E Shtunë, 31 Tetor 2026

KAS i jep të drejtë Rulit, zgjedhjet tek Atletika të pavlefshme

Këshilli i Arbitrazhit Sportiv pranë KOKSH-it i ka cilësuar të pavlefshme zgjedhjet e zhvilluara në Federatën Shqiptare të Atletikës, më 6 shkurt 2009. Çështja është marrë në shqyrtim pas kërkesës së paraqitur nga presidenti aktual i FSHA-së, Gjergji Ruli, i cili u rizgjodh në këtë post më 30 janar të këtij viti. Institucioni që drejton "Mbretëreshën" në vend filloi procedurat për zhvillimin e procesit zgjedhor pas kërkesës së Ministrisë së Sporteve. Me 13 anëtarë të regjistruar (e përkthyer ndryshe 65 për qind të klubeve) nga 20 të tillë, Ruli fitoi Asamblenë e janarit me 12 vota pro. Aty u zgjodhën edhe anëtarët e Komitetit Drejtues dhe sekretari i përgjithshëm. Çudia ka ndodhur vetëm pak ditë më vonë: fillimisht drejtuesit e MTKRS-së nuk kanë dhënë asnjë përgjigje rreth njohjes së kreut të ri, ndërsa pas një jave tek Atletika u organizua një tjetër Asamble, ku janë zgjedhur organet drejtuese paralele, tjetër president dhe sekretar i përgjithshëm. KAS i dha të drejtë Rulit dhe zgjedhjet e dyta u cilësuan jashtë rregullave, sepse "ato u zhvilluan përpara afatit 30-ditor të parashikuara në statut". Për më tepër "ajo u organizua nga persona të paautorizuar dhe të pranishëm nuk ishin më shumë se 50 për qind e anëtarëve". Gjithçka që ka ndodhur bie ndesh me nenet 12, 14 dhe 20 të statutit të Federatës së Atletikës. Mes të tjerave, ato saktësojnë se "vetëm një Asamble e mbajtur në përputhje me rregullat e këtij statuti e ka autoritetin të marrë vendime" dhe " anëtarët (klubet, shoqatat) dërgojnë pranë federatës personat zyrtarë të autorizuar për përfaqësimin e tyre jo më vonë se 20 ditë përpara datës së zhvillimit të Asamblesë". Në vendimin e tij, Këshilli i Arbitrazhit Sportiv theksonte: "Kërkesa e presidentit të FSHA-së, Gjergji Ruli, pranohet. Rezulton e provuar dhe është plotësisht e qartë se Asambleja e datës 6 shkurt 2009, për zgjedhjen e organeve drejtuese të FSHA-së është kryer në kundërshtim me rregullat e parashikuara në statutin e kësaj federate. Konstatohet pavlefshmëria e tyre".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›