi janë rreth 60 milion euro që nuk janë programuar në fillim të vitit. Për sa i përket krizës së bankave, zyrtarët e Ministrisë së Financave kanë garantuar edhe një herë se bankat që operojnë në tregun bankar nuk janë infektuar nga kjo krizë. Sipas tyre, sistemi bankar në vendin tonë nuk paraqet probleme, pasi bankat në vend janë banka bija të disa bankave ndërkombëtare mjaft të njohura në vende të zhvilluara. Madje ata kanë deklaruar se nëse sistemi bankar mund të paraqesë probleme me likuide afatshkurtra, që janë normale në një ekonomi, do të mund të plotësohen nga Banka e Shqipërisë me elemente kreditimi. Pak kohë më parë qeveria rriti pragun e sigurimit të depozitave duke e çuar atë në 25 mijë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›